Hadithi - 26
26 - Për çdo nyje të trupit duhet dhënë sadaka.
Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë kur lind dielli duhet dhënë sadaka. Nëse pajton dy vetë edhe kjo punë është sadaka, nëse e ndihmon dikë që të hipë në kafshën e tij ose e ndihmon të ngarkojë barrën në kafshën e tij (kalë ose deve), edhe kjo punë është sadaka. Fjala e mirë është sadaka, çdo hap, të cilin e hedh për të shkuar në namaz është sadaka, edhe largimi nga rruga e asaj gjëje që pengon kalimtarët është sadaka.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
1 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë kur lind dielli duhet dhënë sadaka”, me nyjet nënkuptojmë nyjet e gjymtyrëve, të cilat numërohen rreth treqind e gjashtëdhjetë nyje, komenti për të cilat vjen në Sahihun e Muslimit në hadithin që transmeton Aisha me nr. 1 007. Kjo do të thotë se në çdo ditë që lind dielli, për të gjitha këto nyje duhet dhënë sadaka brenda asaj dite. Pas kësaj, ai përmendi disa shembuj, me të cilat arrihet dhënia e sadakasë, e që ndahen në veprime dhe fjalë të kufizuara (për atë që i kryen) dhe vepra që dobia u kalon edhe të tjerëve. Në Sahihun e Muslimit, në hadithin që transmeton Ebu Dherri me nr. 720 thuhet: “Të gjithë këtë e zëvendësojnë dy rekate namaz nafile të paradites (duha)”, duke qenë se me faljen e këtyre dy rekateve vihen në lëvizje të gjitha këto gjymtyrë në adhurimin, i cili është namazi. Për këtë arsye është i mjaftueshëm, kundrejt të gjitha sadakave që duhet të jepen atë ditë.
2 - Çdo vepër e mirë, sido që të jetë, me fjalë apo veprime vepra, konsiderohet sadaka. Ajo që përmendi i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në hadith është thjesht një përngjasim dhe nuk është diçka e kufizuar. Kështu, pajtimi mes dy njerëzve arrihet nëpërmjet gjykimit apo pajtimit me drejtësi, e në këtë rast është sadaka dhe ka të bëjë me të shprehurin dhe se mirësia e saj shkon edhe tek të tjerët. Duke qenë se sadaka konsiderohet edhe një fjalë e mirë, qoftë dhikër, dua, lexim, mësim, urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja etj. Në këtë rast është sadaka që shprehet me gjuhë dhe dobia e saj është si për njeriun që e kryen ashtu edhe për të tjerët. Gjithashtu, çdo hap që bën njeriu për në namaz konsiderohet sadaka që muslimani i jep vetes, vepër e cila konsiderohet në dobi të tij. Edhe largimi i pengesave nga rruga si p.sh.; ferrat, gurët, xhamat, etj., janë sadaka, dobia e së cilave shkon edhe për të tjerët.
3 - Përfitimet e nxjerra prej këtij hadithi janë:
1 - Çdo nyje e trupit të njeriut, për çdo ditë duhet të japë sadaka sido qoftë ajo në dobi të tij, apo edhe në dobi të të tjerëve.
2 - Hadithi nxit për pajtimin mes njerëzve me drejtësi të plotë.
3 - Hadithi e nxit muslimanin që të ndihmojë të tjerët në gjërat që ata kanë nevojë, të tilla si ndihma për të hipur në kafshë, apo për t’i mbartur gjëra mbi të.
4 - Inkurajimi për të shprehur çdo fjalë të mirë, çfarëdo që të jetë: dhikër, lexim, mësim, thirrje, etj.
5 - Vlera e çdo hapi të hedhur për në xhami. Madje, në një hadith tjetër është përmendur se njeriut i shkruhen hapat që ka bërë për të shkuar dhe për t’u kthyer nga xhamia, hadith të cilin e transmeton Muslimi me nr. 663.
6 - Vlera e largimit të pengesave nga rruga. Në një hadith tjetër citohet se kjo vepër konsiderohet prej degëve të besimit, hadith, të cilin e transmeton përsëri Muslimi me nr. 58.