Hadithi - 50
50 - Të mos pushojë gjuha jote nga të përmendurit e Allahu.
Abdullah bin Busr (radijAllahu ‘anhu) thotë: “Erdhi një njeri tek Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe i tha atij: O i Dërguari i Allahut, vërtet dispozitat Islame janë të shumta, prandaj na trego diçka përmbledhëse të cilën mund ta bëjmë rregullisht? Profeti i tha: “Të mos pushojë gjuha jote nga të përmendurit e Allahut.” Këtë hadith e transmetoi Imam Ahmedi me këto fjalë, ndërsa Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Ibn Hibani e transmetuan të përafërt me këtë kuptim. Tirmidhiu tha se hadithi është i mirë dhe garib.
1 - Pyetja që ky njeri i bëri Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) është një prej shembujve të shumtë, të cilët tregojnë se si shokët e Profetit e pyesnin atë në çështjet e fesë. E gjithë kjo pohon edhe më shumë vlerën dhe personalitetin e tyre në kujdesjen që tregonin sahabët për çdo të mirë dhe garimin drejt tyre. Qëllimi i dispozitave që janë shtuar janë nafilet dhe ky sahab deshi të mësonte një rrugë prej rrugëve të hajrit, për të cilën do tregonte kujdes të madh me qëllim që të arrinte shpërblime nga Allahu i Madhëruar.
Përsa u përket farzeve, ato të gjitha janë të kërkuara dhe muslimani duhet të kapet fort pas tyre. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) iu përgjigj atij me vijueshmërinë në përmendjen e Allahut, dhe që gjuha e tij të ishte gjithmonë e angazhuar me përmendjen e Tij.
Dhikri është i përgjithshëm dhe i përvetshëm. Në dhikrin e përgjithshëm përfshihen; namazet, këndimi i Kuranit, marrja e mësimeve, mësimdhënia, falënderimi ndaj Allahut dhe lavdërimi i Tij, pastrimi dhe shenjtërimi i Tij larg çdo gjëje që nuk ka lidhje me Të. Dhikri i përvetshëm përfshin; falënderimin e Allahut dhe lavdërimin e Tij, tesbihun, tehlilin, tekbirin dhe tahmidin. Ky lloj dhikri lidhet ngushtë me lutjet, prandaj dhe thuhet; dhikri dhe lutjet, ose; lutjet dhe dhikret. Kjo vepër është e lehtë për njeriun dhe gëzon shpërblime të mëdha tek Allahu.
Në dy librat e saktë të hadithit shënohet një hadith i cili është hadithi i fundit në sahihun e Buhariut, ku Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë: “Dy fjalë janë të dashura te Mëshiruesi, të lehta për t’u shqiptuar dhe të rënda në peshojë. Ato janë; subhanAllahi ue bihamdihi dhe subhanAllahil adhim.”
2 - Prej dobive të nxjerra nga ky hadith janë:
1 - Kujdesi që tregonin sahabët për të pyetur rreth çështjeve që kishin të bënin me fenë e tyre.
2 - Vlera e përmendjes së Allahut të Madhëruar dhe vijueshmërisë në këtë vepër.
Ky ishte fundi i këtij shpjegimi. Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botrave, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!