Hadithi - 13
13 - Nuk beson ndonjëri prej jush derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për vete.
Ebu Hamza Enes bin Malik (radijAllahu ‘anhu), shërbëtori i të Dërguarit të Allahut, transmeton se Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Askush nga ju nuk beson, derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
1 - Në këtë hadith Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ia mohon besimin e plotë të detyrueshëm një muslimani, derisa ai të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete. Ky kusht ka të bëjë me çështjet e dynjasë dhe të ahiretit. Këtu përfshihet edhe sjellja e tij me njerëzit, ashtu siç dëshiron që njerëzit të sillen me të. Abdullah bin Amr bin Asi transmeton një hadith të gjatë në Sahihun e Muslimit me nr. 1 844: “Kush dëshiron t’i largohet zjarrit le ta gjejë vdekja duke besuar te Allahu dhe bota tjetër dhe le t’iu japë njerëzve atë që dëshiron t’i japin atij.” Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), të cilët kur matin për vete e marrin masën të plotë, ndërsa kur u matin të tjerëve me litër ose me kandar ua pakësojnë.” (Suretu Mutafifin, 1,3)
2 - Hafidh Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (1/306) thotë: “Hadithi i Enesit pohon se besimtarin duhet ta gëzojë ajo që e gëzon vëllanë e tij besimtar dhe të dojë për të, atë të mirë që dëshiron për veten e tij. E gjithë kjo arrihet kur zemrat janë të ruajtura nga mllefi, dredhia dhe zilia. E themi këtë sepse zilia e shtyn njeriun të urrejë faktin që dikush të jetë më sipër se ai për ndonjë vepër të mirë, apo që të jetë në një gradë me të. Ai kërkon të dallohet nga të tjerët me vlerat e tij dhe të veçohet nga të gjithë me këto vlera, ndërsa imani kërkon të kundërtën; kërkon që të gjithë besimtarët ta shoqërojnë atë në mirësitë që i ka dhuruar Allahu pa i lënë mangët asgjë.” Në një vend tjetër (1/308) ai shprehet kështu: “Në përgjithësi besimtarit i kërkohet që të dojë për besimtarët, atë që do për veten e tij dhe të urrejë për ta, atë që urren për veten e tij. Për këtë arsye, nëse vëren tek vëllai i tij ndonjë të metë duhet të angazhohet në përmirësimin e saj.”
3 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:
1 - Besimtari duhet të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete dhe të urrejë atë që urren për veten e tij.
2 - Kusht për të arritur këtë gradë është se atij i mohohet besimi i plotë i domosdoshëm, derisa të jetë i tillë.
3 - Besimtarët janë në shkallë të ndryshme në besimin e tyre.
4 - Përdorimi i fjalës “vëllanë e tij” është formë zbutëse për muslimanin, në mënyrë që të bëjë për vëllanë e tij atë që i kërkohet.