Hadithi - 40





40 - Të jesh në këtë dunja si i huaj apo udhëtar.

 

Ibn Umeri (radijAllahu ‘anhu) transmeton duke thënë: “Një herë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) më kapi te krahu dhe më tha: “Jeto në këtë botë si të ishe i huaj apo udhëtar.” Ibn Umeri pas këtyre fjalëve thoshte: “Kur të ngrysesh mos e prit mëngjesin, e kur të gdhihesh mos e prit mbrëmjen. Merr nga shëndeti yt për rastet e sëmundjeve (që do të vijnë) dhe nga jeta jote për vdekjen (që do të vijë).” Transmeton Buhariu.

1 - Në mënyrën se si Profeti e kapi Ibn Umerin për krahu, me këtë ai e inkurajon për t’i kuptuar gjërat që do i thuhen në ato çaste. Ndërsa lajmërimi i Ibn Umerit me këtë hadith tregon dëgjimin e tij të vëmendëshëm ndaj fjalëve të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), sepse aty ai përmend edhe atë që i ndodhi me Profetin kur i tregoi këtë hadith.

2 - Në fjalët e tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Jeto në këtë botë si të ishe i huaj apo udhëtar”, tregohet se i huaj është ai njeri që nuk qëndron në vendin e tij për të kryer ndonjë nevojë, por që përgatitet për ta lënë atë vend në çdo kohë që të ketë mundësi. Ndërsa udhëtari është mysafiri i cili kalon nëpër vende kalimthi pa qëndruar aty, derisa të mbarojë udhëtimin e tij. Vendi i huaj dhe udhëtimi që përmenden në hadith, simbolizojnë këtë botë dhe ecjen në të drejt ahiretit. E gjithë kjo realizohet duke kujtuar vdekjen, duke pakësuar shpresat si dhe duke u përgatitur për ahiretin me punë të mira, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Pajisuni për gjërat që u nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (Suretu Bekare, 197) Buhariu në sahihun e tij (11/235) ka përmendur nga Ali bin Ebi Talibi se ai ka thënë: “Kjo botë u nis për t’u larguar ndërsa ahireti u nis për të ardhur, dhe secili prej tyre ka fëmijë. Bëhuni djemtë e ahiretit e mos u bëni djem të kësaj bote. Sot njeriu mund të punojë dhe nuk merret në llogari, por nesër do ketë llogari e jo më punë.” I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) na i ka treguar shembullin e kësaj bote dhe fundin e saj, duke na thënë se ajo nuk është e përhershme. Në këtë mënyrë ai shprehet duke thënë: “çfarë kam unë me dunjanë? Në këtë botë unë ngjasoj me një udhëtar i cili pushon në hijen e një peme, pastaj largohet dhe e lë atë.” (E transmeton Tirmidhiu etj. i cili për këtë hadith ka thënë: Hadithi është i saktë)

3 - “Ibn Umeri pas këtyre fjalëve thoshte: Kur të ngrysesh mos e prit mëngjesin, e kur të gdhihesh mos e prit mbrëmjen.” Në këto fjalë del në pah angazhimi i shokëve të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në praktikimin e këshillave që u jepte i Dërguari i Allahut. Gjithashtu, aty del në pah vlera e Abdullah bin Umerit, sepse ai jo vetëm që e praktikoi këshillën e Profetit, por nisi t’i udhëzonte edhe të tjerët në zbatimin e saj. Kjo do të thotë se muslimani duhet ta ketë vdekjen para syve, kështu që duhet të përgatitet me punë të mira, pa u dembelosur dhe pa u vonuar. Të bëjë vepra të mira gjatë ditës me mendimin se nuk do e zërë mbrëmja, gjithashtu të bëjë vepra të mira gjatë natës me mendimin se nuk do e zërë agimi. Në biografinë e Mensur bin Zadhanit në librin Tehdhibul kemal thuhet: “Hushejm bin Beshir el Uasiti thoshte: “Sikur t’i thuhej Mensur bin Zadhanit se meleku i vdekjes po të pret tek dera, ai nuk do kishte më ç’të shtonte në veprat e tij.”

4 - “Merr nga shëndeti yt për rastet e sëmundjeve (që do të vijnë) dhe nga jeta jote për vdekjen (që do të vijë).” Kjo do të thotë se muslimani duhet të angazhohet me punë të mira atëherë kur ta ketë të mundur diçka të tillë dhe kjo kur është mirë me shëndet para se t’i vijë ajo që e pengon nga këto vepra; sëmundja dhe pleqëria. Ai duhet ta ndërtojë jetën e tij me punë të mira, para se ta zërë vdekja në befasi, e kështu të kalojë nga bota e punës në botën e shpërblimit.

5 - Përfitimet që nxirren nga ky hadith janë:

1- Inkurajimi që njeriu të ndihet si i huaj në këtë botë, me qëllim që të përgatitet në të me punë të mira.

2 - Mësuesi mund të bëjë ndonjë veprim që tërheq vëmendjen e nxënësit, me qëllim që ai të kuptojë më mirë ato që i thuhen, kjo duke u bazuar në fjalën e Ibn Umerit: “Një herë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) më kapi tek krahu.”

3 - Iniciativa që kishin sahabët në kryerjen e porosive profetike.

4 - Vlera e Abdullah bin Umerit, i cili e mori këshillën e Profetit dhe i nxiti të tjerët në praktikmin e saj.

5 - Nxitja për inisjativa rreth punëve të mira, pa treguar dembelizëm apo vonesë.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free