Hadithi - 12





12 - Nga Islami i mirë i njeriut.

 

Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Një prej cilësive të mira të një besimtari musliman është kur nuk ndërhyn në atë që nuk i intereson.” Hadithi është saktë, atë e transmeton Tirmidhiu dhe të tjerë, po në këtë mënyrë.

1 - Ky hadith konsiston në atë që muslimani duhet t’u largohet veprave që nuk i interesojnë, qoftë në çështjet e fesë, qoftë në ato të dynjasë, apo qoftë në fjalë, qoftë në vepra. Nga ana tjetër, kuptojmë se ai duhet të përpiqet të angazhohet në vepra që i intersojnë.

2 - Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (1/288-289) thotë: “Kuptimi i këtij hadithi është se një besimtar i mirë, nuk duhet të ndërhyjë në gjërat që nuk i përkasin, qofshin ato fjalë, apo vepra. Në këtë mënyrë ai tregon interes vetëm për ato fjalë, apo vepra që i interesojnë. Fjala intereson i referohet kujdesit të madh për diçka, duke e kthyer në qëllimin dhe kërkimin e tij kryesor, në kuadër të gjykimit legjislativ të Islamit. Për këtë arsye ai e konsideroi besimtar të mirë, sepse kur përmirësohet Islami i një njeriu atëherë ai e lë atë që nuk i intereson në Islam prej fjalëve dhe veprave. Duhet ditur se Islami kërkon zbatimin e urdhrave, siç e kemi përmendur në shpjegimin e hadithit të Xhibrilit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe se Islami i plotë e i lavdëruar përmban braktisjen e veprave të ndaluara, ashtu sikurse thotë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Musliman është ai, dora dhe gjuha e të cilit nuk lëndon muslimanët e tjerë.” Pra, kur Islami i tij përmirësohet, atëherë kjo kërkon prej tij që të braktisë gjithçka që nuk i intereson prej veprave të ndaluara, të dyshimta dhe veprave të urryera, po ashtu edhe teprimi në veprat e lejuara, të cilat nuk janë të nevojshme. Të gjitha këto nuk duhet t’i interesojnë muslimanit, nëse Islami i tij përmirësohet dhe arrin gradën e ihsanit, që do të thotë ta adhurojë Allahun sikur e sheh Atë, edhe pse nuk e sheh, Allahu e shikon atë. Ndaj, kush e adhuron Allahun, duke ndier afërsinë e Tij e duke e parë me zemrën e tij, apo duke ndier afërsinë dhe mbikëqyrjen e Allahut, me këtë Islami i tij është përmirësuar. Si rrjedhim, besimtarit i kërkohet të braktisë çdo veprër që nuk i intereson në Islam dhe të merret me veprat që i interesojnë. Nga këto dy shkallë lind ajo ndjenjë që quhet turpërimi nga Allahu dhe braktisja e çdo vepre, prej së cilës njeriu turpërohet.”

3 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:

1 - Njeriu duhet të largohet nga veprat që nuk i interesojnë, si në fe, ashtu edhe në çështjet e kësaj bote.

2 - Njeriu duhet të angazhohet me veprat që i interesojnë në fenë dhe jetën e tij.

3 - Braktisja e punëve që nuk të interesojnë janë rehati për shpirtin, ruajtje e kohës dhe e nderit tënd.

4 - Njerëzit janë në grada të ndryshme në Islam.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free