Hadithi - 20





20 - Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash.

 

Ebu Mesud Ukbe bin Amr el Ensari el Bedri (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Prej fjalëve (të urta) që bota ka mbajtur mend nga predikimet e profetëve të mëparshëm është: Kur nuk ke turp, bëj ç’të duash.” Transmeton Buhariu.

1 - Hadithi pohon se turpi është një virtyt i lavdëruar, i cili është gjendur jo vetëm në këtë legjislacion, por edhe në legjislacionet e mëparshme. Turpi është një virtyt, të cilin e kanë trashëguar profecitë njëra pas tjetrës, deri në kohën e këtij umeti. Urdhri i përmendur; “bëj ç’të duash”, ka për qëllim lejueshmërinë, përderisa ajo prej së cilës ke turp nuk është e ndaluar ligjërisht. Nëse bëhet fjalë për një vepër të ndaluar, atëherë ajo nënkupton kërcënim ose një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhë vetëm se një njeriu që i ka ikur, apo i është pakësuar ndjenja e turpit. Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (1/497) thotë: “Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Prej fjalëve (e urta) që bota ka mbajtur mend nga predikimet e profetëve të mëparshëm”, tregojnë se ky virtyt është i trashëguar nga profetët e mëparshëm dhe se njerëzit e kanë përdorur dhe e kanë trashëguar atë brez pas brezi. E gjithë kjo, pohon se profecia e mëparshme ishte ajo që e solli këtë fjalë dhe ajo u përhap shumë mes njerëzve, derisa arriti tek njerëzit e parë të këtij umeti.” Më pas, ai vijon: “Ndërsa fjalët e tij: “Kur nuk ke turp bëj ç’të duash”, rreth kuptimit të tyre ekzistojnë dy mendime:

Mendimi i parë: Nuk nënkuptohet urdhri që ai të bëjë ç’të dojë, përkundrazi, fjalët kanë kuptimin e nënçmimit dhe ndalimit të asaj vepre. Përkrahësit e kësaj thënieje kanë dy rrugë:

E para: ata pohojnë se ai është urdhër që nënkupton kërcënimin dhe dënimin dhe që do të thotë se nëse nuk ke turp, atëherë bëj ç’të duash sepse Allahu do të të shpërblejë për këtë që bën, siç thotë Allahu: “Bëni ç’të doni, vërtet Ai e sheh atë që veproni!” (Teubeh 105) apo siç është fjala tjetër e Allahut: “Adhuroni çfarë të doni në vend të Tij.” (Zumer 15) Ky mendim ishte zgjedhja e një grupi dijetarësh, ku në mes tyre bën pjesë edhe Ebu Abas Thealebi.

E dyta: ata pohojnë se është urdhër dhe bie kallëzuesi, që do të thotë se vetëm ai që nuk e ka ndjenjën e turpit bën ç’të dojë sepse ajo që e pengon njeriun nga sjelljet e këqija është turpi, prandaj, ai që nuk ka turp zhytet në çdo vepër të keqe dhe të ndaluar. Nga ana tjetër, nga vepra të tilla stepet çdokush që gëzon virtytin e turpit, siç thotë i Dërguari i Allahut: “Kush gënjen ndaj meje qëllimisht, le të përgatisë vendin e tij për në zjarr.” Në këtë rast, shprehja e tij është në formën urdhërore, por që nënkupton kallëzuesin. Këtë mendim e zgjodhi Ebu Ubejd Kasim bin Salami (RahimehUllah), Ibn Kutejbe, Muhamed bin Nasr el Mervezi etj. Ndërsa Ebu Daudi transmetoi nga imam Ahmedi fjalë që përputhen me këtë mendim.

Mendimi i dytë: Duke iu referuar shprehjes në parim merr kuptimin që ai të veprojë ç’të dojë, nëse vepra që kërkon të bësh nuk është diçka e turpshme sepse mund të jetë veprim adhurimi ose virtyt, moral dhe sjellje e mirë. Ky është njëri nga mendimet e imamëve si p.sh.; Ebu Is’hak el Meruezi Eshafi dhe po ashtu, një fjalë e tillë është transmetuar edhe nga imam Ahmedi.

Ndërsa në një pjesë tjetër (1/501-502) ai shprehet: “Dije se turpi ndahet në dy lloje: i pari është turpi i natyrshëm, jo i fituar. Ky lloj turpi konsiderohet si virtyti më i mirë që Allahu ia dhuron një robi, duke ia caktuar karakterit të tij. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë: “Turpi sjell vetëm të mira”, sepse të ndalon nga veprime të këqija dhe të pamoralshme, gjithashtu të nxit në sjelle me moral të lartë. Prandaj, duke u nisur nga ky koncept, ai bën pjesë në besim. Lloji i dytë i turpit është i fituar prej njohjes së Allahut, njohja e madhështisë së Tij dhe afërsisë që Ai ka me krijesat e Tij, mbikëqyrjen dhe diturinë që ka për të fshehtat e tyre, duke qenë se Ai i di çfarë fshehin cepat e syve dhe kraharorët. Ky lloj turpi konsiderohet është prej shkallëve më të larta të imanit, madje mund të them se është prej gradave më të larta të ihsanit! Ndodh që turpërimi nga Allahu të lindë edhe kur njeriu vëren mirësitë prej Tij, krahasuar me shkujdesjen në falënderimin ndaj Tij. Nëse njeriu privohet nga turpi i fituar, apo i lindur, asgjë më nuk mund ta ndalojë atë për t’u zhytur në të këqija dhe në moral të ulët, e në këtë mënyrë kthehet në një njeri që nuk ka iman.”

2 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:

1 - Morali i turpit është prej moraleve të virtytshme që është trashëguar nga profecitë e mëparshme.

2 - Ky hadith nxit për ruajtjen e ndjenjës së turpin dhe tregon disa vlera të tij.

3 - Ai që humb ndjenjën e turpin është i ekspozuar ndaj çdo vepre të keqe.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free