Hadithi - 04





04 - Secili prej jush krijohet në barkun e nënës së tij.

 

Ebu AbduRrahman Abdullah bin Mesudi (radijAllahu ‘anhu) transmeton kështu: “I Dërguari i Allahut, ai që fliste gjithmonë të vërtetën e që është i besueshëm na ka treguar: “Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së tij, duke qëndruar dyzet ditë si pikë e lëngshme (nutfetun), pastaj, po për aq ditë bëhet copëz gjaku (alekatun), e më pas, po për aq kohë bëhet copë mishi, pas kësaj i dërgohet një engjëll që e frymëzon me shpirt dhe këtij engjëlli i urdhërohet që të shkruajë katër gjëra: Të shkruajë riskun e fëmijës, exhelin (sa do të jetojë), veprat (për këtë botë) dhe fatin. Betohem në Allahun që s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, se disa nga ju do të bëjnë vepra të banorëve të Xhenetit, derisa ndërmjet tyre dhe Xhenetit t’i ndajë një parakrah dhe aty do të ngadhënjejë ajo që është shkruar, e kështu do fillojnë të praktikojnë vepra të njerëzve të zjarrit, derisa të hyjnë në të. Gjithashtu disa nga ju do të kryejnë punë të banorëve të zjarrit, derisa ndërmjet tyre dhe zjarrit të ketë vetëm një parakrah hapësirë, e aty do të ngadhënjejë ajo që është shkruar, e si rrjedhojë do punojë vepra të njerëzve të Xhenetit dhe do të hyjë në të.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

1 - Fjala e Ibn Mesudit: “Ai që fliste gjithmonë të vërtetën e që është i besueshëm”, do të thotë i sinqerti, i vërteti kur fliste dhe i besueshmi në atë që i kumtohej prej shpalljes. Ibn Mesudi i tha këto fjalë sepse çështjet që trajton ky hadith kanë të bëjnë me gjëra të gajbit (të fshehta), të cilat njihen vetëm nëpërmjet shpalljes.

2 - Falët e hadithit: “Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së tij”, disa i kanë komentuar me fjalët: “Lëngu i burrit bashkohet me atë të gruas në mitrën e saj dhe prej tyre krijohet njeriu”, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar në librin e Tij: “Është krijuar prej një lëngu që hidhet.” (Suretu Tarik, 6)

Gjithashtu thotë: “A nuk ju kemi krijuar nga një pikë lëngu të shpërfillur, të cilën e vumë në një vend të sigurt (mitër)” (Suretu Murselat, 20-21) Kuptimi i fjalës krijim është lënda prej së cilës është krijuar njeriu sepse në Sahihun e Muslimit me nr. 1 438 transmetohet se Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Fëmija nuk krijohet nga i gjithë lëngu.”

3 - Në këtë hadith përmenden etapat e krijimit të njeriut, të cilat vijnë të radhitura në këtë formë: Së pari kur është pikë e lëngshme, pra sasi shumë e vogël. Së dyti copëz gjaku, pra është gjak i trashë dhe i ngjizur. Së treti copëz mishi, në atë masë sa mund ta përtypë një njeri që ushqehet. Allahu i Madhëruar këto tri etapa i ka përmendur në fjalën e Tij ku thotë: “O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë.” (Suretu Haxh, 5)

Që do të thotë të formuar ose të paformuar. Prej ajeteve që i trajtojnë më së shumti etapat e krijimit të njeriut është fjala e Allahut të Lartësuar në suren Muminun: “Me të vërtetë Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). I lartësuar qoftë Allahu, Krijuesi më i përsosur!” (Suretu Muminun, 12-14)

4 - Në hadith thuhet se pasi të kalojnë këto tri etapa e që llogariten të jenë 120 ditë, pas kësaj i frymëzohet shpirti, e kështu bëhet njeri i gjallë, e para kësaj ai ishte i vdekur. Në Kuranin famëlartë tregohet se njeriu ka dy jetë dhe dy vdekje, siç thotë Allahu i Msadhëruar kur flet për mohuesit: “Ata thanë: O Zoti ynë, na dhe vdekje dy herë dhe na ngjalle dy herë!” Vdekja e parë është koha para se njeriu të frymëzohet me shpirt, ndërsa jeta e parë është kur i frymëzohet shpirti, e derisa të arrijë exhelin (afatin e caktuar). Vdekja e dytë është që pas vdekjes e deri në ringjallje dhe kjo vdekje nuk bie ndesh me jetën e varrit që është e pohuar në Kuran dhe Sunet. Ndërsa jeta e dytë është jeta pas ringjalljes e cila është e përhershme dhe e pafund. Këto katër gjendje të njeriut i ka sqaruar Allahu me fjalën e Tij: “Ai ju dha jetë dhe pastaj do t’ju bëjë të vdisni, e më vonë do t’ju ringjallë. Me të vërtetë, njeriu është mosmirënjohës.” (Suretu Haxh, 66) Gjithashtu thotë: “Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë, e në fund do të ktheheni tek Ai?!” (Suretu Bekare, 28)

Nëse foshnja lind i vdekur pasi i është frymëzuar shpirti, atëherë mbi të kryhen të gjitha dispozitat e lindjes së një fëmije, kjo duke e larë dhe duke i falur namazin. Gjithashtu, gruaja e përfundon me këtë lindje afatin e saj që pret sido që të jetë foshnja; vajzë apo djalë. Gjithashtu, nëna konsiderohet lehonë. Por, nëse foshnja lind para kësaj kohe, atëherë për të nuk kryhen këto dispozita.

5 - Pasi që engjëlli shkruan riskun, exhelin, gjininë dhe fatin, qysh në këtë moment gjinia e foshnjës nuk konsiderohet ndër të fshehtat që di vetëm Allahu, për arsye se engjëlli tashmë e di atë. Kësisoj, nuk është e pamundur që të mësohet gjinia e foshnjës.

6 - Paracaktimi i Allahut është vendosur për çdo gjë që do të ndodhë. Ajo që merret parasysh për lumturinë apo shkatërrimin e njeriut është gjendja e njeriut gjatë vdekjes.

7 - Gjendjet e njerëzve, përsa i përket fillimit dhe mbarimit të jetës janë katër:

E para: Ai që fillimin dhe mbarimin e jetës e ka pasur të mirë.

E dyta: Ai që fillimin dhe mbarimin e jetës e ka pasur të keq.

E treta: Ai që fillimin e jetës e ka pasur të mirë, por fundin të keq, siç është rasti i një njeriu që rritet nën bindjen ndaj Allahut dhe para se të vdesë, heq dorë nga Islami dhe vdes si mohues.

E katërta: Ai që fillimin e ka pasur të keq, ndërsa fundin të mirë, siç ishte rasti i magjistarëve të Faraonit, të cilët besuan në Zotin e Harunit dhe Musait, apo siç ishte rasti i jehudiut që i shërbeu Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Atë e vizitoi i Dërguari i Allahut në kohën që ishte i sëmurë dhe i tregoi për Islamin dhe ai e pranoi atë. Pas kësaj i Dërguari i Allahut tha: “Falënderimi i qoftë Allahut që e shpëtoi nga zjarri.” Ky hadith transmetohet në Sahihun e Buhariut me nr. 1 356. Për dy rastet e fundit flet hadithi, të cilin po e komentojmë.

8 - Hadithi pohon se njeriu bën ato vepra që i sjellin lumturinë ose shaktërrimin me vullnetin e tij të plotë, e megjithatë ai nuk mund të dalë nga dëshira dhe vullneti i Allahut. Kështu që, ai është i lirë në kuptimin që vepron me dëshirën e tij dhe është i komanduar në kuptimin që nuk ndodh gjë prej tij nëse atë nuk e ka dashur Allahu. Ky hadith i ka pohuar të dyja rastet sepse para vdekjes ndodh që të ngadhënjejë ajo që është shkruar e kështu ai kryen vepra të banorëve të Xhenetit ose vepra të banorëve të zjarrit.

9 - Njeriu duhet të jetojë mes frikës dhe shpresës, sepse njeriu gjatë jetës mund të bëjë shumë vepra të mira, por mund të ndodhë që fundin e jetës ta ketë shumë të keq. Gjithashtu, ai nuk duhet ta shuajë shpresën sepse njeriu mund të kryejë vepra të këqija për një kohë të gjatë e më pas, Allahu ta begatojë duke i dhurar udhëzimin, e në këtë mënyrë të udhëzohet në fund të jetës së tij.

10 - Neveviu, duke e komentuar këtë hadith, shprehet kështu: “Nëse dikush citon fjalët e Allahut të Madhëruar: “Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve.” (Suretu Kehf, 30) Nga kjo kuptohet se puna e mirë që bëhet nga njeriu i sinqertë pranohet, e nëse arrin të pranohet edhe nga Allahu me këtë rast ky njeri sigurohet nga përfundimi i keq. Ne këtyre fjalëve u përgjigjemi në dy forma:

E para: Mundet që kjo të jetë e lidhur me kushtet e pranimit dhe përfundimit të mirë, por mundet të jetë edhe fakti se ai që beson dhe veprat e tij i kryen me sinqeritet, gjithmonë ky njeri do ta ketë përfundimin të mirë.

E dyta: Përfundimi i keq është për ata që i prishin punët, duke i përzier të mirat me lloje të ndryshme të syfaqësisë. E për këtë tregon hadithi tjetër që thotë: “Vërtet ndonjëri nga ju kryen vepra të banorëve të Xhenetit për syefaqe të njerëzve”, d.m.th. në atë që njerëzit shohin nga devotshmëria e jashtme, edhe pse gjendja e tij e brendshme është e keqe dhe jo e pastër, e për këtë Allahu e di më mirë.”

11 – Disa nga përfitimet që nxjerrim nga ky hadith janë:

1 - Hadithi shpjegon etapat e krijimit të njeriut në barkun e nënës.

2 - Frymëzimi i shpirtit kryhet pas 120 ditëve dhe pas kësaj periudhe konsiderohet krijese njerëzore.

3 - Disa engjëj janë caktuar me ecurinë e foshnjës në mitrën e nënës.

4 - Besimi në Gajb (të fshehtën).

5 - Besimi në paracaktimin e Allahut dhe se me dijen e Tij ka përfshirë çdo gjë që do të ndodhë.

6 - Lejohet që njeriu të betohet, edhe pse nuk i kërkohet diçka e tillë, e kjo për të përforcuar fjalën që thotë.

7 - Veprat vlerësohen sipas përfundimeve.

8 - Njeriu duhet të bashkojë mes frikës dhe shpresës. Ai që vepron mirë duhet të ketë frikë nga përfundimi i keq, ndërsa ai që bën keq nuk duhet ta humbasë shpresën nga mëshira e Allahut.

9 - Veprat janë shkak për hyrjen në Xhenet ose në Xhehenem.

10 – Nëse për dikë është shkruar të jetë i pafat, askush në këtë botë nuk mund të ketë dijeni, e njëjta gjë është edhe për atë që është shkruar të jetë me fat.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free