Hadithi - 09
09 - Çfarë ua kam ndaluar largohuni prej saj.
Ebu Hurejra AbduRrahman bin Sahri (radijAllahu ‘anhu) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni të largoheni prej tyre, ndërsa për ato që ua kam urdhëruar mundohuni t’i praktikoni sa të mundeni. Arsyeja që i shkatërroi popujt që jetuan para jush ishin pyetjet e shumta dhe kundërvëniet ndaj pejgamberëve.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
1 - Këtë hadith e transmetuan dy dijetarët Buhariu dhe Muslimi, por me këto fraza ai gjendet në Sahihun e Muslimit në kapitullin e vlerave me nr. 1 737. Arsyeja e transmetimit të këtij hadithi është trajtuar në kapitullin e Haxhit, në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, i cili thotë: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) na mbajti një fjalim dhe me atë rast tha: “O njerëz! Vërtet Allahu ua ka bërë obligim Haxhin, prandaj kryejeni atë.” Një i pranishëm pyeti: “për çdo vit o i Dërguari i Allahut?” I Dërguari i Allahut heshti, ndërsa pyetësi e përsëriti pyetjen e tij tri herë. Atëherë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Sikur të thoja “Po”, atëherë sigurisht që do të mbetej obligim i domosdoshëm për çdo vit dhe ju nuk do të kishit mundësi. Pastaj tha: “Më lini për aq sa u lë, sepse arsyeja që i shkatërroi popujt që jetuan para jush ishin pyetjet e shumta dhe kundërvëniet që u bënin profetëve të tyre. Kur t’ju urdhëroj për diçka bëjeni sa të keni mundësi, por kur t’ju ndaloj nga diçka atëherë lëreni.”
2 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Largohuni prej punëve që ju kam ndaluar, ndërsa për punët që ju kam urdhëruar mundohuni t’i praktikoni sa të mundeni.” vërejmë kufizimin e praktimit të urdhrave, atëherë kur ekziston mundësia, ndërsa tek e ndaluara nuk e vërejmë diçka të tillë. Kjo ndodh sepse ndalimi përfshihet në veprat që duhen braktisur e që janë të mundshme. Njeriu i ka mundësitë që të mos e bëjë diçka, ndërsa urdhëri në hadith u kufizua me mundësinë sepse ai angazhohet me veprim, të cilin mund, por edhe nuk mund ta praktikojë. Prandaj urdhrat vijnë sipas mundësisë së njeriut si p.sh. kur alkooli u bë i ndaluar, në këtë rast ai e ka të mundur që të mos e pijë atë. Ndërsa namazi është diçka e urdhëruar dhe njeriu e fal atë sipas mundësive që ka; duke qëndruar në këmbë ose ulur, nëse nuk ka mundësi edhe shtrirë. Këtë që thamë e shpjegon shumë lehtë një shembull konkret: “Nëse një njeriu i thuhet: “Mos u hyr nga kjo derë!”, në këtë rast, ai mund të mos hyjë sepse është diçka që duhet të mos e bëjë. Por nëse i thuhet: “Ngije këtë gur!”, në këtë rast ai mundet ta ngrejë, por edhe mund të mos e ngrejë.
3 - Braktisja e veprave të ndaluara mbetet diçka e përgjithësuar dhe nuk veçohet asgjë prej tyre, duke përjashtuar rastet kur e kërkon nevoja, siç është ngrënia e mishit të ngordhur për të mbijetuar, apo rasti kur dikush mbytet me ushqim dhe nuk gjen aty afër diçka tjetër veç alkoolit.
4 – Veprat e ndaluara, prej të cilave duhet të distancohemi kanë të bëjnë me haramin, ndërsa veprat e urryera janë të lejuara që të praktikohen, edhe pse më e mirë është braktisja sesa praktikimi i tyre.
5 – Veprat me të cilat urdhërohet njeriu duhet t’i praktikojë sipas mundësisë së tij sepse Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive të tij. Prandaj nëse ai nuk ka mundësi që një vepër ta kryejë në mënyrën më të plotë, atëherë praktikon atë që është e mundur për të. Kështu që, nëse nuk mundet të falet në këmbë, mund të falet i ulur, e nëse nuk mundet ta praktikojë një detyrim në formën e plotë atëherë bën atë që mundet. Nëse nuk ka ujë të mjaftueshëm për të marrë abdes, në këtë rast ai mer abdes me aq ujë sa ka dhe merr tejemum për ato pjesë që i mbeten. E nëse nuk mundet të nxjerrë një okë (Oka’ është njësi e vjetër mase që vlerësohet sa 40 derhem argjendi. (Sh.p.)) për zekatin e fitrit, atëherë mund të nxjerrë aq sa ka mundësi.
6 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Ajo që i shkatërroi popujt që jetuan para jush ishin pyetjet e shumta dhe kundërvëniet që u bënin pejgamberëve.” Ajo që ndalohet në hadith ka të bëjë me çështjet që ekzistonin në kohën e tij, mbi të cilat ndodhte ndalimi i një sendi për shkak të pyetjes së tij. Apo kur u obligohej diçka që kishte vështirësi të madhe, e cila nuk mund të përballohet, siç është Haxhi për çdo vit. Ndërsa punët që ndalohen pas kohës së tij janë të dhënit pas atyre veprave që përmbajnë teprime dhe ekstremizëm, kundrejt punëve që kanë më shumë rëndësi se ato.
7 - Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (1/248-249) thotë: “Njerëzit në këtë temë janë ndarë në disa grupe: Ndër ata që pasuan ehli hadithin kishte njerëz që e mbyllën derën e pyetjeve, deri në atë masë sa fikhu dhe dija e tyre u kufizua vetëm në çështjet që Allahu i ka zbritur Profetit të Tij, duke u bërë në këtë mënyrë bartës të fikhut, por jo dijetarë të mirëfilltë të fikhut. Ndërsa prej juristëve të ehli ra’jit (Ato janë ithtarët e mendimeve individuale, skolastikët. (Sh. p.)) kishte që u zgjeruan shumë në gamën e pyetjeve para se të ndodhnin ato, çfarë mund të ndodhë realish dhe çfarë nuk mund të ndodhë. Ata u angazhuan në dhënien e përgjigjeve të këtyre pyetjeve, i shtuan debatet dhe kundërshtimet rreth tyre, ku si rrjedhojë lindi përçarja e zemrave dhe për shkak të kësaj përçarjeje mbetën epshet, zilitë dhe armiqësitë, të cilat shpesh përzihen me ndjenjën e triumfimit dhe mendjemadhësisë, në mënyrë që fytyrat e njerëzve të shkojnë drejt tyre. Këtë gjë e kanë qortuar dijetarët lektorë dhe Suneti ka urdhëruar për ndalimin e të keqes.
Ndryshe janë dijetarët e hadithit që punojnë me të (hadithin), brenga më e madhe e tyre është kërkimi në kuptimet e librit të Allahut të Madhëruar dhe gjetjen haditheve të sakta që e qartësojnë atë, si dhe fjalë komentuese të transmetuara nga sahabët dhe tabiinëve. Gjithashtu hulumtojnë rreth Sunetit të të Dërguarit të Allahut, duke dalluar të saktin nga i pasakti, më pas duke i kuptuar ato dhe duke i mësuar kuptimet e tyre. Pas kësaj, ata kërkojnë në fjalët e sahabëve dhe tabiinëve, mes llojeve të ndryshme të njohurive që kanë të bëjnë me tefsirin, hadithin dhe çështjet e hallallit dhe haramit, bazat e Sunetit, zuhdin (Asketizmi), rakaik (Këshilla zbutëse për zemrën) etj. Kjo ishte rruga që ndoqi imam Ahmedi dhe dijetarët e tjerë të hadithit. Angazhimi me këto që përmendëm (Kuran dhe Hadith) është i mjaftueshëm dhe jo të merresh me çfarë u shpik nga ehlu ra’ji, gjëra që nuk kanë dobi dhe që nuk ndodhin në të vërtetë.
Fjalët e tepërta janë ato që nxisin polemikat dhe armiqësitë. Imam Ahmedi, shpesh kur pyetej për gjëra të reja që akoma nuk ishin vërtetuar, shprehej: “Mos na ngatërroni me këto gjëra të shpikura!” Më pas vijonte: “Ai që ndjek rrugën e kërkimit të diturisë sipas asaj që përmendëm, e ka të mundur të kuptojë përgjigjet e duhura që kanë të bëjnë me rastet që ndodhin në realitet shpesh - herë, sepse bazat e tyre burojnë nga ato që përmendëm (Kurani dhe Hadithi). Gjithashtu, këtë rrugë ndoqën imamët: Shafiu, Ahmedi, Is’haku, Ebu Ubejdi, e të tjerët që ndoqën rrugën e tyre, për të cilët është rënë dakord për udhëzimin dhe dijen e tyre. Cilido që pretendon se ndjek këtë rrugë, duke mos ecur në gjurmët e tyre, ai do të bjerë në humnerë dhe shkatërrim, do të marrë fjalë (mendime) që nuk i lejohen t’i marrë dhe do të lërë fjalë (mendime) që i ka të detyrueshme t’i praktikojë. Ajo që e përmbledh të gjithë këtë është: që ai të ketë si synim arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe afrimin tek Ai, të njohë atë që i zbriti Profetit të Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), të ndjekë rrugën e tij, ta praktikojë atë dhe t`i thërrasë njerëzit në këtë gjë. Kush është i tillë, Allahu do t’i japë sukses dhe do ta udhëzojë, do t’i tregojë rrugën e drejtë dhe do t’i mësojë gjëra që nuk i ka ditur. Si rrjedhojë ai do të jetë ndër dijetarët e lavdëruar, të cilët Allahu i përmend në librin e Tij duke thënë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij Allahut i frikësohen vetëm dijetarët.” (Suretu Fatir, 28) Ata që ishin të palëkundshëm në dijen e tyre.”
Imam Ahmedi ka thënë: “Në përgjithësi, ai që praktikon urdhëresat e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në këtë hadith dhe largohet ndalesat, shqetësohet për këtë gjë dhe jo për gjëra të tjera, ai fiton shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndërsa ai që kundërshton dhe jepet pas logjikës së vet dhe veprave që ai i quan të mira, bie pre e asaj që i Dërguari i Allahut ka kritikuar kur tregon për gjendjen e ithtarëve të librit, të cilët u shkatërruan si pasojë e pyetjeve të shumta dhe kundërvënieve që u bënin profetëve me mosbindje.”
8 - Përfitime të nxjerra nga ky hadith janë:
1 - Domosdoshmëria e braktisjes së çdo gjëje që ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
2 - Domosdoshmëria e praktikimit të çdo gjëje që ka obliguar Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
3 - Qortimi për të mos rënë në atë humnerë që ranë ithtarët e librit, gjë që shkaktoi shkatërrimin e tyre.
4 - Njeriu nuk obligohet me më shumë se mundësitë që ka.
5 - Dikush që e ka të pamundur të praktikojë plotësisht një obligim, mund të praktikojë aq sa ka mundësi.
6 - Mësojmë se njeriu duhet të pyesë për gjërat që i nevojiten, të shmanget nga interesimi për gjëra të tepërta dhe stërhollimet e panevojshme në pyetje.