Hadithi - 39
39 - Allahu ia ka falur umetit tim ato që bëhen nga gabimi dhe harresa.
Ibn Abasi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu nuk ia merr në konsideratë umetit tim gabimet e paqëllimshme, harresën dhe veprat që i kryejnë nën presion.” Hadithi është i saktë. Transmeton Ibn Maxheh, Bejhakiu
1 - Umeti i profetit tonë Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është dy llojesh: umeti që duhet ftuar në fe dhe umeti që i është përgjigjur kësaj ftese. Në umetin që duhet ftuar në fe përfshihet çdo njeri dhe xhind, që nga koha kur u dërgua Muhamedi e deri në Ditën e Kiametit. Ndërsa umeti që i është përgjigjur kësaj thirrjeje janë ata që Allahu u ka dhënë sukses për të hyrë në fenë e pastër, duke u bërë muslimanë. Qëllimi me umetin që përmendet në hadith është umeti që i është përgjigjur thirrjes. Prej shembujve që flasin për umetin që duhet ftuar në Islam është hadithi i Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ku thotë: “Betohem në Allahun se çdo njeri që dëgjon për mua, qoftë çifut apo I krishterë dhe nuk i beson asaj, me të cilën u dërgova, ai do të jetë nga banorët e zjarrit.” (E transmeton Muslimi me nr. 153)
Gabim konsiderohet kryerja e një vepre pa qëllim, ndërsa harresa është kur e di diçka por e harron në kohën kur të është kërkuar që ta veprosh. Ndërsa presioni është imponimi që i bëhet dikujt me anë të fjalëve apo veprave. Që do të thotë se njeriu nuk ngarkohet me mëkat në këto tri raste. Argumentet nga libri i Allahut janë përmendur në pohimin e këtij fakti. Allahu i Madhëruar duke përmendur lutjen e besimtarëve thotë: “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim!” (Suretu Bekare, 286) Pas kësaj Allahu i Madhëruar tha: “Po, e pranova.” Transmeton Muslimi me nr. 126. Gjithashtu thotë: “Ju nuk ngarkoheni me mëkat për gabimet e paqëllimshme, por ngarkoheni për gjërat e qëllimshme.” Dhe: “Përveç atij që është i detyruar me forcë ndërkohë që zemra e tij është plot besim. Ndërsa ata që ia hapin zemrën mosbesimit, do të kenë mbi vete zemërimin e Allahut dhe një dënim të madh.” (Suretu Nahl, 106) Përsa i përket gjërave që i dëmton tjetrit, ai ngarkohet dhe është përgjegjës, siç është rasti kur vret dikë gabimisht. Në këtë rast, ai urdhërohet që ta shpaguajë dhe ta shlyejë atë (duke agjëruar). Nga ana tjetër, nëse nën presion, kryen imoralitet apo vret dikë të pafajshëm, kjo nuk i lejohet që ta bëjë sepse nuk duhet të ruajë jetën e tij, duke vrarë të tjerët.
2 - Përfitimet që nxirren nga ky hadith janë:
1 - Mëshira e madhe e Allahut dhe mirësia e Tij ndaj robërve, e kjo duke mos i ngarkuar ata me mëkat në këto tri gjëra.
2 - Mosmarrja në konsideratë e gabimit të paqëllimshëm, por nëse gabimi bëhet në lënien e një detyrimi, apo duke hyrë në të drejtat e një tjetri, në këtë rast është përgjegjës.