Hadithi - 05





05 - Kush shpik në fenë tonë çfarë nuk është prej saj, është e refuzuar.

 

Nëna e besimtarëve Umu Abdilah, Aisha (radijAllahu ‘anha) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk i përket asaj, atëherë ajo punë nuk pranohet (nga Allahu).” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ndërsa Muslimi në versionin e tij transmeton: “Kush kryen një punë që nuk përputhet me fenë tonë, ajo do t’i refuzohet.”

1 - Ky hadith është bazë mbi të cilin peshohen veprat e dukshme të njeriut. Ato nuk merren parasysh vetëm se atëherë kur janë në përputhje të plotë me legjislacionin Islam. Ashtu sikurse edhe hadithi: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve”, i cili është bazë për veprat e fshehta të njeriut. Prandaj, çdo punë me të cilën njeriu afrohet tek Allahu duhet të jetë e pajisur me sinqeritet për hir të Allahut dhe nijeti i tij të merret në konsideratë.

2 - Nëse disa adhurime siç janë: abdesi, gusuli nga xhunubllëku, namazi etj., kryhen në kundërshtim me legjislacionin, atëherë ato konsiderohen të papranuara dhe nuk merren në konsideratë. Gjithashtu, nëse diçka merret me marrëveshje të pavlefshme, në mënyrë të paligjshme, padrejtësisht, atëherë ajo gjë duhet t’i kthehet të zotit dhe nuk mund ta ketë në pronësinë e tij. Këtë që thamë e pohon ndodhia e Asifit ku i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i drejtohet babait të tij (Asifit) duke i thënë: “Përsa u përket qengjave dhe deleve ato të përkasin ty.” (E transmeton Buhariu me nr. 2 695 dhe Muslimi me nr. 1 697)

3 - Gjithashtu, hadithi pohon se cilido që shpik një bidat që nuk ka bazë në fe, i kthehet mbrapsht dhe meriton dënimin e Allahut, sepse i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)duke folur për Medinën ka thënë: “Kush shpik në të ndonjë bidat apo strehon një bidatçi, mbi të qoftë mallkimi i Allahut, engjëjve dhe i gjithë njerëzve.” (E Transmeton Buhariu me nr. 1 870 dhe Muslimi me nr. 1 366)

4 - Versioni i dytë që shënohet tek Muslimi është më i përgjithshëm se transmetimi që shënohet në dy librat e saktë (Të Buhariut dhe Muslimit).

E themi këtë sepse ai përfshin çdo njeri që e praktikon bidatin sido që të jetë; e ka shpikur vetë, apo e kanë shpikur të tjerët para tij ose edhe kur është ndjekës i atij që e ka shpikur.

5 - Kuptimi i fjalës në hadith “e refuzuar” do të thotë i kthehet mbrapsht. Me fjalë të tjera; ajo është vepër e kotë dhe nuk merret në konsideratë.

6 - Hadithi nuk i përfshin interesat që përdoren në ruajtjen e fesë, apo që ndihmojnë në kuptimin dhe mësimin e saj, ashtu siç ishte rasti i tubimit të Kuranit në libra, shkrimi i njohurive të gjuhës e gramatikës, etj.

7 - Hadithi pohon refuzimin e çdo vepre që bie ndesh me legjislacionin, edhe nëse qëllimi i praktikuesit është i mirë. Argument për këtë është edhe hadithi që tregon për sahabin që theri kurbanin e tij para namazit të Bajramit dhe Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha: “Kafsha jote pati vlerë vetëm për mish.” (E Transmeton Buhariu me nr. 955 dhe Muslimi me nr. 1 961)

8 - Ky hadith me frazat e tij pohon se çdo vepër që nuk është në përputhje me legjislacionin është e refuzuar. Ndërsa në aspektin kuptimor pohon se çdo vepër që kryhet në përputhje me të nuk është e refuzuar. Kjo do të thotë se ajo vepër, e cila është kryer në përputhje me dispozitat legjislative është e pranuar, ndërsa ato që qëndrojnë jashtë këtyre normave janë të refuzuara.

9 – Përfitimet që kemi nga ky hadith janë:

1 - Ndalohen risitë në fe.

2 - Një vepër që është e ndërtuar mbi një bidat, nuk pranohet.

3 - Ndalimi i një vepre nënkupton se ajo është e refuzuar (nuk pranohet tek Allahu).

4 - Nëse një punë e mirë nuk kryhet në formën e lejuar, siç janë namazet vullnetare në kohën e ndaluar nëse falen pa ndonjë arsye, apo agjërimi i ditëve të Bajramit, etj. konsiderohen të kota dhe nuk merren në konsideratë.

5 - Gjykimi i një gjykatësi nuk e ndryshon realitetin që fshihet lidhur me një çështje të caktuar, e kjo, duke u bazuar në fjalën e Profetit: “Që nuk përputhet me fenë tonë.”

6 – Marrëveshja e pavlefshme nuk merret në konsideratë dhe është e kotë, ndaj atij që i është marrë diçka në këtë mënyrë duhet t’i kthehet mbrapsht siç u theksua në hadithin e Asifit.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free