Hadithi - 28





28 - U porosis me devotshmëri dhe moral të mirë.

 

Ebu Nexhih Irbad bin Sarijeh (radijAllahu ‘anhu) transmeton: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) na dha një këshillë të prekëse, prej së cilës zemrat u tronditën dhe sytë u përlotën. Atëherë, ne i thamë: “O i Dërguar i Allahut! Fjalët e tua duket sikur janë këshillë lamtumire, kështu që na lër ndonjë porosi.” Ai u përgjigj: “Ju porosis t'i frikësoheni Allahut, ta dëgjoni dhe t'i bindeni, edhe nëse ju udhëheq një skllav. Ai që do të jetojë (më gjatë) ka për të parë kundërshti të shumta, ndaj përmbajuni Sunetit tim dhe sunetit të prijësave të drejtë, të cilët ju udhëzojnë. Kapuni fort pas tij (Sunetit) me dhëmbë e dhëmballë. Kini kujdes nga shtesat (në fe) sepse çdo shtesë shpie drejt humbjes.” Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, ky i fundit thotë se hadithi është hasen sahih.

1 - Në fjalët e Irbadit: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) na dha një këshillë të prekshme, prej së cilës zemrat u tronditën dhe sytë u përlotën”, kuptojmë se këshilla kur përcillet me fjalë inkurajuese (për mëshirën e Allahut) dhe kërcënuese (nga dënimi i Tij) ndikon në shpirt dhe arrin të prekë zemrat, e si rrjedhojë ato tronditen nga frika ndaj Allahut. Irbadi e cilësoi këtë këshillë se ishte e përbërë nga tri emocione: retorika, tronditja e zemrës dhe përlotja e syve. Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/111) thotë: “Përdorimi i retorikës gjatë këshillimit është i dobishëm sepse prek zemrën dhe pranohet nga ajo. Retorika, në të vërtetë është arritja e të kuptuarit të mendimeve dhe të drejtuarit e tyre drejt zemrave të dëgjuesve, në formën më të mirë dhe me shprehjet më të përshtatshme, më letrare, më të ëmbla për dëgjuesit dhe ato që prekin më shumë zemrat.” Allahu i Madhëruar i ka cilësuar besimitarët si njerëz që iu tronditen zemrat dhe iu lotojnë sytë gjatë përmendjes së Allahut. Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve dridhen kur përmendet Allahu dhe u forcohet besimi kur u lexohen shpalljet e Tij, dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” (Suretu Enfal, 2) “Kur dëgjojnë për atë (Kuranin) që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë.” (Suretu Maide, 83)

2 - Në fjalët e tij: “O i Dërguar i Allahut, fjalët e tua duken si të ishin këshillë lamtumire, ndaj na lër ndonjë porosi”, kjo këshillë ngjasonte me porositë që lë dikush në fundin e jetës. Për këtë arsye, sahabët e ndershëm që ishin shumë të kujdesshëm në çdo të mirë, kërkuan nga i Dërguari i Allahut që t’u linte ndonjë porosi të përmbledhur, me qëllim që të kapeshin pas saj dhe ta kishin si shembull. Duke qenë se porosia në çastet e ndarjes ka ndikim të madh në shpirtra, ata e morën si këshillë lamtumire, ndaj edhe e kërkuan.

3 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Ju porosis t'i frikësoheni Allahut”, takvaja (devotshmëria) ndaj Allahut të Madhëruar arrihet atëherë kur njeriu vendos një mburojë mes tij dhe zemërimit të Allahut dhe kjo vjen me kryerjen e adhurimeve, duke u distancuar nga të ndaluarat dhe duke u besuar fjalëve të tij. Kjo është porosia që Allahu u ka lënë të parëve dhe atyre që do vijnë pas tyre, duke thënë: “Ne i patëm porositur edhe më parë ithtarët e librit, gjithashtu edhe juve që t’i frikësoheni Allahut.”

Takvaja bëhet shkak i çdo të mire, shpëtim në këtë botë dhe në botën tjetër. Urdhëri për takva vjen në shumë ajete kuranore, e veçanërisht në ajetet që fillojnë me fjalët: “O ju që besuat!” Një urdhër i tillë vjen edhe nga porositë profetike që i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u drejtonte shokëve të tij.

4 - “Të dëgjoni dhe t'i bindeni edhe nëse ju udhëheq një skllav.” Me këto fjalë, Profeti porosit për dëgjueshmëri dhe bindje ndaj udhëheqësve, përderisa ata nuk urdhërojnë që të kundërshtohet Allahu, edhe nëse ky udhëheqës është skllav. Dijetarët janë të një mendimi se skllavi nuk është i denjë për të qenë prijës, ndërsa ajo që u transmetua në këtë hadith apo në hadithe të tjera interpretohet në disa kuptime: ka mundësi që hadithi të përmbajë hiperbolë lidhur me bindjen dhe dëgjueshmerinë ndaj një skllavi nëse bëhet prijës, edhe pse një gjë e tillë nuk ndodh. Në një kuptim tjetër: kur prijësi lë nënpunës një skllav për të drejtuar punët e një fshati, apo grupi njerëzish. Një kuptim tjetër mund të jetë: kur ai e mori fronin ishte i lirë, por u quajt skllav duke marrë parasysh gjendjen që ishte më parë. Ose ndodh që një skllav me njerëzit e tij (që i janë bërë krah) të ketë triumfuar me forcë ndaj të tjerëve, e në këtë rast gjërat nën pushtetin e tij janë stabilizuar dhe marrja e pushtetit prej tij mund të shkaktojë pasoja më të këqia sesa qëndrimi i tij në atë vend (post).

5 - “Ai që do të jetojë (më gjatë) do të shohë kundërshtime të shumta.” Ky është një argument që pohon profecinë e tij sepse ai na lajmëroi për diçka që do të ndodhë në të ardhmen, gjë e cila u realizua ashtu siç na paralajmëroi ai. Dihet se ata sahabë që jetuan më gjatë arritën të shihnin kundërshtime të mëdha që binin ndesh me rrugën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij. Kjo gjë u pasua me shfaqjen e disa grupeve të devijuara nga rruga e drejtë siç ishin: kaderitë, hauarixhët, etj.

6 - “Ndaj përmbajuni sunetit tim dhe sunetit të prijësave të drejtë, të cilët ju udhëzojnë. Kapuni fort pas tij (sunetit) me dhëmballët tuaja.” Në kohën që Profeti na njoftoi për ekzistencën e përçarjeve, ai na tregoi rrugën e sigurt dhe shpëtimin. Kjo gjë arrihet duke u kapur fort pas Sunetit të tij dhe sunetit të prijësave të drejtë, të cilët ishin: Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe Aliu (radijAllahu ‘anhuma). I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka cilësuar udhëheqjen e tyre si udhëheqje në rrugën e Profetit, siç është transmetuar në hadithin e Sefines ku thotë: “Udhëheqja në udhën profetike do të ekzistojë tridhjetë vjet, e më pas Allahu do t’ia japë sundimin kujt të dojë.” (E transmeton Ebu Daudi me nr. 4 646, etj. Hadithi është i saktë dhe atë e ka përmendur Albani në librin Vargu i haditheve të sakta me nr. 460. Ai transmetoi edhe nga nëntë dijetarë, të cilët e kanë saktësuar këtë hadith)

Ibn Rexhebi (2/120) thotë: “Suneti është ajo rrugë që duhet ndjekur, në të cilën ecur udhëheqësit e tij të drejtë, si në besim, ashtu edhe në punë e fjalë. Ky është Suneti i plotë dhe për këtë arsye, të parët tanë të hershëm e përdornin termin e Sunetit vetëm atëherë kur ky term përfshinte të gjitha këto kushte. Një kuptim i i ngjashëm mbi Sunetin është transmetuar nga Haseni, Euzaiu dhe Fudejl bin Ijadi. Shumë dijetarë të mëvonshëm, termin e sunetit e veçojnë vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me besimin sepse ai është baza e fesë dhe kush e kundërshton atë ndodhet në një rrezik të madh.” I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka kvmbëngulur që të kapemi fort pas Sunetit të tij dhe sunetit të udhëheqësve të drejtë, duke na këshilluar: “Përmbajuni!”, e kjo në formën urdhërore. Pas kësaj, na udhëzoi që t’i përmbahemi akoma më shumë Sunetit, duke na këshilluar: “Kapuni fort pas tij (Sunetit) me dhëmbë e dhëmballë.” Togfjalëshi “me dhëmbë e dhëmballë” i shprehur në hadith është metaforë, e cila pasqyron fuqinë që duhet të përdorim për t’ju përmbajtur Sunetit dhe për ta zbatuar atë. (Gjithashtu tregon mllefin e atyre që e kundërshtojnë Sunetin dhe largojnë të tjerët prej tij. (Sh.P.))

7 - “E kini kujdes nga shtesat (në fe) sepse çdo shtesë shpie drejt humbjes.” Në versionin e Ebu Daudit me nr. 4 607 thuhet: “Kini kujdes nga shtesat në fe sepse çdo shtesë konsiderohet bidat dhe çdo bidat të shpie në humbje.” Shtesat në fe janë risi që shpiken në fe, ndërsa nuk kanë kurrfarë baze origjine, e të cilat i kthehen përçarjes dhe kundërshtimeve të nënçmuara që përmendi i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në fjalën e tij kur tha: “Ai që do të jetojë (më gjatë) do të shohë kundërshtime të shumta.” I Dërguari i Allahut ka cilësuar se çdo bidat është humbje, prandaj nuk mund të ketë bidate të mira, duke u bazuar në fjalën e përgjithshme të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që thotë: “sepse çdo bidat është humbje.” Muhamed bin Nasri në librin e tij Suneti transmeton një hadith me zinxhir të saktë se Ibn Umeri ka thënë: “Çdo bidat është humbje, edhe nëse njerëzit e shohin si të dobishme.” Shatibiu, në librin e tij El iatisam transmeton nga Ibn Maxhishuni se ai e ka dëgjuar Malikun të ketë thënë: “Kush shpik në Islam një bidat dhe e sheh si të dobishëm, ai ka pretenduar se Muhamedi e ka tradhëtuar shpalljen sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj.” Ndaj ajo që nuk njihej atëherë si fe nuk mund të njihet as sot.” Ndërsa Ebu Uthman Nejsaburi thotë: “Ai që lë udhëheqës Sunetin për veten e tij në fjalë dhe në vepra, ka për të folur me urtësi, ndërsa ai që lë udhëheqës pasionet në fjalë dhe në vepra ka për të folur me bidate.” (Shih Hiljetul eulija (10/244))

Përsa i përket hadithit, të cilin e transmeton Muslimi në Sahihun e tij me nr. 1 017 ku thuhet: “Cilido që ngjall një traditë të mirë në Islam, i takon shpërblimi i saj dhe shpërblimi i atyre që e praktikojnë atë.” Ky hadith aludon në dhënien e shembullit praktik të kryerjes së veprave të mira, siç është sqaruar në shkakun e transmetimit të këtij hadithi, sepse i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), ishte vetë ai që i nxiti njerëzit që të jepnin sadaka.

Në atë kohë, aty erdhi një prej ensarëve, duke mbartur një çantë të madhe dhe njerëzit kur e panë filluan të sillnin sadaka, atëherë, i Dërguari i Allahut i tha fjalët e mësipërme. Gjithashtu, hadithi komentohet edhe në kuptimin: ai që shfaq një prej suneteve të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe e risjell atë në praktikë, ka bërë një shfaqje të Sunetit të Profetit, ashtu siç ndodhi me Umerin, i cili i tuboi njerëzit në namazin e teravive në Ramazan, duke qenë se Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ishte falur me njerëzit disa netë të muajit të Ramazanit, por që e kishte lënë nga frika se mos bëhej detyrim, sikurse thuhet në Sahihun e Buhariut me nr. 2 012. Në kohën kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ndërroi jetë, shkaku prej të cilit ekzistonte frika e obligimit të atij namazi u largua, sepse legjislacioni u ndërpre me vdekjen e tij, mbeti vetëm pëlqyeshmëria e asaj vepre, të cilën e shfaqi Umeri. Gjithashtu, kjo vepër konsiderohet prej udhëzimit të prijësave të drejtë, ndërsa ajo që thuhet se Umeri është shprehur: “Sa bidat i mirë!” në transmetimin e Sahihut të Buhariut me nr. 2 010, ai ka pasur për qëllim shfaqjen e namazit të teravive, ndërsa me fjalën bidat ka patur për qëllim kuptimin e tij gjuhësor. E njëjta gjë është edhe ajo që bëri Uthmani, duke shtuar ezanin e dytë ditën e Xhuma, dhe këtë vepër e miratuan të gjithë sahabët, pra është vepër e udhëheqësave (halifeve) të drejtë të cilësuar nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Pra, ajo që përcillet nga Umeri -nëse është e saktë se ai ka thënë- : “Sa bidat i mirë!”, kjo nënkupton bidatin në terminologjinë gjuhësore.

8 - Përfitimet e nxjerra nga ky hadith janë:

1 - Pëlqimi i këshillës dhe përkujtimit në disa raste, për shkak të ndikimit që ka ajo në zemra.

2 - Në hadith vërehet kujdesi që tregonin sahabët për punët e hajrit, në rastin kur ata kërkuan që Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) t’u linte një porosi.

3 - Gjëja më e rëndësishme me të cilën mund të këshillohet njeriu është frika ndaj Allahut të Madhëruar, e cila konsiston në zbatimin e urdhërave dhe largimin nga veprat e ndaluara.

4 - Gjithashtu, prej gjërave më të rëndësishme për të cilat duhet të këshillohet njeriu është edhe bindja e respektimi i udhëheqësave, për shkak të dobive madhore që muslimanët përfitojnë (nga ky veprim) në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër.

5 - Hiperbolizmi që përdoret në nxitjen për të dëgjuar dhe për t’iu bindur, edhe në rast se udhëheqësi mund të jetë skllav.

6 - Lajmërimi i Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) mbi ekzistencën e kundërshtive të shumta në popullin e tij dhe realizimi i këtij parashikimi është argument që pohon profecinë e tij.

7 - Rruga e drejtë, pavarësisht kundrështimeve në fe është që të kapemi fort pas zbatimit të Sunetit të Profetit dhe sunetit të udhëheqësave të drejtë.

8 - Në hadith tregohen vlerat e prijësve të drejtë që janë; Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu dhe se ata janë të drejtuar dhe të udhëzuar.

9 - Këshillimi nga çdo shtesë në fe e që nuk ka pasur asnjë lloj origjine.

10 - Të gjitha bidatet janë humbje, ndaj nuk ka asnjë bidat të mirë.

11 - Të përbashkëtat e inkurajimit dhe kërcënimit gjatë këshillës, duke u bazuar në atë që ka thënë Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Përmbajuni!”, ndërsa për kërcënim tha: “Kini kujdes!”

12 - Në hadith tregohet rëndësia që ka porosia me frikë ndaj Allahut, dëgjueshmëria dhe bindja ndaj udhëheqësave, ndjekja e Sunetit dhe braktisja e bidateve, sepse Profeti i porositi shokët e tij me këto gjëra pas fjalëve të porosisë që dha: “si të ishin këshillë lamtumire, ndaj na lër ndonjë porosi.”

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free