Hadithi - 08





08 - Jam urdhëruar që t`i luftoj njerëzit derisa.

 

Ibn Umeri (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë, ata do të fitojnë nga unë sigurinë për jetën dhe pasurinë e tyre, nëse janë në pajtim me Islamin. Ndërsa llogarinë e tyre (të brendshme për sinqeritetin) do ta japin përpara Allahut të Madhëruar.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

1 - Në fjalën e Profetit: “Jam urdhëruar” Ai që e urdhëron është Allahu, sepse atë nuk mund ta urdhërojë askush përveç Tij. Nëse një sahab thotë se jemi urdhëruar për këtë send, apo jemi ndaluar nga ky send, në këtë rast ai që I urdhëron dhe i ndalon është i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

2 - Në kohën kur i Dërguari i Allahut ndërroi jetë dhe pas tij erdhi Ebu Bekri, atë kohë dezertuan (u larguan nga feja) shumë prej arabëve dhe filluan të mos e japin zekatin. Ebu Bekri vendosi që t’i luftonte, duke u nisur nga fakti që të drejtës që i takon dy dëshmive është edhe dhënia e zekatit. Ai nuk e dinte hadithin ku namazi bashkë me zekatin u bashkangjiten dy dëshmive, siç u tha në këtë hadith. Me Ebu Bekrin debatoi Umeri, dhe ky debat është transmetuar në Sahihun e Muslimit me nr. 20 nga Ebu Hurejra, i cili thotë: “Kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ndërroi jetë dhe pas tij erdhi Ebu Bekri, atë kohë mohoi ai që mohoi prej arabëve prandaj Umer bin Hatabi i tha Ebu Bekrit: “Cila është arsyeja që dëshiron t’i vrasësh njerëzit në një kohë që Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë, ata do të fitojnë nga unë sigurinë për jetën dhe pasurinë e tyre, nëse janë në pajtim me Islamin. Ndërsa llogarinë e tyre (të brendshme për sinqeritetin) do ta japin përpara Allahut të Madhëruar.” Ebu Bekri tha: “Pasha Allahun, do t’i luftoj ata që bëjnë dallim mes namazit dhe Zekatit sepse Zekati është e drejta që i takon pasurisë. Betohem në Allahun se sikur ata të mos japin qoftë edhe një kapistër (litari që u shkohet kafshëve në qafë për t’i mbajtur ose për t’i tërhequr, fre), duke qenë se e kanë dhënë në kohën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), unë do t’i luftoj për këtë gjë.” Kur i dëgjoi Umeri këto fjalë, tha: “Pas këtyre fjalëve vura re se Allahu ia kishte zgjeruar gjoksin Ebu Bekrit që ta vazhdonte këtë mision, dhe kuptova se kjo ishte e vërteta.”

Hafidh Ibn Haxheri në librin e tij El Fet’h (1/76) thotë: “Disa njerëz e quajtën të papranueshme saktësinë e këtij hadithi sepse nëse këtë hadith do ta kishte ditur Ibn Umeri, atëherë nuk do ta lejonte babanë e tij që të polemizonte me Ebu Bekrin rreth njerëzve që nuk po e jepnin zekatin. Po edhe nëse do e kishin ditur, atëherë Ebu Bekri nuk do t’ia pohonte Umerit argumentimin e tij me fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut”, e të kalonte nga ky argumentim e të merrte shembuj. Sepse ai tha; “do t’i luftoj ata që bëjnë dallim mes namazit dhe Zekatit, sepse Zekati gjithmonë vjen bashkë me namazin në librin e Allahut.” Kësaj i përgjigjemi duke thënë: “Nuk është e thënë që hadithi i përmendur të mos ketë qenë në dijen e Ibn Umerit dhe mundet që ai ta ketë kujtuar në ato momente, por edhe nëse ai do e kishte ditur më parë, nuk është e largët mundësia që ai të ketë munguar në debatin që u zhvillua, gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që ai t’i ketë vënë në dijeni pas një farë kohe.” Nga ana tjetër Ebu Bekri për vrasjen e atyre që nuk japin zekatin, nuk u argumentua vetëm me kijas, përkundrazi atë që e tha ai e kishte marrë nga fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në hadithin që e transmetoi vetë, ku thotë: “…nëse janë në pajtim me Islamin.” Pra, Ebu Bekri tha se zekati është e drejtë që i takon Islamit. Gjithashtu, nuk ishte vetëm Ibn Umeri që e transmetoi këtë hadith, përkundrazi atë e ka transmetuar edhe Ebu Hurejra me shtojcat e namazit dhe zekatit, siç do ta sqarojmë më pas në dashtë Allahu në kapitullin e zekatit.

Në këtë ndodhi ka argument se ndodh që një sunet të mos e dinë disa nga sahabët e mëdhenj dhe ta dinë njerëz nga mesi i tyre. Për këtë arsye nuk ia vlen të merremi me ato mendime sado të forta qofshin ato, nëse ekzistojnë sunete që i kundërshtojnë. Nga ana tjetër nuk është e pëlqyeshme të pyetet si është e mundur që këtë nuk e dinte filani? Vetëm Allahu është ai që jep sukses.”

3 - Nga përgjithësimi i përmendur në hadith- pra që të luftohen derisa të praktikojnë ato që u përmendën në hadith- përjashtohen ithtarët e librave të mëparshëm, të cilët japin taksën (xhizjen). Këtë e themi duke u mbështetur në ajetet kuranore, gjithashtu kjo përfshin edhe të tjerët kur e japin atë (taksën-xhizjen) dhe kjo duke u bazuar në sunetin e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), siç thuhet në hadithin e gjatë të Burejde bin Husajbit që transmetohet në Sahihun e Muslimit me nr. 1 731. Në fillim të tij thuhet: “Kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) caktonte një emir në krye të ushtrisë apo ekspedite, e porosiste veçmas me devotshmëri dhe të sillej mirë me muslimanët që kishte me vete.”

4 - Dëshmitë i mjaftojnë njeriut për të hyrë në Islam, duke qenë se ato janë detyra e parë që i kërkohet një njeriu. Për këtë arsye, nuk duhet t’ua vëmë veshin fjalëve të skolastikëve, të cilët bazohen në disa gjëra të tjera që kanë lidhje me meditimin, apo vullnetin për të medituar. Ibn Dekik el Ijdi në komentin e këtij hadithi thotë: “Hadithi pohon qartë medhhebin e dijetarëve hulumtues dhe shumicës së të parëve dhe të mëvonshmëve, se kur njeriu të besojë bindshëm dhe pa luhatje fenë Islame kjo i mjafton atij dhe nuk është i obliguar që t’i mësojë argumentet e skolastikëve apo ta njohë Allahun përmes tyre.”

5 - Luftimi i atyre që nuk e japin zekatin kryhet atëherë kur ata nuk e japin dhe luftojnë për këtë gjë, por nëse ai nuk lufton atëherë zekati i merret me forcë.

6 - Fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Ndërsa llogarinë e tyre ( të brendshme për sinqeritetin) do ta japin përpara Allahut të Madhëruar”, do të thotë se ai që shfaq Islamin dhe shpreh dy dëshmitë, me këtë gjë ai ka siguruar pasurinë dhe jetën e tij. Nëse ka qenë i sinqertë në pamjen e jashtme dhe atë të brendshme kjo do t’i vlejë atij përpara Allahut, por nëse gjendja e brendshme e tij është në kundërshtim me atë që shfaq me hipokrizi, atëherë ai do të jetë në gradën më të ulët në zjarrin e Xhehenemit.

7- Përfitimet që nxjerrim nga hadithi janë:

1 - Urdhërimi për t’i luftuar, derisa të realizohen dy dëshmitë, namazi dhe zekati.

2 - Në termi punë përfshihet edhe i shprehuri, sepse Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në hadith thotë: “Nëse ata e veprojnë atë…”, pra, e tha këtë pasi përmendi dy dëshmitë, të cilat janë shprehje.

3 - Pohimi i llogarisë së veprave Ditën e Gjykimit.

4 - Ai që nuk e jep zekatin luftohet për këtë gjest, derisa ta japë atë.

5 - Ndër ata që e praktikojnë Islamin u pranohet, ndërsa siqeriteti i tij i brendshëm i lihet Allahut.

6 - Lidhja e ngushtë mes dy dëshmive dhe se ato duhet të vijnë së bashku.

7 - Vërehet rëndësia e madhe e namazit dhe zekatit. Në këtë rast namazi është e drejta që i përket trupit, ndërsa zekati është e drejta që i takon pasurisë.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free