Hadithi - 35





35 - Mos kini zili njëri tjetrin, mos u armiqësoni, mos u konfliktoni.

 

Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Mos e kini zili njëri - tjetrin, mos e rrisni artificialisht çmimin ose vlerën e artikujve (që të mendohet se janë të mira), mos e urreni njëri - tjetrin, mos i ktheni shpinën njëri - tjetrit, mos ndërhyni në tregtinë e njërit – tjetrit, duke pretenduar atë që po e blen një tjetër, por jini vëllezër, o robër të Allahut! Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e lë në baltë, nuk e gënjen dhe nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu,” dhe bëri me shenjë nga kraharori i tij tri herë duke thënë: “Një njeriu i mjafton si mëkat të poshtërojë vëllanë e tij musliman. Muslimani e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e muslimanëve.” Transmeton Muslimi.

1 - “Mos e kini zili njëri - tjetrin, mos e rrisni artificialisht çmimin ose vlerën e artikujve (që të mendohet se janë të mira), mos e urreni njëri - tjetrin, mos i ktheni shpinën njëri - tjetrit, mos ndërhyni në tregtinë e njëri - tjetrit, duke kërkuar diçka që po e blen një tjetër.” Në të vërtetë zilia ekziston në çështjet e kësaj bote dhe po ashtu, në çështjet që kanë të bëjnë me botën tjetër. Zilia është ajo ndjenjë kur njeriu urren një të mirë që Allahu ia ka dhuruar dikujt tjetër dhe shpreson që kjo mirësi t’i largohet tjetrit , me çdo kusht dhe shpreson që ta ketë vetëm për vete. Nëse ai shpreson që të ketë një mirësi të ngjashme me atë që i ka dhuruar Allahu një tjetri, pa pasur urrejtje që atë ta ketë edhe dikush tjetër dhe pa shpresuar që t’i shkatërrohet atij, në këtë rast kjo quhet lakmi dhe nuk është diçka e nënçmuar. Përsa i përket çmimit është nënkuptohet rritja e çmimit të mallit artificilalisht, ndërkohë që nuk do ta blejë. Ajo që kërkon ai është që shitësi të ketë dobi me rritjen e çmimit dhe t’i shkaktojë dëm blerësit me rritjen e këtij çmimi. Me urrejtjen nënkuptohet gjurmimi i shkaqeve që sjellin urrejtjen, si dhe kryerja e veprave që e nxisin atë. Me kthimin e shpinës nënkuptohet braktisja dhe bojkoti, pra kur nuk dëshiron ta takojë vëllanë e tij, por secili ia kthen shpinën tjetrit për shkak të urrejtjes që ekziston mes tyre. Ndërhyrje në tregtinë e tjetrit do të thotë: Kur dy persona (shitësi dhe blerësi) janë në fjalë për një artikull dhe është koha kur blerësi kërkon të bëjë zgjedhjen e duhur, atëherë aty vjen një tjetër (tek ky blerës) dhe i thotë: Lëre këtë artikull sepse unë do të të jap të njëjtin artikull por me çmim më të lirë nga çmimi i tij. Ky veprim në realitet shkakton urrejtje mes njerëzve.

2 - “...por jini vëllezër, o robër të Allahut! Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e lë në baltë, nuk e gënjen dhe nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu”, - dhe bëri tregoi nga kraharori i tij tri herë duke thënë: “Një njeriu i mjafton si mëkat të poshtërojë vëllanë e tij musliman.” Pas ndalimit që i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u bëri disa veprave të papaëlqyeshme, ku prej tyre ishte urrejtja mes muslimanëve dhe gjurmimi i shkaqeve që e sjellin atë, më pas ai na udhëzoi drejt disa veprave që u kërkohen muslimanëve. Ai kërkoi që muslimanët të jenë vëllezër, të dashur për njëri - tjetrin, ta mëshirojnë njëri - tjetrin duke menduar mirë, pra, duke u mundësuar dobitë e duke larguar prej tyre çdo dëm. I Dërguari i Allahut e pohoi këtë kuptim edhe më shumë me fjalët: “Muslimani është vëlla i muslimanit” që do të thotë se prej detyrimeve që kërkon vëllazëria është që të dojë për të tjerët, atë që do për vete dhe të urrejë për të tjerët atë që urren për vete. Ndaj nuk duhet t’u bëjë padrejtësi të tjerëve dhe as të hyjë në të drejtat e tyre, për t’u shkaktuar ndonjë dëm. Gjithashtu, nuk duhet ta lërë në baltë kur kërkon ndihmë dhe ai i ka mundësitë që ta ndihmojë, nuk duhet t’i flasë gënjeshtra, nuk duhet ta poshtërojë dhe as ta nënvlerësojë atë. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) shfaqi neverinë e poshtërimit që muslimani i bën vëllait të tij, duke thënë: “Një njeriu i mjafton si mëkat të poshtërojë vëllanë e tij musliman” që do të thotë se i mjafton si e keqe poshtërimi që ai i bën vëllait të tij edhe nëse nuk posedon ndonjë të keqe tjetër veç saj. Ndërmjet ndalimit të poshtërimit dhe sqarimit të së keqes që përmban ky veprim, i Dërguari i Allahut përmendi devotshmërinë duke thënë: “Devotshmëria është këtu, - dhe bëri me shenjë tek kraharori i tij tri herë”, që do të thotë se ajo (devotshmëria) është në zemër. Me këtë ai do të tregojë se vlerësimi bëhet sipas asaj që mbajnë zemrat prej besimit dhe devotshmërisë, sepse mundet që zemra e atij që po poshtërohet të jetë e mbushur me devotshmëri, ndërsa zemra e atij tjetrit që tregoi mendjemadhësi të mos jetë e tillë. Përsa i përket asaj që shprehin disa njerëz që bien në mëkate të qarta, të cilët kur kritikohen për ndonjë mëkat, menjëherë bëjnë me shenjë nga kraharori duke thënë: Devotshmëria është këtu, - ne u themi: Kur devotshmëria arrin në zemër atëherë gjurmët e saj patjetër do të shfaqen në gjymtyrë , siç është shprehur Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Vini re, në trup qëndron një organ që kur është i shëndoshë i tërë trupi bëhet i shëndoshë, e kur ai prishet atëherë prishet i tërë trupi. Ajo është zemra!” Gjithashtu ka thënë: “Vërtet Allahu nuk shikon fizionominë dhe as pasurinë tuaj, përkundrazi, shikon zemrat dhe punët tuaja.” (E transmeton Muslimi me nr. 2 564) Ndërsa disa nga të parët thonin: “Besimi nuk është me shpresa dhe ëndërrime, por është diçka që zë vend në zemër dhe që vërtetohet nga veprat.”

3 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Muslimani e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e muslimanit”, tregojnë se marrja e jetës së njeriut padrejtësisht (gjymtimi apo shkaktimi i plagëve) është i ndaluar. E njëjta gjë thuhet edhe për pasurinë, pra është e ndaluar që t’i merret pasuria me anë të vjedhjes, zaptimi i saj, etj. Gjithashtu, nuk lejohet të nëpërkëmbet nderi i tij me sharje, përgojime, etj. Ndalimin e këtyre tri veprave i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka pohuar edhe më shumë në Haxhin e lamtumirës, duke bashkangjitur shenjtërinë e tyre me shenjtërinë e vendit dhe kohës: “Vërtet jeta juaj, pasuria dhe nderi juaj, janë të shenjta për ju si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj dhe në këtë vend.”

4 - Përfitimet e nxjerra nga ky hadith janë:

1 - Zilia, rritja e çmimeve artificilaisht dhe ndërhyrja në tregëtinë e tjetrit, madje çdo gjë që nxit urrejtje dhe armiqësi mes muslimanëve është e ndaluar.

2 - Ndalohet nxitja e shkaqeve që krijojnë urrejtjen dhe çdo gjë tjetër që rrjedh nga kjo, të tilla siç janë bojkoti dhe braktisja mes muslimanëve.

3 - Hadithi i nxit muslimanët që të jenë vëllezër dhe të shkojnë mirë.

4 - Vëllazërimi mes muslimanëve kërkon që t’u bësh mirë atyre dhe të largosh dëmet prej tyre.

5 - Ndalohet që muslimani t’i bëjë padrejtësi muslimanit, ta lërë në baltë, ta poshtërojë, apo ta gënjejë.

6 - Në hadith tegohet rreziku i poshtërimit të një muslimani dhe se kjo e keqe i mjafton si atij që e poshtëron, edhe nëse nuk ka të këqija përveç kësaj.

7 - Peshorja që tregon për gradën e besimit të njerëzve është devotshmëria, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Suretu Huxhurat, 13)

8 - Vendi i devotshmërisë është zemra, sikurse thuhet në hadith dhe ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Suretu Haxh, 32)

9 - Gjurmët e devotshmërisë që gjendet në zemra i shfaqin gjymtyrët dhe me përmirësimin e zemrës, përmirësohet i gjithë trupi.

10 - Ndalohet dëmtimi i muslimanëve, pasuria dhe nderi i tyre.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free