Hadithi - 25





25 - Na i morën të pasurit të gjitha shpërblimet.

 

Ebu Dherri (radijAllahu ‘anhu) transmeton se disa nga shokët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut! Pasanikët na e kaluan në shpërblime, falen dhe agjërojnë si ne dhe japin sadaka me tepricën e pasurisë së tyre. I Dërguari i Allahut u tha: “A nuk u ka mundësuar Allahu që dhe ju të keni me çfarë të bëni sadaka? Vërtet, çdo tesbih (lavdërim Allahut) është sadaka, çdo tekbir (madhërim Allahut) është sadaka, çdo tahmid (falënderim Allahut) është sadaka, çdo tehlil (dëshmia: La ilahe ila Allah) është sadaka. Urdhërimi për të mirë është sadaka, ndalimi nga të këqijat është sadaka, edhe marrëdhëniet seksuale (bashkëshortore) janë sadaka”. Njerëzit i thanë: “O i Dërguari i Allahut, edhe kur ndonjëri prej nesh kryen marrëdhënie epshore ka shpërblim?” Ai u tha: “Më thoni nëse dikush epshin e tij e përdor në haram, a nuk ka mëkat për të? Po ashtu, nëse e përdor në hallall do të ketë shpërblim.” Transmeton Muslimi.

1 - Shokët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) janë njerëzit që tregojnë kujdesin më të madh për punët e hajrit, duke i paraprirë të gjithë njerëzit në të mira. Ata garonin me punët e mira dhe gjithsecili dëshironte t’i bashkangjitej atij që e ka paraprirë me ndonjë shpërblim. Për këtë arsye, një grup nga të varfërit e shokëve të Profetit i treguan të Dërguarit të Allahut namazin dhe agjërimin që bënin të pasurit bashkë me ta, si dhe diferencën që i dallonte ata, për shkak të sadakasë që jepnin nga pasuria që u tepronte. Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i udhëzoi duke iu treguar ekzistencën e shumë lloje sadakash, të cilat mund t’i venë në zbatim edhe të varfërit, si dhikret, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, etj.

2 - Sadakatë, për të cilat Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i udhëzoi të varfërit që t’i praktikojnë, ndahen në dy kategori: në kategorinë e parë bëjnë pjesë ato sadaka dobia e së cilave u kthehet vetë atyre (personave që e praktikojnë), siç është; tesbihu, tahmidi dhe tehlili. Nga ana tjetër, ekziston një kategori tjetër sadakaje, dobia e e së cilës jep efekte edhe tek të tjerët, pra dobia në këtë rast është e dyfishtë si për ata që e japin, ashtu edhe për ata që e marrin. Këtu bën pjesë urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, si dhe raportet intime mes bashkëshortëve.

3 - Ndër veprat e lejuara që njeriu kryen, me anë të të cilave ruan veten, mund të konsiderohen adhurime nëse nijeti është i mirë, ashtu siç është rasti kur njeriu kryen marrëdhënie intime me bashkëshorten, nëse me këtë vepër ai ka për qëllim ruajtjen e vetes dhe të familjes nga imoraliteti, si dhe lindjen e fëmijëve.

4 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:

1 - Kujdesi që tregonin sahabët në kryerjen e veprave të mira, si dhe garimin që bënin njëri - tjetrin me të mira.

2 - Sadakaja nuk është e kufizuar vetëm në dhënien e e pasurisë, edhe pse kjo është origjina e saj.

3 - Inkurajimi për të bërë tesbih, tekbir, tahmid dhe tehlil, si sadakaja që muslimani bën për veten e tij.

4 - Ai që nuk mund të kryejë ndonjë adhurim për shkak të pamundësisë, duhet t’i shpeshtojë ato adhurime që ka mundësi të kryejë.

5 - Inkurajimi i myslimanit që të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, duke qenë se kjo vepër konsiderohet sadaka, jo vetëm për të tjerët, por edhe për të.

6 - Raporti intim me nijet të mirë konsiderohet sadaka për atë dhe të tjerët.

7 - Dijetari mundet t’u kthehet edhe njëherë fjalëve që ka thënë, me qëllim që të sigurohet.

8 - Pohimi i kijasit (analogjisë) si bazë e saktë argumentimi, sepse Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) shëmbëlleu miratimin e shpërblimit të atij që kryen marrëdhënie të lejuara intime, me marrjen e mëkateve nëse njeriu kryen marrëdhënie të ndaluara. Kijasi (analogjia) që përdoret në këtë hadith është ai që quhet; analogji me të anasjelltën.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free