Hadithi - 07
07 - Feja është këshillë.
Ebu Rukaje Temim bin Eus ed Dari (radijAllahu ‘anhu) transmeton se Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Feja është këshillë.” E pyetën: “Për cilin, o i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “Për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, për imamët (prijësat, sunduesit) e muslimanëve, dhe për të gjithë njerëzit e thjeshtë.” Transmeton Muslimi.
1 - Fjala e Profetit: “Feja është këshillë” janë fjalë gjithpërfshirëse që pohojnë rëndësinë që ka këshilla në fe se ajo është baza dhe shtylla që e mban atë. Në këtë kuadër ka zbritur edhe hadithi i Xhibrilit ku i Dërguari i Allahut e komenton Islamin, imanin dhe ihsanin me të gjithë fenë duke thënë: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.” I ngjashëm me të është edhe kjo fjali ku Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë: “Haxhi është qëndrimi në Arafat”, duke qenëse Arafati është shtylla më e madhe e Haxhit, pa të cilën Haxhi nuk ka vlerë.
2 - Në librin Mustehrexh të Ebu Auanes transmetohet se Profeti këtë fjali; “Feja është këshillë” e ka përsëritur tri herë, ndërsa në Sahihun e Muslimit, ajo transmetohet pa u përsëritur. Shokët e Profetit kur vunë re këtë kujdes dhe rëndësi që i kushtohej këshillës dhe kuptuan gradën e saj të lartë pyetën: “Për kë, o i Dërguari i Allahut?” Ndërsa ai u përgjigj duke renditur pesë të referuarve në hadith. Një grup i madh dijetarësh e kanë komentuar hadithin, por prej atyre që e ka komentuar më mirë është Ebu Amr bin Salahu në librin e tij Sijanetu sahihi Muslim minel Ihlali uel Galati ue himajetuhu minel iskati ue sakat. Në fq. 223 - 224 ai shprehet kështu: “Këshilla është një fjalë gjithpërfshirëse, e cila kërkon prej këshilluesit që të këshillojë në format më të mira, si për nga dëshira, ashtu edhe në praktikë. Këshilla që bëhet për Allahun e Madhëruar do të thotë; ta njësosh Atë, ta cilësosh me cilësitë e plota dhe të bukura dhe ta pastrosh nga punët që bien ndesh me to. T’u largohet punëve të ndaluara nga Ai, të praktikojë me sinqeritetin më të madh bindjen ndaj Tij dhe adhurimin që Ai do. Të dojë dhe të urrejë për hir të Tij, t’i luftojë ata që e mohojnë Atë, etj. T’i ftojë dhe t’i nxisë të tjerët për të kryer këto vepra.
Ndërsa këshilla për librin e Tij do të thotë: të besojë, ta madhërojë dhe ta nderojë atë, ta lexojë ashtu siç duhet, të qëndrojë aty ku urdhërohet dhe jo aty ku ndalohet, të kuptojë dituritë dhe shembujt e tij, duke i ftuar edhe të tjerët. T’i dalë në mbrojtje këtij libri, kundrejt shtrembërimeve të ekstremistëve dhe sharjeve të mohuesve. Këshilla për Profetin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është e përafërt me atë që thamë më sipër: të besosh te Profeti dhe te ajo që i zbriti atij, ta nderosh, ta respektosh, t`i bindesh atij, të ringjallësh Sunetin (traditën) e tij, si dhe të mësosh njohuritë që ai la pas duke i përhapur tek të tjerët. Të urresh cilindo që e urren atë dhe Sunetin e tij dhe të duash cilindo që e do atë dhe Sunetin e tij. Të pajisesh me moralin e tij dhe të ndjekësh sjelljet e tij, të duash shokët dhe familjen e tij, etj. Këshilla për prijësit e muslimanëve, do të thotë: t’i ndihmosh në rrugën e drejtë dhe t’u bindesh, t’i këshillosh me butësi dhe mëshirë, të distancohesh nga kryengritjet që u bëhen atyre, të lutesh që Allahu t’u japë sukses dhe t’i nxisësh njerëzit fisnikë për këtë gjë. Te këshilla për njerëzit në përgjithësi bëjnë pjesë ata që nuk përfshihen tek udhëheqësit, e kjo do të thotë t’i udhëzojmë drejt të mirave, t’u mësojmë gjërat e fesë dhe të dunjasë. T’u mbulojmë të metat, t’i ndihmojmë kundër armiqve dhe t’u dalim krah, të distancohemi nga dredhitë dhe zilia për ta, të duam për ta atë që duam për vetet tona dhe të urrejmë për ta atë që urrejmë për vetet tona etj.”
3 - Përfitimet që nxjerrim nga ky hadith janë:
1 - Rëndësia e madhe që ka këshilla në fe.
2 - Në hadith sqarohet se për kë duhet të bëhet këshilla.
3 - Nxitja që këshilla të fokusohet në këto pesë gjëra që u përmendën në hadith.
4 - Vërehet kujdesi i sahabëve për të mësuar çështjet e fesë.
5 - Fe i thuhet edhe punës sepse në hadith Profeti e quajti këshillën fe.