Hadithi - 38
38 - Kush e armiqëson një nga të dashurit e Mi, i kam shpallur luftë.
Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kushdo që tregon armiqësi ndaj ndonjë veliu (i dashur tek Allahu), Unë do t'i shpall luftë. Me asgjë më të mirë nuk mund të më afrohet robi Im pos me atë me çfarë Unë e kam obliguar. Robi Im vazhdon duke u afruar tek Unë me vepra vullnetare derisa Unë ta dua atë, e kur ta dua, Unë bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon; syri i tij me të cilin sheh; dora e tij me të cilën sulmon fuqishëm; dhe këmba e tij me të cilën ec. Nëse më kërkon diçka, do t'ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë.” Transmeton Buhariu.
1 - “Kushdo që tregon armiqësi ndaj ndonjë veliu (i dashur tek Allahu), Unë do t'i shpall luftë.” Ky është njëri nga hadithet e shenjta, të cilin Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e transmeton nga Zoti i tij. Sheukani ka shkruar një libër të veçantë ku ka sqaruar këtë hadith dhe e ka titulluar Katrul ueli bi sherhi hadithil uelij. Evlijatë e Allahut të Madhëruar janë besimtarët e devotshëm, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Padyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) Ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).” (Suretu Junus, 62-63) Kuptimi i fjalës: “do t’i shpall luftë” do të thotë; Unë i jap shenjë se jam në luftë me të, - dhe kjo tregon rrezikshmërinë e shfaqjes së armiqësisë ndaj evlijave (të dashurve) të Allahut, dhe se kjo armiqësi është prej mëkatve të mëdha.
2 - “Me asgjë më të mirë nuk mund të më afrohet robi Im, pos me atë me çfarë Unë e kam obliguar.” Në këtë fjali dhe në fjalitë pasardhëse tregohet se dashuria e Allahut arrihet duke iu afruar Atij me praktikimin e detyrimeve (farzeve) dhe me praktikimin e nafileve. Hadithi pohon se afrimi tek Allahu me anë të farzeve është më i dashur për Të se me anë të nafileve, sepse kjo nënkupton praktikimin e asaj që ka urdhëruar dhe distanicmin nga ato që ka ndaluar. Ai që praktikon detyrimet dhe i lë të ndaluarat quhet mesatar, ndërsa ai që i praktikon këto vepra dhe atyre u shton nafilet, ky njeri konsiderohet si i përparuar në të mira.
3 - “Robi Im vazhdon të afrohet tek Unë me vepra nafile (vullnetare) derisa Unë ta dua atë.” Nafilet janë ato vepra të mira që bëhen shtesë ndaj farzeve dhe se praktikimi i tyre dhe vijueshmëria në to sjell dashurinë e Allahut. E kur njeriu arrin dashurinë e Allahut ai me këtë fiton udhëzimin e Allahut në punët e tij, kështu që dëgjon vetëm të vërtetën, sheh vetëm të vërtetën, fiton vetëm atë që është e drejtë dhe ecën vetëm drejt asaj që është e drejtë. Gjithashtu, Allahu e begaton duke i pranuar lutjet e tij dhe duke e mbrojtur në kohën kur kërkon mbrojtje nga Ai.
4 - Përfitimet që nxirren nga ky hadith janë:
1 - Hadithi sqaron vlerën e evlijave të Allahut dhe rrezikshmërinë e armiqësisë kundër tyre.
2 - Dashuria e Allahut arrihet, duke kryer detyrimet dhe duke praktikuar nafilet.
3 - Prej gjërave më të dashura që njeriu afrohet tek Allahu është praktikimi i farzeve.
4 - Pohimi i cilësisë së dashurisë për Allahun e Madhëruar.
5 - Punët që do Allahu kanë gradë të ndryshme nga njëra - tjetra.
6 - Zbatimi i nafileve pas zbatimit të farzeve sjell dashurinë nga Allahu i Madhëruar.
7 - Ai që fiton dashurinë e Allahut të Madhëruar, atë Allahu e udhëzon në dëgjimin, shikimin, lëvizjet dhe të ecurin e tij.
8 - Dashuria e Allahut ndaj një robi i mundëson atij pranimin e lutjeve dhe mbrojtjen nga gjërat që ka frikë.
9 - Shpërblimi i Allahut të Madhëruar që ia jep një njeriu arrihet duke iu përgjigjur kërkesave të tij dhe duke u larguar nga të ndaluarat e tij.