Hadithi - 33
33 - Pretenduesi duhet të sjellë fakte dhe dëshmi, ndërsa pala mbrojtëse mjaftohet me betim.
Ibn Abasi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Po t’ju jepen njerëzve të mira materiale, në bazë të pretendimeve që kanë, atëherë do kishte njerëz që do të pretendonin pasuritë dhe gjakrat e një populli. Kush pretendon diçka duhet të paraqesë prova, ndërsa ai që e mohon pretendimin e tjetrit duhet të betohet.” Hadithi është i sakkë dhe e transmeton Bejhakiu, etj. Një pjesë e tij gjendet në dy librat e saktë të hadithit (Buhariut dhe Muslimit).
1 - Hadithin e Ibn Abasit e transmetoi Buhariu me nr. 4 552 dhe Muslimi me nr. 1 711, ndërsa pjesa më e madhe e tij gjendet në dy Sahihet e tyre. Ajo që nuk shënohet në dy Sahihet e Buhariut dhe Muslimit është fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush pretendon diçka duhet të paraqesë prova, ndërsa ai që e mohon pretendimin e tjetrit duhet të betohet”, e megjithatë, kjo fjali është saktësuar në dy Sahihet në hadithin e transmetuar nga Eshath bin Kajsi tek Buhariu me nr. 4 550 dhe Muslimi me nr. 138 tregimin e ndodhisë së tij me njërin nga djemtë e xhaxhait, ku Profeti i thotë: “Ose ti paraqit provat, ose ai të betohet!”
2 - Ibn Dekik el Ijdi në komentin e librit Dyzet hadithet shprehet: “Ky hadith është prej bazave të dispozitave dhe referenca më e madhe ku njerëzit iu kthehen gjatë polemikave dhe armiqësive. Ky hadith konsiston në faktin se për askënd nuk duhet gjykuar në bazë të pretendimeve të tij.” I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) sqaroi se sikur çdo njeriu t’i miratohej çdo pretendim ndaj dikujt tjetër, atëherë kjo do t’i bënte njerëzit që të vazhdonin të pretendonin akoma edhe pasuritë, edhe gjakrat e njerëzve pambarimisht, por i Dërguari i Allahut e sqaroi këtë çështje në mënyrën më të mirë, në mënyrë që njerëzit ta gjejnë të qartë këtë dispozitë me kërkimin e provave nga pretenduesi.
Këtu përfshihet çdo provë që qartëson të drejtën dhe e pohon atë, qofshin ata dëshmitarë, apo argumente të tërthorta, etj. Nëse ai sjell një provë, atëherë gjykimi është në favor të tij, por nëse ai nuk gjen dot ndonjë provë, atëherë i kërkohet palës tjetër që të betohet. Nëse pala tjetër betohet, përgjegjësia i largohet, por nëse tërhiqet nga betimi, atëherë gjykimi vazhdon të zhvillohet në bazë të kësaj tërheqjeje dhe i kërkohet pretendimi i paditësi i tij. Neveviu në komentin e librit Dyzet hadithet thotë: “Pretenduesit i kërkohet dëshmia sepse në të vërtetë ai pretendon diçka që bie ndesh me origjinën, e cila është pafajësia e garantuar.” Pas kësaj, ai përmendi se në këtë temë veçohen shumë çështje, në të cilat pranohet fjala e pretenduesit, edhe pa prova, siç është rasti i pretendimit të babait për nevojën e tij që të martohet, apo pretendimi i mendjelehtit që do të martohet, pa lënë mënjanë argumentet e tërthorta ose rasti kur gruaja pretendon se e ka kaluar afatin e pritjes dhe e ka lindur fëmijën, pretendimi i një fëmije se ka arritur moshën e pjekurisë me anë të nxjerrjes së spermës në gjumë, pretendimi i një dorëzani se i është shkatërruar malli që i është lënë në ruajtje ose që ia kanë vjedhur etj. Në këtë rast, pretenduesi është ai që kërkon të drejtën e tij dhe nëse ndodh që ai të heshtë, e drejta e tij bie poshtë, ndërsa tjetri i cili akuzohet për diçka, nëse hesht, akuza ndaj tij nuk bie poshtë.
Ibn Mundhiri transmeton në Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/230): “Të gjithë dijetarët kanë rënë në mendim unanim se ai që pretendon diçka duhet të sjellë prova, ndërsa betimin duhet ta bëjë ai prej të cilit pretendohet. Ai thotë: “Kuptimi i fjalës pretenduesi duhet të sjellë prova do të thotë se me anë të tyre ai meriton gjërat që pretendon dhe që janë e drejtë e tij (që t`i kthehen) e për to do të merret në llogari (nëse i ka përfituar pa të drejtë). Ndërsa kuptimi i fjalës; betimin e bën ai, prej të cilit pretendohet diçka, do të thotë se me anë të betimit ai konsiderohet i pafajshëm, gjë e cila kërkohet prej tij dhe merret në llogari në çdo kohë.”
3 - Pretenduesit i kërkohet të sjellë prova për çështjet e kësaj bote, gjithashtu i kërkohet të sjellë dhe prova që kanë të bëjnë me çështjet e botës tjetër. Kush pretendon se e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), pretendimi i tij konsiderohet i sinqertë, vetëm atëherë kur të ndjekë të Dërguarin siç thotë Allahu i Madhëruar në librin e Tij: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!” (Suretu Ali Imran, 31) Ibn Kethiri në komentin e këtij ajeti ka thënë: “Ky ajet fisnik është gjykatës për cilindo që pretendon dashurinë ndaj Allahut, në një kohë kur nuk është në rrugën e Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Në këtë rast ai kosiderohet gënjeshtar, derisa të ndjekë legjislacionin e Muhamedit dhe fenë e tij në të gjitha mënyrat, me fjalë dhe me vepra, ashtu sikurse është saktësuar në një hadith të saktë, ku i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush bën një punë, e cila nuk përputhet me çështjen tonë, ajo është e refuzuar.” Kjo ishte dhe arsyeja që Allahu i Madhëruar tha: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!” Kuptimi i këtij ajeti është se ju do të arrini diçka më shumë se ajo që kërkuat dhe ajo është dashuria juaj për të dhe dashuria e Allahut ndaj jush e cila është më e madhe se ajo e para, siç kanë thënë disa dijetarë të urtë: “Nuk është e habitshme që të duash, por e habitshme është të të duan të tjerët.” Ndërsa Hasen el Basriu e të tjerë nga të parët tanë të mirë thonin: “Disa njerëz pretenduan se e donin Allahun, por Allahu i sprovoi ata me këtë ajet.”
4 - Përfitimet e nxjerra nga ky hadith janë:
1 - Gjithëpërfshirja e këtij legjislacioni, i cili ruan pasuritë dhe gjakun e njerëzve.
2 – Shpjegimi që u bëri Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) rrugëve, të cilat japin zgjidhje mes dy palëve kundërshtare.
3 - Nëse i akuzuari nuk pranon, atëherë paditësi duhet të sjellë provat për pretendimet e padisë së tij.
4 - Nëse nuk parashtrohen provat, atëherë të akuzuarit i kërkohet që të betohet dhe në këtë mënyrë ai konsiderohet i pafajshëm, e nëse nuk betohet atëherë gjykatësi gjykon kundër tij.