Hadithi - 01
01 - Veprat janë sipas qëllimeve.
Prijësi i besimtarëve Ebu Hafs Umer bin Hatabi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve, dhe çdo njeriu i takon ajo që ai ka patur për qëllim. Ndaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe për të Dërguarin e Tij, atëherë edhe shpërblimin do ta ketë tek Zoti dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa ai që shpërngulet për të fituar ndonjë të mirë të kësaj bote, apo të martohet me ndonjë grua, ai do të marrë atë shpëblim që ka patur për qëllim.” Këtë hadith e transmetuan dy imamët e mëdhenj të hadithit Ebu Abdullah Muhamed bin Ismail bin Ibrahim bin Berdize el Buhari dhe Ebul Husejn Muslim bin Haxhaxh bin Muslim el Kushejri en Nejsaburi në dy Sahihët e tyre, të cilët konsiderohen si librat më të saktë të hadithit.
1 - Këtë hadith e transmetuan Buhariu, Muslimi, autorët e Suneneve (Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibn Maxheh) etj. Për transmetimin e tij nga Omeri është veçuar Alkame bin Uekas el Lejthi, e prej tij e transmeton Muhamed bin Ibrahim et Tejmi, ndërsa në transmetimin prej tij është veçuar Jahja bin Seid el Ensari dhe më pas u shtuan transmetuesit që e përcollën prej tij. Ky hadith është prej haditheve Garibe (Është hadithi që ka një transmetues të vetëm gjatë gjithë zinxhirit të transmetimit. Sh p) në Sahihun e Buhariut. Me të, Buhariu ka bërë hyrjen në librin e tij. I ngjashëm me të është edhe hadithi, me të cilin Buhariu mbyll Sahihun e tij. Është pikërisht hadithi që transmeton Ebu Hurejra: “Dy fjalë janë shumë të dashura tek Mëshiruesi…”, i cili është gjithashtu prej haditheve Garibe në Sahih.
2 - Neveviu librin “Dyzet Hadithet” i nisi me këtë hadith, madje një hapje të tillë u kanë bërë edhe dijetarët e tjerë librave të tyre. Një prej tyre është Buhariu, i cili Sahihun e tij e filloi me këtë hadith. Abdul Gani el Makdesi librin e tij “Umdetul Ahkam” e nisi me këtë hadith; Begaviu dy librat e tij të titulluar “Mesabihu Suneh” dhe “Sherhu Suneh” i nisi me këtë hadith. Gjithashtu, Sujuti librin e tij “El Xhamiu sagir” e hapi me këtë hadith. Ndërsa Neveviu në hyrjen e librit të tij “El Mexhmu Sherh el Muhedheb” (1/35) vendosi një temë dhe e titulloi: “Temë rreth sinqeritetit, çiltërsisë dhe preokupimit me nijetin (qëllimin), në të gjitha veprat e dukshme dhe të padukshme.”
Në këtë temë, ai përmendi tri ajete nga Kurani Famëlartë dhe u bashkangjiti hadithin: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve.” Më pas pohoi: “Ky është një hadith për saktësinë e të cilit është rënë dakord. Të gjithë janë të një mendimi për madhështinë dhe vendin e lartë që zë ai. E themi këtë sepse është njëri prej bazave të besimit, shtylla e parë dhe më e kërkuar.” Shafiu duke folur mbi këtë hadith ka thënë: “Ky hadith përfshihet në shtatëdhjetë kapituj të Fikhut.” Një herë tjetër, ai është shprehur kështu: “Ai zë vendin e një të tretës së dijes”, e fjalë të ngjashme kanë shprehur edhe të tjerë veç tij. Ai është njëri prej haditheve, rreth të cilit sillet feja Islame. Dijetarët kanë rënë në polemikë për numrin e këtyre haditheve, disa kanë thënë ato janë tri hadithe, e disa të tjerë kanë thënë katër, e të tjerë dy hadithe. Ka edhe disa që kanë thënë se është vetëm një hadith. Unë i kam mbledhur që të gjitha në një libër të veçantë me titull: “Dyzet hadithet.” Çdo musliman duhet patjetër që t’i njohë këto hadithe sepse të gjitha janë të sakta, esenca e të gjitha rregullave Islame, duke nisur nga çështjet bazë, degëzimet, asketizmin, mirësjelljen, moralin e lartë etj.
Unë e bëra hyrjen e librit tim me këtë hadith, duke marrë si shembull imamët dhe dijetarët tanë të hershëm (radij-Allahu ‘anhum). Me këtë hadith e filloi imami i ehli hadithit Ebu Abdullah Buhari Sahihun e tij. E disa të tjerë përcollën se të parët tanë të mirë pëlqenin që librat e tyre t’i fillonin me këtë hadith, me qëllim që t’u mësonin nxënësve përmirësimin e nijetit si dhe kërkimin e kënaqësisë së Allahut, me anë të punëve të dukshme dhe atyre që nuk duken. Transmetohet se imam Ebu Seid AbduRrahman bin Mehdi, (RahimehUllah) ka thënë: “Nëse do të shkruaja një libër, çdo temë të tij do ta filloja duke përmendur këtë hadith.” Gjithashtu, transmetohet se ai ka thënë: “Kush dëshiron të shkruaj një libër, le ta nisë me këtë hadith.” Ndërsa imam Ebu Sulejman Hamed bin Muhamed bin Ibrahim bin El Hatab el Hatabi, njëri nga dijetarët Shafi, (RahimehUllah), në librin e tij “El Mealim” shprehet duke thënë: “Mësuesve tanëmë të hershëm u pëlqente që t’i jepnin përparësi hadithit; “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve” para fillimit të çdo gjëje që ka të bëjë me çëshjtet e fesë, duke u nisur dobia e përgjithshme për të, në të gjitha aspektet e fesë.”
Ibn Rexhebi në librin e tij “Xhamiul Ulumi uel Hikem” (1/61) thotë: “Dijetarët janë të një mendimi rreth saktësisë dhe pranimit të këtij hadithi.” Buhariu me këtë hadith bëri hapjen e librit të tij “Sahihul Buhari” dhe e vendosi si parathënie, për të treguar se çdo punë me të cilën nuk synohet arritja e kënaqësisë së Allahut, ajo është e dështuar dhe nuk vlen as për në këtë botë e as për në botën tjetër.”
3 - Ibn Rexhebi ka thënë: “Ky është njëri nga hadithet, rreth të cilit sillet e gjithë feja.” Transmetohet se Shafiu ka thënë: “Ky hadith është një e treta e dijes dhe përfshihet në shtatëdhjetë kapituj të Fikhut.” Ndërsa imam Ahmedi ka thënë: “Bazat e Islamit janë të ndërtuara mbi tri hadithe: Hadithin e Omerit; “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve”, hadithin e Aishes; “Kush shton në fenë tonë diçka që nuk është prej saj ajo është e refuzuar”, si dhe hadithin e Numan bin Beshirit; “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë.” Në një pjese tjetër (1/71), Ibn Rexhebi, duke komentuar fjalën e Imam Ahmedit thotë: “E gjithë feja kthehet në praktikimin e urdhërave, braktisjen e të ndaluarave dhe distancimin nga të dyshimtat.”, çështje të cilat i ka përfshirë hadithi i Numan bin Beshirit. Por e gjithë kjo realizohet vetëm duke pasur parasysh dy gjëra.
E para: Kur puna në pamje të jashtme duket në përputhje me Sunetin, gjë të cilën e përfshiu hadithi i Aishes që thotë: “Kush shton në fenë tonë diçka që nuk është prej saj ajo është e refuzuar.”
E dyta: Kur puna në thelb bëhet për të kërkuar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, ashtu sikurse u sqarua në hadithin e Omerit; “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve.”
Pas kësaj, Ibn Rexhebi (1/61-63) transmetoi fjalët e disa prej dijetarëve që flasin për hadithet rreth të cilave sillet Islami dhe se prej tyre ka pasur nga ata që kanë thënë: “Ato janë dy hadithe”, e të tjerë që kanë thënë “janë katër hadithe”, ka pasur edhe të tjerë që kanë pretenduar që janë pesë. Hadithet që ai tregoi, duke i shtuar dhe tri hadithet e mësipërme, janë: “Vërtet, çdonjëri nga ju formohet në mitrën e nënës së tij…”, gjithashtu hadithi; “Prej Islamit të mirë të një njeriu është t’i lërë gjërat që nuk i interesojnë”, hadithi; “Allahu është i Mirë dhe nuk pranon vetëm se të mirën!”; hadithi: “Nuk beson asnjë nga ju, derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete”; hadithi: “Nuk lejohet të dëmtosh veten apo të tjerët!”; hadithi: “Kur t’ju urdhëroj për diçka, praktikojeni sa të keni mundësi!”, hadithi: “Mos i kushto rëndësi (kënaqësive) kësaj bote që të të dojë Allahu, gjithashtu mos i kushto rëndësi asaj që njerëzit posedojnë me qëllim që të të duan njerëzit”; si dhe hadithi: “Feja është këshillë.”
4 - Për fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve”, thuhet se trajta e shquar e fjalës “veprat” ka për qëllim vetëm veprat që të afrojnë tek Allahu. Por, disa të tjerë kanë thënë se kjo fjalë është përmbledhëse për çdo punë, kështu që, për çdo vepër që të afron tek Allahu praktikuesi i saj shpërblehet dhe çdo vepër tjetër që përfshihet tek nevojat e përditshme si; të ngrënët, të pirët, të fjeturit etj., njeriu mund të shpërblehet nëse ka për qëllim që të forcohet për kryerjen e adhurimeve.
Nijet në gjuhën arabe do të thotë qëllim. Nijeti përdoret për të bërë dallimin e adhurimeve mes njëra- tjetrës, siç është dallimi i farzeve nga njëri-tjetri, si dhe farzit nga nafilet. Nijeti, gjithashtu, vlen për të bërë dallimin ndërmjet adhurimeve dhe nevojave, siç është rasti i marrjes së gusulit nga xhunubllëku, apo marrjes së gusulit që bëhet për freskim apo pastrim.
5 - Për sa i përket fjalëve të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “…ai do të marrë atë që ka patur për qëllim”, Ibn Rexhebi (1/65) thotë: “Me këtë ai na tregon se njeriu përfiton nga puna e tij vetëm atë që ka pasur për qëllim. Nëse ka patur për qëllim të mirën, atëherë do fitojë çdo të mirë, por nëse ka patur për qëllim të keqen, atëherë do fitojë çdo të keqe. Kjo fjali nuk është përsëritje e mirfilltë e fjalisë së parë, sepse fjalia e parë pohon se: saktësia apo pasaktesia e një pune varet nga nijeti që e shoqëron atë. Ndërsa fjalia e dytë pohon se; shpërblimi i një punëtori për punën e tij të mirë varet tek nijeti i mirë dhe se ndëshkimi për punën e tij varet nga nijeti i tij i keq. Ndodh që nijeti dhe puna e tij të jenë të pëlqyeshme, por njeriu nuk merr shpërblime dhe as ndëshkime. Kështu që saktësia, pasaktësia apo lejueshmëria e punës, në thelb, varen nga nijeti, i cili e shtyn njeriun ta bëjë atë punë të pranishme. Ndërsa; shpërblimi, ndëshkimi dhe shpëtimi i një njeriu, varen përsëri nga nijeti, me të cilin ai e kthen punën në punë të mirë, të keqe apo thjesht të lejuar.”
6 - Lidhur me fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe për të Dërguarin e Tij, atëherë edhe shpërblimin do ta ketë tek Zoti dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa ai që shpërngulet për të fituar ndonjë të mirë të kësaj bote, apo të martohet me ndonjë grua, ai do të marrë atë që ka patur për qëllim.” Hixhreti vjen nga fjala Hexhër që do të thotë braktisje. Hixhreti nënkupton braktisjen e vendeve ku zotëron frika dhe të shkuarit drejt vendeve ku zotëron siguria, ashtu siç ndodhi me muslimanët, të cilët u shpërngulën nga Meka për në Abisini. Hixhret quhet edhe shpërngulja nga vendet e kufrit, drejt vendeve Islame, siç ishte shpërngulja prej Mekës drejt Medines. Shpërngulja drejt Mekës ka përfunduar që në kohën kur u çlirua Meka, ndërsa shpërngulja prej vendeve të kufrit, drejt vendeve Islame është shpërngulje që do të mbetet deri në fundin e kësaj bote. Në fjalën e Profetit ku thuhet: “Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe për të Dërguarin e Tij, atëherë edhe shpërblimin do ta ketë tek Zoti dhe i Dërguari i Tij.” u bashkua kushti me shpërblimin edhe pse në origjinë ato duhet të ndryshojnë. Kjo do të thotë se: Kushdo që shpërngulet për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, me nijet, atëherë shpërngulja e tij për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij do ketë shpërblime, pra ka dallim. Ibn Rexhebi (1/72) thotë: “Në kohën kur Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) përmendi se: punët vlerësohen sipas nijeteve dhe se njeriu që punon do ketë për pjesë nga puna e tij nijetin e mirë apo të keq që ka pasur, - këto janë dy fjali dhe dy rregulla përmbledhëse, jashtë të cilave nuk mund të dalë asgjë. Pas kësaj, ai përmendi një shembull prej shembujve të punëve që kanë një paraqitje, por që saktësia apo pasaktësia e tyre ndryshon sipas nijeteve. E kështu ai duket sikur thotë: “Të gjitha veprat e tjera i bazohen këtij shembulli.”
Në një vend tjetër Ibn Rexhebi (1/73) citon: “Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) lajmëroi se ky hixhret ndryshon me ndryshimin e nijeteve. Prandaj, kush shpërngulet drejt vendeve Islame, per shkak te dashurise se Allahut dhe të Dërguarit të Tij, me dëshirën që të mësojë fenë Islame dhe për ta shfaqur atë lirshëm në një kohë kur nuk mundej ta shfaqte në vendet e kufrit, ky është muhaxhiri i vërtetë tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Atij i mjafton si nder dhe krenari realizimi i qëllimit që kishte në hixhretin e tij, i cili është shpërblimi që do gjejë tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij. Duke u nisur nga ky kuptim, ai u mjaftua me përmendjen e këtij kushti, duke mos e përsëritur me të njëjtat fjalë, sepse arritja e synimit me anë të hixhretit është qëllimi final si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.”
Ndërsa ai që shpërngulet nga vendet e shirkut drejt vendeve islame, për të kërkuar kënaqësitë e kësaj bote, apo për t’u martuar me ndonjë grua në vendet islame, atëherë shpërngulja e tij është për atë qëllim që është shpërngulur. I pari konsiderohet tregëtar, ndërsa i dyti dhëndërr, por asnjëri prej tyre nuk mund të quhet muhaxhir.
Në fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që thuhet: “…ai do të marrë atë që ka patur për qëllim”, vihet re përçmimi i asaj që ka kërkuar prej gjërave të kësaj bote sepse ai nuk e tregoi atë që ka fituar. Gjithashtu, shpërngulja për hir Allahut dhe të Dërguarit të Tij është diçka e mirfilltë, me të cilën nuk mund të përzihen gjëra të tjera. Kjo ishte edhe arsyeja që Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e përsëriti përgjigjen në formë kushti. Shpërngulja për gjëra të kësaj bote nuk mund të kufizohet sepse nganjëherë, njeriu mund të emigrojë për të kërkuar diçka të lejuar nga kjo botë, apo të ndaluar në raste të tjera.
Gjithashtu, edhe personat tek të cilët njerëzit shpërngulen nuk mund të kufizohen, për këtë arsye Profeti në hadith tha: “…ai do të marrë atë që ka patur për qëllim”, d.m.th. kushdo qoftë ai.
7 - Ibn Rexhebi (1/74-75) thotë: “Është përhapur shumë ndodhia e njeriut që emigroi për Umu Kajsin, për të cilin thonë se arsyeja e fjalëve që tha Profeti: “Ndërsa ai që shpërngulet për të fituar ndonjë të mirë të kësaj bote apo të martohet me ndonjë grua.” Këtë e përmendën shumë prej dijetarëve të mëvonshëm në librat e tyre, por ne nuk kemi gjetur ndonjë origjinë me zinxhirë transmetuesish të saktë që ta pohojë atë, e për këtë Allahu e di më mirë.”
8 - Vendi i nijetit është zemra, ndërsa shqiptimi i tij është bidat (risi). Nuk lejohet që nijeti të shqiptohet me zë në ndonjë adhurim, me përjashtim të Haxhit apo Umres. Në këtë rast njeriut i lejohet që gjatë telbijes (shprehjes që thuhet me rastin e hyrjes në ritet e Haxhit ose Umres) të shfaqë atë që ka për nijet, qoftë për llojet e Haxhit; Kiran, Ifrad ose Temetu dhe të thotë: “O Zot, të përgjigjem Ty me Umre ose me Haxh” - ose të thotë; “Të përgjigjem me Haxh”, ose të përgjigjem me Umre. E themi këtë sepse Suneti e ka pohuar vetëm në këtë rast dhe jo në adhurimet e tjera.
9 - Disa prej dobive që përfitojmë nga ky hadith janë:
1 - Nuk ka punë pa nijet.
2 - Punët merren në konsideratë sipas nijeteve.
3 - Shpërblimi i një njeriu për punën e tij varet nga nijeti i tij.
4 - Dijetari duhet të japë shembuj për arsye sqarimi.
5 - Vlera e hixhretit është vepër, të cilën e ka praktikuar edhe Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Në Sahihun e Muslimit me nr. 192 transmetohet nga Amër bin Asi se Profeti ka thënë: “A nuk e di ti se Islami i fshin mëkatet e mëparshme, hixhreti i shkatërron mëkatet e mëparshme, dhe se Haxhi i fshin ato?”
6 - Njeriu shpërblehet, dënohet dhe privohet nga ndonjë e mirë, për shkak të nijetit të tij.
7 - Veprat mund të ndryshojnë në varësi të nijeteve, për të cilat ato kryhen. Një vepër mund të jetë e lejuar në origjinë, por mund të kthehet në adhurim nëse njeriu e bën me nijet të mirë, të tilla si: të ngrënët apo të pirët, nëse ai me këtë ka për qëllim që të forcohet në kryerjen e adhurimeve.
8 - Një punë për një njeri mund të ketë shpërblim, ndërsa për një tjetër mund të jetë privim nga një e mirë.