Hadithi - 36





36 - Kush ia lehtëson një brengë vëllait të tij në këtë dunja.

 

Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e çliron muslimanin nga një shqetësim, atë do ta çlirojë Allahu nga një shqetësim Ditën e Gjykimit. Kush e lehtëson një njeri në vështirësi, Allahu do ta lehtësojë në këtë botë dhe në botën tjetër. Kush i mbulon të metat një muslimani, Allahu do t’ia mbulojë atij të metat Ditën e Gjykimit. Allahu do ta ndihmojë robin e Vet, për sa kohë që ky ndihmon vëllanë e vet. Ai që merr një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu do t’i lehtësojë një rrugë për në Xhenet. Sa herë që të mblidhen njerëz në një nga shtëpitë e Zotit për të lexuar Kuranin dhe për ta studiuar atë mes tyre, mbi ta do të zbresë qetësia dhe do t’i mbulojë mëshira, do t’i rrethojnë engjëjt dhe Zoti do t’i përmendë tek të zgjedhurit e Tij. Atë që e lënë pas veprat e tij, nuk mund ta shpjerë përpara prejardhja e tij!” Me këto fjalë e transmetoi Muslimi.

1 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush e çliron muslimanin nga një shqetësim, atë do ta çlirojë Allahu nga një shqetësim Ditën e Gjykimit”, me shqetësim është për qëllim ankthi dhe fatkeqësia, ndërsa çlirimi prej saj është largimi i saj plotësisht. Shpërblimi për atë që e çliron muslimanin nga një vështirësi në këtë botë është që Allahu ta çlirojë atë nga një vështirësi, prej vështirësive të Ditës së Gjykimit, sepse shpërblimi merret në bazë të punës. Nuk ka dyshim se shpërblimi që merr atë ditë është më i madh, kjo për shkak të vëshitrësive që ka ajo ditë dhe dobive të mëdha që përfiton njeriu kur t’i largohen vështirësitë.

2 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush e lehtëson një njeri në vështirësi, Allahu do ta lehtësojë në këtë botë dhe në botën tjetër”, tregohet se shpërblimi merret në bazë të punës. Në këtë rast puna ishte lehtësimi i një njeriu në vëshitrësi, e kjo duke e ndihmuar në largimin e vështirësive të tij. Kështu që, nëse borxhliu e ndihmon duke i dhënë atij që shlyen borxhin që i përket atij, atëherë i jep afat edhe nëse nuk ia fal atë, edhe pse e faluara është më e mirë se pritja. Ky fakt bazohet në fjalën e Allahut që thotë: “Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit), derisa ta përmirësojë gjendjen, por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit.” (Suretu Bekare, 280) Ndërsa Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) shpjegoi se shpërblimi për atë që lehtëson është lehtësimi në këtë botë dhe në botën tjetër.

3 - “Kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu do t’ia mbulojë atij të metat Ditën e Gjykimit”, edhe ky veprim është mbulim i të metave në këtë botë, ndërsa shpërblimi për të është mbulimi i tyre në këtë botë dhe në botën tjetër. Mbulimi është të fshehësh një të metë dhe të mos e shfaqësh atë. Ndaj, cilido që është njohur si njeri i rregullt, por ndodh që bie në mëkate, ai duhet të këshillohet dhe mëkati i tij të mos tregohet, ndërsa të mbulosh të metat e atij që njihet si i prishur dhe kriminel, ndoshta e ndihmon në nënvlerësimin e mëkatit që bën e kështu vazhdon dhe stërgjatet më shumë. Mënyra më e mirë në këtë rast është që mëkatet e tij të mos mbulohen, me qëllim që të bjerë ndëshkimi mbi të dhe ta pengojë një herë e mirë nga mëkatet dhe krimet që bën.

4 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Allahu do ta ndihmojë robin e Vet, për sa kohë që ky ndihmon vëllanë e vet”, vihet re inkurajimi që muslimani të ndihmojë vëllanë e tij musliman, sepse sa herë që ai ndihmon vëllezërit ai arrin ndihmën dhe udhëzimin nga Allahu. Pra, kjo është një nga fjalët përmbledhëse që përdorte i Dërguari i Allahut.

5 - “Kush merr një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu do t’i lehtësojë një rrugë për në Xhenet.” Në këto rreshta Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nxit për kërkimin e dijes fetare dhe gjetjen e rrugëve që shpien në marrjen e saj, si p.sh. me anë të udhëtimit, apo duke vepruar punët që të mundësojnë marrjen e saj: me anë të librave të dobishëm, duke i lexuar dhe përfituar prej tyre, ndjekja e dijetarëve dhe përfitimi nga ata, etj. Shpërblimi i Allahut për këtë është që t’i lehtësojë rrugën që e shpie drejt Xhenetit. Kjo duke i mundësuar atij përfitimin nga dija që kishte si qëllim, madje kështu ia lehtëson edhe më shumë marrjen e diturisë. Gjithashtu i mundëson ta praktikojë dijen që ka në dispozitat e sheriatit, gjë e cila gjithashtu e shpie në Xhenet.

6 - “Sa herë që të mblidhen njerëz në një nga shtëpitë e Zotit për të lexuar Kuranin dhe për ta studiuar atë mes tyre, mbi ta do të zbresë qetësia dhe do t’i mbulojë mëshira, do t’i rrethojnë engjëjt dhe Zoti do t’i përmendë tek të zgjedhurit e Tij.” Shtëpitë e Allahut janë xhamitë, të cilat i kushtohen Allahut në formë nderimi. Xhamitë janë vendet më të dashura tek Allahu, ky fakt bazohet në fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që thotë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë, ndërsa vendet më të urryera tek Ai janë tregjet.” (E transmeton Muslimi me nr. 671) Në hadith vërehet inkurajimi për tubimin nëpër xhami për të lexuar dhe studiuar Kuranin, librin e Allahut. Kjo arrihet në këtë formë; njëri lexon dhe të tjerët dëgjojnë ose duke lexuar me rradhë dhe duke korrigjuar njëri - tjetrin gjatë gabimeve. Në këtë mënyrë, secili përfiton nga tjetri, arrihetpërmirësimi i leximit dhe korrigjimi i gabimeve nëse ndodhin. Nëse mes tyre qëndron ndonjë dijetar që ka njohuri rreth komentimit, ai mund t’i mësojë, por nëse të gjithë kanë dituri, atëherë mund t’i mësojnë të gjithë së bashku kuptimet e tij, duke iu referuar librave të komentit si në trasmetime, ashtu edhe në tekstet që janë ndërtuar mbi rrugën që kanë ndjekur të parët e këtij umeti. Shpërblimi për ata që mblidhen në xhami për të lexuar dhe studiuar Kuranin shpaloset në katër forma: zbritja e qetësisë, mbulimi i mëshirës, rrethimi i engjëjve dhe përmendja nga Allahu tek paria e engjëjve.

7 - Fjalët e tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Atë që e lënë pas veprat e tij, nuk mund ta shpier përpara prejardhja e tij!” tregojnë se atë që e lë pas puna e tij për të hyrë në Xhenet, atë nuk mund ta shpjerë përpara prejardhja e tij në hyrjen në Xhenet. Ajo që merret në konsideratë është vetëm besimi dhe devotshmëria, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Suretu Huxhurat, 13)

Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/308) thotë: “Kjo do të thotë se puna është ajo që e çon njeriun në gradët më të larta të ahiretit, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “çdo kush do t’i ketë gradët e tij sipas asaj që ka vepruar.” Ndaj, atë që e lë pas puna e tij që të arrijë gradët e larta tek Allahu, nuk mund ta çojë përpara prejardhja e tij për t’i arritur ato grada. E themi këtë sepse Allahu e ka vendosur shpërblimin për punët dhe jo për prejardhjen, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Kur të fryhet në Sur (Ditën e Ringjalljes), atëherë midis tyre nuk do të ketë lidhje farefisnore dhe ata as që do të pyesin për njëri - tjetrin.” (Suretu Muminun, 101) Ibn Rexhebi vijon duke thënë: “E mbi këtë kuptim ndërtoheshin vargjet e disa poetëve që thonin: Betohem se njerëzit vlerësohen vetëm për fenë që kanë, Mos e lër devotshmërinë duke u mbështuetur në prejardhje.”

Islami e ngriti Selmanin që ishte Persian, e shirku poshtëroi atë (Ebu Lehebin) që gëzonte prejardhje.

8 - Përfitimet e nxjerra nga ky hadith janë:

1 - Inkurajimi për të kontribuar në largimin e vështirësive një muslimani në këtë botë, sepse Allahu për këtë i largon atij nga vështirësitë e Ditës së Gjykimit.

2 - Shpërblimi jepet në varësi të punës. Nëse puna është largim i një vështirësie, atëherë edhe shpërblimi është largim vështirësie.

3 - Inkurajimi për t’ua lehtësuar punët atyre që janë në vështirësi dhe shpërblimi për këtë është lehtësimi që ata do të përfitojnë në këtë botë dhe në botën tjetër.

4 - Inkurajimi për të mbuluar të metat, nëse ka dobi që të mbulohen dhe shpërblimi për këtë vepër është mbulimi i tyre në këtë botë dhe në botën tjetër.

5 - Hadithi nxit në ndihmën reciproke mes muslimanëve dhe duhet që gjithmonë të ndihmohen. Me këtë ata do fitojnë ndihmën dhe udhëzimin e Allahut.

6 - Në hadith tregohet vlera e kërkimit të diturisë fetare.

7 - Tregohet vlera e tubimeve në xhami për të lexuar dhe studiuar Kuranin.

8 - Besimi dhe punët e mira konsiderohen shkak që e fusin njeriun në Xhenet dhe me anë të tyre njeriu arrin grada të larta tek Allahu i Madhëruar.

9 - Njeriut nuk i vlen prejardhja e ndershme, pa bërë punë të mira që e afrojnë tek Allahu i Madhëruar.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free