Hadithi - 11
11 - Largoju të dyshimtës dhe përmbaju asaj që nuk është e dyshimtë.
Ebu Muhamed Hasen bin Ali bin Ebi Talibi (radijAllahu ‘anhu), nipi dhe trëndafili i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), transmeton duke thënë: “Kam mbajtur mend nga i Dërguari i Allahut se ai ka thënë: “Lëre atë që të duket e dyshimtë (qoftë hallall, apo haram; e dobishme, apo e dëmshme), dhe pranoje atë që nuk të duket e dyshimtë!” Transmeton Tirmidhiu dhe Nesaiu. Tirmidhiu tha se ky hadith është hasen (i mirë) sahih (i saktë).
1 - Ky hadith na urdhëron që njeriu të largohet nga veprat që i sheh të dyshimta, tek të cilat nuk gjen qetësi në shpirtin e tij, e si rrjedhojë ngushtohet dhe tundohet në shpirt, për të shkuar drejt atyre veprave, tek të cilat zemra i qetësohet dhe shpirti i rehatohet. Ky hadith ngjason me hadithin e mëparshëm të Numan bin Beshirit ku thuhet: “Ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, me këtë veprim ka ruajtur fenë dhe nderin e tij. Ndërsa ai që bie në veprimin e të dyshimtave, si rrjedhojë bie në vepra të ndaluara (harame).” Të dyja këto hadithe tregojnë se një njeri që do të ruhet duhet të largohet nga konsumimi i ushqimeve që janë të dyshimta, ashtu sikurse e ka të ndaluar të ushqehet me ushqime haram.
2 - Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (1/280) thotë: “Kuptimi i këtij hadithi konsiston në largimin nga të dyshimtat dhe ruajtjen e vetes prej tyre. Duke qenë se për haramin e mirfilltë besimtari nuk ka dyshime në zemrën e tij (dyshimi është në kuptimin e ngushtimit dhe tundimit), përkundrazi, zemra dhe shpirti i tij mbeten të qetë. Ndërsa me dyshimet, zemrat ngushtohen dhe tundohen, si pasojë e dyshimit që ndodhet në to.” Në një pjesë tjetër (1/283) ai shprehet: “Këtu mbetet diçka që duhet kuptuar mirë: investigimi i imtësishëm në ndalimin nga të dyshimtat vlen për atë nivel besimtari që i ka të përmirësuara të gjitha aspektet e tjera, e që i janë përzier punët me devotshmërinë dhe frikë - respektin që posedon. Ndërsa për atë besimtar që bie në kryerjen e harame të qarta, e më pas kërkon të ruhet nga imtësitë e të dyshimtave, kjo nuk është e pranueshme.” Për këtë gjë ai duhet të kritikohet, siç u ka thënë Ibn Umeri banorëve të Irakut, të cilët e pyetën për gjakun e mushkonjës, duke u thënë: “Më pyesin për gjakun e mushkonjës ndërkohë që kanë vrarë Husejnin!” Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Ata të dy (Hasani dhe Husejni) janë dy të ëmbëlit e mi në këtë botë.”
3 - Përfitimet që nxjerrim nga ky hadith janë:
1 - Braktisja e veprave të dyshimta dhe kryerja e veprave që nuk mbartin dyshime.
2 - Braktisja e veprave të dyshimta e qetëson shpirtin dhe e ruan atë nga çdo preokupim.