Hadithi - 32
32 - Nuk duhet të ketë dëm për asnjërën palë.
Ebu Seid Sead bin Malik bin Sinan el Hudri (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk duhet të lëndohet vetja e as të tjerët!” Hadithi është i saktë. Transmetoi Ibn Maxheh, Derakutni, etj., me zinxhirë të rregullt. Si mursel (fjalë që i referohet Tabi’init) e transmetoi Maliku në librin El Mueta nga Amr bin Jahja, e ky nga babai i vet, e ky i fundit nga Profeti, por në zinxhir ai nuk e përmendi Ebu Seidin. Hadithi ka edhe rrugë të tjera transmetimi që forcojnë njëra - tjetrën.
1 - Ky hadith përmban një prej rregullave të legjislacionit Islam që është moslëndimi i vetes dhe të tjerëve. Hadithi ndalon rreptësisë që njeriu të kryejë dëmtimin e vetes, apo të të tjerëve. Dëmtimi që njeriu mund t’i bëjë vetes mund të ndodhë me qëllim ose jo, ndërsa dëmtimi që ai u bën të tjerëve ka gjithmonë qëllim në vetvete. Hafidh Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/212) thotë: “Dijetarët kanë rënë në polemika rreth dy shprehjeve të përdorura në hadith, nëse ka ndryshim mes tyre apo jo? Disa pretenduan se ato kanë të njëjtin kuptim dhe vijnë në formën e miratimit, por më e sakta është se mes tyre ka dallim. Më pas, disa të tjerë thanë se dëmtimi në këtë rast është emri, ndërsa shkaktimi i dëmtimit është veprimi që do të thotë se vetë dëmi nuk duhet të ekzistojë në legjislacion, gjithashtu edhe cënimi i të tjerëve pa të drejtë nuk duhet të ekzistojë.
Disa të tjerë kanë thënë se dëm konsiderohet kur i bën tjetrit një dëm për të përfituar vetë. Ndërsa dëmtimi i të tjerëve do të thotë që t’u bësh dëm atyre në diçka që nuk kanë përfitim, si shembulli i një njeriu që e privon dikë nga diçka që nuk e dëmton, por që realisht e lëndon njeriun e privuar. Këtë mendim e zgjodhën një grup dijetarësh ku prej tyre mund të përmendim: Ibn Abdul Berrin, Ibn Salahun, etj.
Disa të tjerë kanë thënë se dëm përbën lëndimi i dikujt me diçka që vetë nuk të lëndon, ndërsa me fjalën “të tjerët” i drejtohet dikujt që e ke lënduar më herët në mënyrë jo të ligjshme. E megjithatë, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ndaloi lëndimin e vetes dhe të tjetrit, nëse bëhet pa të drejtë, sepse të lëndosh dikë me të drejtë me motivin se ai i ka kaluar kufijtë e përcaktuar nga Allahu, në këtë rast ndëshkohet në masë të krimit që ka bërë. Ose në rastin kur ai i ka bërë padrejtësi vetes apo të tjerëve, në këtë rast i dëmtuari kërkon ballafaqimin me të me drejtësi, pra ky rast nuk është për qëllim në hadith. Ajo në të cilën aludon hadithi është kur dikë e lëndon pa të drejtë dhe kjo ndodh në dy forma:
E para: Kur me këtë veprim ka për qëllim lëndimin e të tjerëve dhe mbi këtë pretendim nuk ka dyshim mbi të keqen dhe ndalimin e saj. Në Kuran ndalohet cënimi I dikujt, ku përfshihet edhe cënimi i testamentit. Allahu i Madhëruar thotë: “Pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi duke mos dëmtuar askënd…” (Suretu Nisa, 12)
Më pas Ibn Rexhebi (2/217) vijon duke thënë: “E dyta: Kur bëhet fjalë për ndonjë qëllim të qartë, siç është rasti kur ai shfrytëzon pasurinë e tjetrit gjëra që janë në interesin e tij. Rjedhimisht, ai vazhdon t’u bëjë dëm të tjerëve ose i ndalon të tjerët që të përfitojnë nga malli i tyre, duke e ruajtur prej tyre, e në këtë mënyrë i privuari dëmtohet me këtë gjest.”
2 - Përfitimet e nxjerra nga ky hadith janë:
1 - Në hadith tregohet përsosmëria e këtij legjislacioni mb i largimin e dëmit ndaj vetes dhe të tjerëve.
2 - Muslimani nuk duhet t’i dëmtojë të tjerët e as veten.