Hadithi - 21





21 - Thauj: I kam besuar Allahut, dhe përmbaju kësaj.

 

Sipas Ebu Amrit, e po ashtu edhe sipas disa të tjerëve si Ebu Amrete Sufjan bin Abdilah (radijAllahu ‘anhu) transmetohet: “Një herë i thashë Profetit: “O i Dërguari i Allahut! Më thuaj diçka për Islamin që të mos kem nevojë të pyes ndonjë tjetër pas teje.” Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u përgjigj: “Thuaj: “I besova Allahut,” - e më pas vijo (qëndro) në këtë rrugë.” Transmeton Muslimi.

1 - Shokët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) janë njerëzit më të kujdesshëm në njohjen e fesë, gjithashtu janë më të përparuarit në çdo të mirë. Kjo pyetje e bërë nga Sufjan bin Abdullahu e përforcon edhe më shumë këtë që pohim, sepse ai i drejtoi të Dërguarit të Allahut këtë pyetje esenciale, e cila kërkon një përgjigje të përmbledhur e të qartë, në mënyrë që pyetësi të mos ketë nevojë të pyesë dikë tjetër pas të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

2 - I Dërguari i Allahut iu përgjigj këtij sahabi me fjalë të pakta, por që kanë një kuptim shumë të gjerë dhe llogariten si fjalët më përmbledhëse të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Thuaj: “I besova Allahut,” - e më pas qëndro në këtë rrugë.” Ai e urdhëroi të shprehte me gjuhë besimin e tij te Allahu dhe çdo gjë që ai përfshin, pa harruar ato që përmend Allahu në librin e Tij dhe në Sunetin e Profetit të Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Në këtë kontekst përfshihen edhe çështjet e fshehta dhe të dukshme sepse imani dhe Islami janë dy fjalë që kur përmenden së bashku, secila prej tyre merr kuptimin përkatës. Nga ana tjetër, nëse Islami dhe imani vijnë të ndarë, ashtu siç përmendet këtu, kjo gjë bën që kuptimet të ndërthuren me njëra-tjetrën (d.m.th. punët e dukshme dhe ato të padukshme). Pas gjithë besimit, bindjes dhe qëndrueshmërisë së tij, ai e urdhëroi për qëndrueshmëri në këtë të vërtetë dhe në këtë udhëzim, pra ta vazhdojë këtë rrugë, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Suretu Ali Imran, 102)

Kjo ka të bëjë me qëndrueshmërinë në bindje ndaj Allahut dhe në bindje ndaj të Dërguarit të Tij, derisa t’ju vijë vdekja në këtë gjendje të mirë. Allahu i Madhëruar e ka sqaruar shpërblimin e atyre që besojnë dhe janë të qëndrueshëm në këtë besim, duke thënë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” (Suretu Fusilet, 30)

Gjithashtu thotë: “Padyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë si shpërblim për atë që kanë punuar.” (Suretu Ahkaf, 13-14)

3 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:

1 - Kujdesi i sahabëve mbi të pyeturit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me fenë e tyre.

2 - Pyetja esenciale që drejtoi Sufjan bin Abdullahu pasqyron logjikën e tij të shëndoshë dhe dëshirën për të marrë një këshillë gjithëpërfshirëse.

3 - Besimi tek Allahu, në Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

4 - Qëndrueshmëria në drejtësi dhe në udhëzim, derisa të na vijë vdekja.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free