Hadithi - 43
43 - Jepini të drejtat atyre që u takojnë.
Ibn Abasi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari I Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Jepuni atyre që u takon (me ligj) pjesën e caktuar të trashëgimisë, dhe çfarë të mbetet jepjani burrit mashkull që e meriton më tepër.” Buhariu dhe Muslimi.
1 - Ky është hadithi i parë nga tetë hadithet që ka shtuar hafidh Ibn Rexhebi, duke plotësuar kështu numrin e pesë dhjetë haditheve si shtojcë ndaj haditheve të Neveviut, Allahu i mëshiroftë. Hafidh Ibn Rexhebi kur i transmeton hadithet nga imamët e mëdhenj shprehet duke thënë; e nxori atë, - e nganjëherë përdor shprehjen; e transmetoi. Ndërsa Neveviu përdorte shprehjen; e transmetoi, - e megjithatë nuk ka dallim mes dy shprehjeve sepse kuptimin e kanë të njëjtë.
2 - Ky hadith është bazë për ndarjen e trashëgimisë. Me trashëgiminë është për qëllim pjesa e caktuar në librin e Allahut e që janë janë gjashtë në numër; dy të tretat, një e treta, një e gjashta, gjysma, një e katërta, një e teta. Në formë të shkurtuar i thuhet; dy të tretat dhe gjysma, gjysma e tyre dhe gjysma e gjysmës. Ose ndryshe thuhet; një e teta, një e gjashta, dyfishi i tyre dhe dyfishi i dyfishit të tyre. Por edhe mund të thuhet; një e treta, një e katërta, dyfishi i secilës dhe gjysma e tij. Gjithsesi me këto kemi për qëllim hiset e detyrueshme, pjesët fikse dhe ato jo fikse që janë përmendur në Kuran në rastin kur fëmijët janë të përzier meshkuj dhe femra, e në këtë rast mashkulli merr pjesë sa për dy femra. Por nëse të gjitha janë femra dhe nuk kanë mes tyre ndonjë mashkull, atëherë dy e sipër marrin dy të tretat e trashëgimisë, ndërsa vajza e vetme merr gjysmën e saj. Këto fjalë thuhen nëse ato janë të një kategorie, siç janë vajzat apo vajzat e djemve. Nëse janë në gradë të ndryshme dhe vajzat janë dy e më shumë, atëherë vajzave të djalit nuk u takon asgjë sepse vajzat marrin dy të tretat. Nëse vajza është e vetme atëherë asaj i takon gjysma, ndërsa vajza e djalit apo vajzat e vajzës marrin një të gjashtën, plotësimin e dy të tretave.
Kjo duke u bazuar në sunetin e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e pikërisht në hadithin që transmeton Buhariu me nr. 6736. Por nëse fëmijët janë vetëm meshkuj sido qofshin; djemtë e tij apo djemt e djemve nëse nuk i kanë prindërit, në këtë rast njëri prej tyre merr të gjithë trashëgiminë. Ndërsa kur janë shumë atëherë e ndajnë atë mes veti në mënyrë të barabartë. Të njëjtat fjalë thuhen dhe kur trashëgojnë vëllezërit nga gjaku dhe vëllezërit nga babai, njësoj me fjalët që u thanë në trashëgiminë e fëmijëve. Vetëm se këtu u jepet përparësi vëllezërve nga gjaku para vëllezërve nga babai, kështu që meshkujt që nuk kanë femra në mes tyre e ndajnë atë në mënyrë të barabartë. Nëse janë të përzier meshkuj dhe femra, atëherë mashkulli merr pjesë sa për dy femra ndërsa njëra prej tyre merr gjysmën, por nëse janë dy e më shumë atëherë u takon dy e treta. Trashëgimia e vëllezërve nga babai bëhet e njëjtë si trashëgimia e vëllezërve nga gjaku nëse këta të fundit nuk ekzistojnë, por nëse mes tyre gjendet një motër nga gjaku ajo duhet të marrë gjysmën ndërsa motrat nga babai marrin një të gjashtën plotësimin e dy të tretave, sido qofshin në numër; një apo më shumë.
Kur trashëgojnë prindërit secili prej tyre merr një të gjashtën nëse i vdekuri ka fëmijë mashkull, por nëse fëmija i tij është femër atëherë babai merr pjesën e mbetur pas ndarjes së pjesëve fikse. Nëse i vdekuri nuk ka patur fëmijë në këtë rast nëna e tij merr një të tretën, ndërsa pjesa e mbetur i takon babait. Vetëm se në këtë rast nëse me dy prindërit është njëri nga dy bashkëshortët, atëherë nëna merr një të tretën e mbetur pasiqë i jepet njërit prej bashkëshortëve. Këtyre dy çështjeve u thuhet; çështje umerite, sepse në këtë mënyrë gjykoi prijësi i besimtarëve Umer bin Hatabi (radijAllahu ‘anhu).
Nëse i vdekuri ka vëllezër sido qofshin ata; nga gjaku, nga babai apo nëna, në këtë rast trashëgimia që i takon nënës është një e gjashta, ndërsa gjyshi; babai i babës merr pjesën e babait nëse ai nuk ekziston. Gjithashtu edhe gjyshja merr një të gjashtën nëse e bija e saj mungon, sido që të jetë gjyshja; nga nëna apo babai. Në kohën kur bashkohen gjyshet që trashëgojnë atëherë të gjitha marrin pjesë në një të gjashtën. Pjesa e trashëgimisë së vëllezërve nga nëna është një e gjashta nëse i vdekuri nuk ka ndonjë nip, mbesë apo edhe djem që e trashëgojnë. Nëse janë më shumë se një sido qofshin; vetëm meshkuj, vetëm femra apo të përzier meshkuj e femra, në këtë rast ata marrin në një të tretën në mënyrë të barabartë, pra nuk ka dallim mes meshkujve të tyre dhe femrave. Përsa i përket trashëgimisë së dy bashkëshortëve duhet ditur se burri trashëgon gjysmën nëse i vdekuri nuk ka dikë që ta trashëgojë, e nëse ai ekziston atëherë burri merr një të katërtën. Ndërsa gruaja merr një të katërtën nëse i vdekuri nuk ka njeri që ta trashëgojë, e nëse ai ekzsiton atëherë gruas i takon vetëm një e teta. Nëse ato janë më shumë se një bashkëshorte, atëherë bëhen pjesmarrëse në një të katërtën dhe një të tetën. Allahu i Madhëruar e ka përmendur në librin e Tij fisnik ndarjen e trashëgimisë në tri ajete. Ajeti i parë është fjala e Tij që thotë: “Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj…” (Suretu Nisa, 11), këtu flitet për trashëgiminë e lidhjes së gjakut ku bëjnë pjesë trungu familjar dhe pasardhësit e të vdekurit. Në ajetin e dytë është fjala e Allahut që thotë: “Juve ju takon gjysma e pasurisë nga ajo që kanë lënë bashkëshortet tuaja.” (Suretu Nisa, 12) Ky ajet flet për trashëgiminë e dy bashkëshorteve dhe vëllezërve nga nëna. Ndërsa ajeti i tretë është fjala e Allahut në fundin e sures Nisa ku thotë: “Ata kërkojnë nga ti (Muhamed) gjykim (për dikë që vdes pa pasur trashëgimtarë). Thuaju: “Allahu ju udhëzon juve për një njeri të tillë.” (Suretu Nisa, 176) Ky ajet flet për trashëgiminë e vëllezërve nga gjaku dhe vëllezërve nga babai.
3 - Nga ajo që sqaruam më parë del në pah se djemtë dhe djemt e djemve e kështu me rradhë, nëse kanë mes tyre femra ato bëhen pjesmarrëse me ta në trashëgimi por mashkulli merr pjesë sa për dy femra. E njëjta thuhet për vëllezërit nga gjaku dhe vëllezërit nga babai; bashkë me ta bëhen pjesmarrëse edhe motrat e tyre por mashkulli merr pjesë sa për dy femra. Djemve të vëllezërve nga nëna nuk u takon asgjë nga trashëgimia, ndërsa fëmijëve të vëllezërve nga gjaku dhe vëllezërve nga babai apo xhaxhallarët e kështu me rradhë, apo fëmijët e xhaxhallarëve e kështu me rradhë, në këtë rast meshkujt e tyre veçohen në marrjen e trshëgimisë nga femrat, sepse femrave nuk u jepet pjesë kur janë të veçuara. Gjithashtu nuk u takon pjesë edhe kur bashkohen, pra në këtë rast veçohen vetëm meshkujt në marrjen e kësaj trashëgimie, e kjo duke u bazuar në fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që thotë: “Jepuni atyre që u takon (me ligj) pjesën e caktuar të trashëgimisë, dhe çfarë të mbetet jepjani burrit mashkull që e meriton më tepër.” Por nëse i vdekuri ka një vajzë apo shumë vajza dhe motër apo motra nga gjaku, e gjithashu ka vëllezër nga babai, në këtë rast vëllezërit nga babai nuk marrin gjë ndërsa motra apo motrat nga gjaku trashëgojnë tepricën e pjesëzës së vajzave, të lidhur bashkë me të tjerët. Këtë që thamë e pohon suneti i Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), hadith të cilin e transmeton Buhariu me nr. 6741 dhe 6742, kështu që veçohet nga hadithi tjetër që thotë: “Jepuni atyre që u takon (me ligj) pjesën e caktuar të trashëgimisë, dhe çfarë të mbetet jepjani burrit mashkull që e meriton më tepër.” Sepse motrat nga gjaku janë më të afërta tek i vdekuri se vëllezërit nga babai.
4 - Dobia e përmendjes së gjinisë mashkull pas fjalës burrë, kur thotë: “jepjani burrit mashkull që e meriton më tepër”, është se burri është ai që ka mbushur një moshë në të cilën gëzon forcë dhe ndihmë. Atij iu bashkangjit fjala mashkull për të treguar se trashëgimia është e lidhur me gjininë dhe jo me burrërinë dhe forcën, kështu që barazohen të gjithë; si i madhi në moshë ashtu dhe i vogli fare.
5 - Prej dobive të nxjerra nga ky hadith janë:
1 - Përsosmëria e legjislacionit dhe gjithëpërmbledhja e tij e rregullave tërësore të përgjishme, siç u pohua në këtë hadith.
2 - Atij që trashëgon i jepet prioritet me anë të ajetit kuranor kështu që i jepet pjesa e tij, ndërsa ajo që mbetet u jepet të tjerëve pa ndonjë llogaritje.
3 - Bazuar mbi këtë hadith, përfitojmë se mendimi më i saktë përsa i përket trashëgimisë së gjyshit dhe vëllezërve është veçimi i gjyshit në këtë trashëgimi dhe jo vëllezërve, sepse gjyshi i përket trungut ndërsa vëllezërit trashëgojnë sepse ai nuk ka lënë trashëgimtarë. Edhe gjyshi është i njëjtë me babain i cili veçohet prej tyre në këtë trashëgimi, gjithashtu mendimi më i saktë mbetet të jetë prioriteti i vëllezërve nga nëna ndaj vëllezërve nga gjaku përsa i përket çështjes së pjesmarrjes. Vëllezërit nga nëna trashëgojnë me tekst kuranor, ndërsa vëllezërit nga gjaku trashëgojnë për shkak të trungut famijar. Atij që trashëgon me tekst kuranor duhet t’i jepet pjesa, ndërsa të tjerët të marrin pjesën e mbetur; nëse mbetet diçka e marrin, në të kundërtën mbeten pa të.