Hadithi - 30
30 - Allahu ka obliguar disa faerze, prandaj mos i lini pas dore.
Ebu Thealebe el Hasheni Xhurthum bin Nashir (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Padyshim që Allahu i Madhëruar i ka bërë obligim disa farze, prandaj mos i lini pas dore; ka vendosur kufij, në mënyrë që të mos i tejkaloni ato; ka ndaluar disa gjëra prandaj mos i thyeni ato, ka heshtur për disa gjëra nga mëshira ndaj jush e jo nga harresa, ndaj mos hulumtoni rreth tyre!” Hadithi është me zinxhir të mirë transmetimi. Transmeton Derakutni dhe të tjerë.
1 - Hadithin e vlerësoi si të saktë Neveviu, e para tij Ebu Bekr Semani, siç shprehet edhe Ibn Rexhebi. Në zinxhirin e transmetimit të tij ka ndërprerje, e megjithatë Ibn Rexhebi ka përmendur disa hadithe që dëshmojnë rreth kuptimit të tij. Në këtë mënyrë ai (2/150-151) shprehet: “Kuptimi i këtij hadithi është transmetuar, duke iu referuar Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në shumë forma të tjera. Ato i transmetoi Bezari në Musned dhe Hakimi nga Ebu Derda e ky nga Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), i cili tha: “Atë që Allahu e ka lejuar në librin e Tij, mbetet e lejuar, ndërsa atë që Ai e ka ndaluar mbetet e ndaluar. Për gjërat që ka heshtur ato janë mëshirë, ndaj pranojeni nga Allahu mëshirën e Tij sepse Allahu nuk mund të harrojë asgjë, - e më pas lexoi fjalën e Allahut që thotë: “E Zoti yt nuk është që harron.” Hakimi për këtë hadith ka thënë se zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë, ndërsa Bezari ka thënë se zinxhiri i tij i transmetimit është i saktë.
2 - Hafidh Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/152-153) thotë: “Hadithi i Ebu Thealebes i ndau dispozitat e Allahut në katër grupe: farze, harame, caqe dhe çështje të heshtura. Kjo ndarje i përmbledh të gjitha dispozitat fetare. Ebu Bekr Semani thotë: “Ky hadith është një parim i rëndësishëm prej parimeve të fesë.” Gjithashtu, ka thënë: “Është transmetuar nga dikush prej dijetarëve të ketë thënë: Në hadithet profetike nuk ekziston qoftë dhe një hadith i vetëm që të jetë kaq gjithëpërfshirës për bazat e diturisë dhe degëzimet e saj, se hadithi i Ebu Thealebes.” Nga Uathile el Muzeni transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut e përmblodhi të gjithë fenë në katër fjalë…”, e më pas përmendi hadithin e Ebu Thealebes. Ibn Semani thotë: “Ai që punon me këtë hadith i ka fituar shpërblimet dhe është ruajtur nga ndëshkimet. Ai që kryen detyrimet dhe u largohet harameve, u përmbahet caqeve dhe nuk hulumton në çështje që nuk ka njohuri, ka arritur pjesët e mirësisë dhe i ka plotësuar detyrimet e tij ndaj fesë, duke qenë se legjislacioni nuk mund të dalë jashtë këtyre ndarjeve që u përmendën në këtë hadith.”
3 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Padyshim që Allahu i Madhëruar i ka bërë obligim disa farze prandaj mos i lini pas dore”, do të thotë se ua ka bërë obligim disa gjëra në mënyrë kategorike, të tilla si: namazi, zekati, agjërimi dhe Haxhi. Çdo muslimani i kërkohet që t’i zbatojë ato, ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe nuk duhet t’i lërë pas dore apo të jetë i shkujdesur, duke lënë boshllëqe në praktikën e tyre.
4 - “Ka vendosur kufij, kështu që mos i kaloni ato!”, do të thotë se ka ligjëruar gjëra të detyruara, të pëlqyera dhe të lejuara, ndaj mos i kaloni këto caqe për të shkuar diku tjetër e për të rënë në harame, siç është rasti i trashëgimisë, të cilën Allahu e ka sqaruar në librin e Tij. Askujt nuk i lejohet të kalojë caqet dhe të sjellë një pjesë trashëgimie që bie ndesh me atë që na ka treguar Allahu. Fjala kufi, zakonisht përdoret për veprat që ka ndaluar Allahu, kështu që çdo muslimani i del për detyrë që të mos u afrohet atyre, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në librin e Tij: “Këta janë kufjtë e Allahut prandaj mos iu afroni atyre!”
5 - “Ka ndaluar disa gjëra, ndaj mos i thyeni ato!”, që do të thotë se muslimanëve nuk ju lejohet që të bien prehë e asaj që ka ndaluar Allahu, por atyre u del si detyrë që t’i braktisin, siç thotë Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Largohuni prej asaj që ju kam ndaluar.”
6 - “Ka heshtur për disa çështje nga mëshira ndaj jush e jo nga harresa, ndaj mos hulumtoni rreth tyre”, që do të thotë se ka çështje, për të cilat nuk ka ardhur ndonjë tekst në librin e Allahut, apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij, kështu që nuk duhet të angazhohemi duke hulumtuar, apo duke pyetur rreth tyre. I njëjtë është rasti i të pyeturit rreth Haxhit, nëse është obligim që ta kryejmë çdo vit, pyetje të cilën e kundërshtoi i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), duke i thënë pyetësit: “Më lini në atë që ju lashë sepse ajo që i shkatërroi popujt e mëparshëm ishin polemikat e shumta dhe kundërshtimet që kishin me pejgamberët e tyre.” Po ashtu, i njëjtë është edhe rasti kur njeriu pyet për diçka që nuk është e ndaluar, e si rrjedhojë ajo bëhet e ndaluar për shkak të kësaj pyetjeje. Për rrezikshmërinë e kësaj vepre janë saktësuar hadithe nga Profeti. Gjithashtu, duhet ditur se pas vdekjes së Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk duhet të bëhen pyetje, të cilat përmbajnë ekstremitete dhe ekzagjerime (stërhollime). Për sa i përket kuptimit të fjalës: “Ka heshtur për disa gjëra, duke mos ua obliguar e as duke ua ndaluar, ndaj mos pyesni për to!” Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Mos pyesni për gjëra që sikur t’ju thuheshin haptazi, nuk do t’ju pëlqenin, e nëse do të pyesnit për to kur ju shpallet Kurani, do t’ju bëheshin të qarta. Allahu j’ua ka falur kërshërinë, se Allahu është Falës dhe i Butë. Disa njerëz kanë bërë pyetje të tilla para jush e pastaj u bënë jobesimtarë.” (Suretu Maide, 101-102) Ibn Rexhebi (2/163) thotë: “Përsa u përket çështjeve të lëna në heshtje, fjala është ato çështje që nuk është përmendur lejueshmëria, domosdoshmëria apo ndalimi i tyre, në këtë mënyrë mbetet diçka e falur, për të cilën nuk bën mëkat ai që e kryen. Këtë arsyetim e kanë pohuar hadithet që kemi përmendur këtu, siç është hadithi i Ebu Thealebes, etj.”
7 - Përfitimet e nxjerra nga ky hadith janë:
1 - Legjislacioni i Allahut përmban atë që quhet farz i kërkuar, e që duhet praktikuar dhe jo të lihet pas dore.
2 - Duhet t’u përmbahemi detyrimeve, veprave të pëlqyera dhe të lejuara, por pa i kaluar caqet drejt veprave të ndaluara.
3 - Muslimani duhet të braktisë çdo gjë që ka ndaluar Allahu dhe të largohet pëfundimisht prej saj.
4 - Gjërat për të cilat nuk ka ardhur argument për ndalimin, apo lejimin e tyre, janë të falura dhe nuk duhet të pyesim rreth tyre.