Hadithi - 06
06 - Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë.
Ebu Abdullah en Numan bin Beshiri (radijAllahu ‘anhu) transmeton duke thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Vërtet e lejuara (hallalli) është e qartë, po ashtu edhe e ndaluara (harami) është e qartë. Ndërmjet tyre qëndrojnë punët e dyshimta që shumë njerëz nuk kanë njohuri rreth tyre. Ai që ruhet nga punët e dyshimta me këtë veprim ka ruajtur fenë dhe nderin e tij, ndërsa ai që nuk ruhet nga punët e dyshimta, si rrjedhojë bie edhe në vepra të ndaluara (haram). Si shembulli i një bariu që ruan kopenë përreth vendit (kullotës) të ndaluar, ku kopeja mund t’i iki dhe të kullosë në të. Ta dini se çdo sundues e cakton kufirin e ndaluar për të tjerët, ndërsa kufiri që ka vënë Allahu janë ndalesat (haramet) e Tij. Vini re! Në trup ndodhet një organ, i cili kur është i shëndetshëm,gjithë trupi është i shëndetshëm, e kur sëmuret ai, atëherë i tërë trupi sëmuret. Ai organ është zemra!” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
1 - Fjalët e Profetit: “Vërtet e lejuara (hallalli) është e qartë, po ashtu edhe e ndaluara (harami) është e qartë. Ndërmjet tyre qëndrojnë vepra të dyshimta që shumë njerëz nuk kanë njohuri rreth tyre.” tregojnë për ndarjen e veprave në tri grupe:
Grupi i parë: Hyjnë veprat e lejuara të qarta siç janë: drithërat, frytet, kafshët dhe bagëtitë, gjithmonë nëse njeriu nuk i fiton ato jo në rrugë të ndaluar.
Grupi i dytë: Hyjnë veprat e ndaluara të qarta, siç janë: pirja e alkoolit, ngrënia e ngordhësirës, martesa me individë që ka ndaluar Allahu. Këto dy grupe janë të njohura nga të gjithë njerëzit.
Grupi i tretë: Hyjnë veprat e dyshimta që ndodhen mes hapësirës së veprave të lejuara dhe atyre të ndaluara, pra nuk konsiderohen vepra të lejuara qartësisht, e as të ndaluara qartësisht. Për këtë fakt, shumë njerëz nuk kanë dijeni, por ka prej tyre që dinë.
2 - Fjalët e Profetit: “Ai që ruhet nga veprat e dyshimta, ka ruajtur kështu, fenë dhe nderin e tij, ndërsa ai që si pasojë e kryerjes së veprave të dyshimta, përfundon në vepra të ndaluara (harame). Si shembulli i një bariu që ruan kopenë përreth vendit (kullotës) të ndaluar,e ku kopeja mund të kullosë edhe në të. Ta dini se çdo sundues e cakton kufirin e ndaluar për të tjerët, ndërsa kufiri që ka vënë Allahu janë veprat e ndaluara (haramet) prej Tij.”
Fjala e mësipërme i referohet grupit të tretë që ka të bëjë me veprat e dyshimta, prej të cilave njeriu duhet të distancohet. Nëse vepron kështu ai me këtë ruan fenë që ka mes tij dhe Allahut, si dhe ruan nderin që ka mes tij dhe njerëzve. Në këtë mënyrë njerëzit nuk do të gjejnë mënyrë për të folur në nderin e tij. Por nëse ai tregohet tolerant duke rënë në gjëra të dyshimta, kjo gjë e shpie atë drejt harameve të qarta. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) solli shembullin e një bariu që kullot bagëtinë përreth një vendi të ndaluar, e nëse ai do qëndronte larg këtij vendi atëherë edhe bagëtia e tij do ruheshin dhe nuk do shkonin në kullotën e ndaluar. Por nëse ai qëndron afër saj atëherë edhe bagëtia e tij do kullosin në vendin e ndaluar, pa e kuptuar ai. Qëllimi i kufirit është ajo që vendosin sunduesit apo të tjerët për të ruajtur tokat pjellore, dhe për t’i ndauar të tjerët që t’u afrohen. Prandaj ai që kullot bagëtinë afër tyre pritet që bagëtia të kullosë aty e në këtë mënyrë ta çojë veten drejt ndëshkimit. Ndërsa kufijtë e Allahut janë të ndaluarat e tij prandaj njeriut i kërkohet që të largohet prej tyre, si dhe nga gjërat e dyshimta të cilat e shpien njeriun drejt të ndaluarave.
3 - Fjalët e Profetit: “Vini re! Në trup ndodhet një (mudgah) organ, i cili kur është i shëndetshëm, i tërë trupi nuk sëmuret, e ku nuk është i shëndetshëm, atëherë i tërë trupi sëmuret. Ai organ është zemra!”
Termi Mudgah i përmendur në hadith përkthehet: një copëz mishi në madhësinë e kafshatës që mund të përtypë njeriu. Këtu vërehet rëndësia e madhe e zemrës për trupin, duke konsideruar organin kryesor për nga rëndësia dhe se trupi përmirësohet me përmirësimin e saj dhe përkeqësohet me përkeqësimin e saj.
4 - Neveviu ka thënë: “Në fjalën e Profetit: “Ndërsa ai që bie në vepra të dyshimta, si rrjedhojë bie edhe në vepra të ndaluara (harame)”, nënkuptojmë dy gjëra:
E para: Besimtari bie në haram, duke menduar se ajo vepër nuk është haram.
E dyta: Besimtari i është afruar shumë haramit, me qëllim për të rënë në haram, ashtu sikurse është thënë: “Mëkatet shpien drejt kufrit.” Kjo, për faktin që nefsi kur bie prehë e një mëkati fillon të përshkallëzohet nga një e keqe, drejt një tjetre akoma më të madhe se e para. Është thënë: “Këtë shenjë Allahu na i ka treguar duke na thënë: “Kjo ishte për shkak se mohuan shpalljet e Tij dhe pa kurrfarë të drejte i vrisnin profetët. Kjo ishte për shkak se ata nuk u bindën dhe i kaluan kufijtë (në të këqija).” (Suretu Ali Imran, 112)
Në këtë ajet Allahu tregon se mëkatet i shpien njerëzit në vrasjen e profetëve, ndërsa në një hadith tjetër Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë: “Allahu e mallkoftë atë vjedhës që vjedh një vezë dhe i pritet dora, gjithashtu vjedh një litar dhe i pritet dora.” (Qëllimi i hadithit është se i bëhet vjedhja ves dhe zakon, duke e nisur me gjëra të vogla, për të cilat nuk ka masë ndëshkimore, por që më pas ky ves nuk ndalon derisa e çon atë të vjedhë diçka për të cilën ndëshkohet me masën e parashikuar në sheriat për hajdutin) Ku tregon se veprimi i tij përshkallëzohej nga veza dhe litari, drejt vjedhjeve më të mëdha.
5 - Numan bin Beshiri (radijAllahu ‘anhu) ishte sahab në moshë të vogël, madje kur i Dërguari i Allahut ndërroi jetë, ai ishte vetëm tetë vjeç. Në këtë transmetim ai thotë: “E kam dëgjuar Profetin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të thotë....” që tregon se fjalët e fëmijës që ka arritur të dallojë (Mosha e dallimit të së mirës nga e keqja, të së drejtës nga e gabuara, pra mosha që i përafrohet pubertetit), apo që i ka memorizuar (fjalët e Profetit) në kohën e fëmijërisë dhe i transmeton në moshë madhore, janë të pranuara dhe merren në konsideratë-. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për jobesimtarin, i cili ka mësuar diçka në kohën e kufrit dhe e tregon atë në kohën kur ka pranuar Islamin.
6 - Përfitimet që nxjerrim nga ky hadith janë:
1 - Sqarimi i ndarjeve të gjërave në legjislacionin Islam në të lejuara, të ndaluara, dhe të dyshimta të cilat varjojnë mes dy të parave.
2 - Të dyshimtat nuk i dinë shumë njerëz, edhe pse disa të tjerë i dinë ato bashkangjitur me argumentet përkatëse.
3 - Nuk duhet t’i afrohemi të dyshimtës derisa të na bëhet e qartë se është e lejuar.
4 - Dhënia e shembujve për të pohuar kuptimet figurative duke i krahasuar me gjëra reale.
5 - Kur njeriu bie në gjëra të dyshimta i bëhet mjaft e lehtë që të praktikojë edhe të ndaluarat që janë të qarta.
6 - Në hadith shihet vendi i rëndësishëm që zë zemra dhe se gjymtyrët e ndjekin atë. Ato përmirësohen me përmirësimin e saj dhe prishen me prishjen e saj.
7 - Shthurja e pamjes së jashtme është argument për shthurjen e gjendjes së brendshme.
8 - Distancimi nga të dyshimtat e ruan fenë e njeriut nga mangësitë, si dhe nderin e tij nga turpet dhe sharjet.