Hadithi - 48
48 - Katër cilësitë e hipokritit.
Abdullah bin Amr (radijAllahu ‘anhu) transmeton se profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Tiparet e hipokrizisë (nifakut) janë katër të cilat po u mblodhën tek ndonjëri është vërtet hipokrit, ndërsa ai që zotëron një prej tyre ka në vetvete cilësi hipokrizie derisa të heqë dorë. Këto tipare janë: Kur flet gënjen, kur premton nuk e mba fjalën, kur ka një konflikt e shkel të drejtën, dhe kur zotohet nuk e përmbush zotimin.” Buhariu dhe Muslimi.
1 - “Tiparet e hipokrizisë (nifakut) janë katër të cilat po u mblodhën tek ndonjëri është vërtet hipokrit, ndërsa ai që zotëron një prej tyre ka në vetvete cilësi hipokrizie derisa të heqë dorë.” Kjo do të thotë se ai që i ka të gjitha këto tipare ka bërë hipokrizi në vepra, ndërsa ai që ka njërën cilësi atëherë ai është i mveshur me një tipar hipokrizie, dhe ashtu do i mbetet derisa të heqë dorë prej saj. Kjo tregon për sqarimin e përsosur të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), sepse në fillim ai përmendi numrin e më pas filloi ti sqaronte një për një. Kjo metodë e nxit dëgjuesin të përgatitet dhe të kuptojë ato që i thuhen prej këtyre tipareve, me qëllim që t’i kërkojë vetes numërimin e këtyre tipareve, e nëse nuk përputhen atëherë e kupton se diçka i ka kaluar.
2 - Tipari i parë ishte gënjeshtra në të folur e kjo duke u treguar të tjerëve fjalë që nuk janë të vërteta, pra tregon për lajme jo reale. Me këtë gjest ai dëmton veten sepse cilësohet me këtë moral të ulët, nga ana tjetër dëmton njeriun të cilit i jep të kuptojë se është i sinqertë në atë që thotë. Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Jini të sinqertë, sepse sinqeriteti shpie drejt mirësisë ndërsa mirësia të çon në xhenet. Njeriu vazhdon të thotë gjithnjë të vërtetën dhe ta kërkojë vazhdimisht atë derisa të shkruhet te Zoti sidik (tepër i vërtetë dhe i sinqertë). Nga ana tjetër kini kujdes nga gënjeshtra sepse gënjeshtra shpie drejt shthurjes e cila të çon në zjarrin e xhehenemit. Njeriu gënjen e gënjen dhe e kërkon vazhdimisht atë, derisa të shkruhet te Zoti kedhab (gënjeshtar shumë i madh).” (E transmeton Muslimi me nr. 2 607)
Tipari i dytë ishte thyerja e premtimit. Kjo ndodh kur ai premton për diçka dhe në brendësinë e tij synon që të mos e mbajë atë. Nga ana tjetër, nëse njeriu premton dhe është i vendosur që ta mbajë premtimin dhe befas i del diçka që e ndalon nga përmbushja e këtij premtimi, në këtë rast ai konsiderohet i justifikuar. Ebu Daudi transmeton me nr. 4991 nga Abdullah bin Amir i cili thotë: “Një ditë më foli nëna ime ndërkohë që Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) qëndronte në shtëpinë tonë, duke më thënë: “Eja të të jap diçka.” Profeti iu drejtua nënës duke i thënë: “çfarë deshe t’i jepje?” Ajo tha: “Deshi t’i jepja hurmë.” Atëherë Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha: “Nëse ti nuk do i jepje asgjë, kjo do të shkruhej gënjeshtër për ty.” (Për më tepër shih librin Vargu i haditheve të sakta me autor Albanin me nr. 748)
Tipari i tretë ishte shkelja e të drejtave gjatë konfliktit e cila ndodh kur një njeri është në konflikt me një tjetër, ai zemërohet dhe i kalon caqet duke kaluar nga drejtësia në padrejtësi. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos t’u pengojë armiqësia që keni ndaj një populli që të tregoheni të padrejtë.” Dhe: “Mos tu pengojë armiqësia ndaj një populli i cili u ndaloi nga xhamia e shenjtë që të tregoheni të padrejtë.”
Hafidh Ibn Haxheri në librin e tij “Fet’hul Bari” (1/90) thotë: “Shkelja e të drejtave është; të distancohesh nga e drejta dhe të bësh dredhira për ta kundërshtuar atë.”
Ndërsa Ibn Rexhebi në librin e tij “Xhamiul Ulumi uel Hikem” (2/486) thotë: “Nëse njeriu posedon pushtet gjatë një konflikti, sido që të jetë ngyrimi i tij; fetar apo në çështjet e kësaj bote, dhe ai i del në ndihmë të kotës duke ia mveshur atij që e dëgjon sikur ajo është e vërteta dhe e përçmon të drejtën duke e nxjerrë në pamjen e të kotës, veprimi i tij është prej të ndaluarave më të mëdha dhe prej tipareve më të ndyra të hipokrizisë.”
Tipari i katërt është mos përmbushja e zotimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe përmbushni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës.” (Suretu Isra, 34) Dhe: “Kur të zotoheni përmbushini zotimet që i keni dhënë Allahut, dhe mos i prishni ato pasiqë i keni pohuar, ndërkohë që Allahun e keni lënë dorëzan në këtë gjë.” Ibn Rexhebi në librin “Xhamiul Ulumi uel Hikem” (2/487-488) thotë: “Prishja e zotimit është e ndaluar për çdo zotim që ndodh mes muslimanëve apo të tjerëve, edhe nëse ai që e merr nën mbrotje është jobesimtar. Për këtë arsye në hadithin e Abdullah bin Amrit Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush vret një njeri muahid (të cilin shteti musliman e ruan që të jetojë në vendet Islame) pa të drejtë, ai nuk do ta ndiej erën e xhenetit edhe pse era e tij ndihet dyzet vjet larg.” (E transmeton Buhariu) Allahu i Madhëruar na urdhëron në librin e Tij që t’i përmbushim zotimet edhe ndaj idhujtarëve, nëse ata u qëndrojnë besnik zotimeve të veta dhe nuk i thyejnë ato. Ndërsa zotimet e muslimanëve mes njëri - tjetrit nuk ka dyshin se janë edhe më të forta, dhe mos përmbushja e tyre është mëkat edhe më i madh.
Prej thyerjeve më të mëdha të zotimeve është kur dikush thyen zotimin dhe besën që i ka dhënë prijësit. Në dy sahihet e Buhariut dhe Muslimit, Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Tri personave Allahu nuk do u flasë ditën e gjykimit, nuk do i pastrojë dhe ata do kenë dënim të dhembshëm…” - dhe në mesin e tyre përmendi; “dhe një njeri që i zotohet një prijësi në çështjet e dunjasë, e nëse ai zotohet e mba zotimin, në të kundërtën e thyen atë.” Tek zotimet të cilat i kemi detyrë që t’i përmbushim dhe na ndalohet t’i thyejmë përfshihen të gjitha aktet e muslimanëve që kryejnë mes tyre nëse ata i pranojnë, siç është shitblerja, martesa etj. prej akteve të domosdoshme të cilat duhen përmbushur. Këtu bën pjesë edhe përmbushja e zotimit që robi e bën për Zotin e tij, siç është zotimi në veprimin e një gjëje etj.”
3 - Prej dobive të nxjerra nga hadithi janë:
1 - Prej mësimdhënies së mirë është kur mësuesi përmend radhitjen me numra para se t’i sqarojë ato.
2 - Në hadith tregohet rrezikshmëria e tipareve të hipokrizisë për njeriun.
3 - Qortimi ndaj gënjeshtrës në të folur dhe se ajo është tipar hipokrizie.
4 - Qortimi ndaj mosmbajtjes së premtimit dhe se ai është tipar hipokrizie.
5 - Qortimi ndaj shkeljes së të drejtave gjatë konliktit dhe se ajo është tipar hipokrizie.
6 - Qortimi nga mos përmbushja e zotimeve dhe se ajo është tipar hipokrizie.