Hadithi - 10





10 - Allahu është i mirë dhe nuk pranon diçka tjetër veç të mirës.

 

Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet Allahu është i Mirë dhe nuk pranon vetëm se vepra të mira. Ai i ka urdhëruar besimtarët, ashtu sikurse i pati urdhëruar të Dërguarit. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju të dërguar! Hani gjërat e mira (hallall) dhe punoni mirë.” Gjithashtu ka thënë: “O ju që besoni, hani gjërat e mira (hallall) të cilat ua kemi dhënë.” Më pas, Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) përmendi një njeri, i cili udhëtoi shumë, me flokë të shprishura (i pakrehur) e të pluhurosura e që drejtonte duart nga qielli duke thënë: “O Zot, o Zot! Në një kohë kur është ushqyer me haram, ka pirë haram, është veshur me haram dhe ka punuar me haram. (Një njeriu të tillë) Si mund t’i pranohet lutja?!” Transmeton Muslimi.

1 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Vërtet Allahu është i Mirë dhe nuk pranon vetëm se vepra të mira”, pohojnë se prej emrave të Allahut është dhe emri Et Tajib (i Mirë) dhe se Allahu i pranon ato punë që janë të cilësuara si të mira. Kjo përfshin të gjitha llojet e punëve ku prej tyre është dhe fitimi. Prandaj njeriu duhet të kryejë vetëm vepra të mira, të fitojë vetëm të mira (hallall) dhe të shpenzojë vetëm prej fitimeve të mira.

2 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Ai i ka urdhëruar besimtarët, ashtu sikurse i pati urdhëruar të Dërguarit. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju të dërguar! Hani gjërat e mira (hallall) dhe punoni mirë.” Gjithashtu ka thënë: “O ju që besoni, hani gjërat e mira (hallall) të cilat ua kemi dhënë.” Në këto dy ajete Allahu i urdhëron të Dërguarit dhe ata, tek të cilët u dërguan profetët që të ushqehen me të mirat (hallall). Ashtu sikurse profetët që ushqehen vetëm me të mirën (hallallin), të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe ndjekësit e tyre, pra duhet të ushqehen vetëm me të mirën (hallallin).

3 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Më pas Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) përmendi një njeri, i cili udhëtoi shumë, me flokë të shprishura (i pakrehur) e të pluhurosura, që drejtonte duart nga qielli duke thënë: “O Zot, o Zot! Në një kohë kur është ushqyer me haram, ka pirë haram, është veshur me haram dhe ka punuar me haram. (Një njeriu të tillë) Si mund t’i pranohet lutja?!” Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) shpjegon se Allahu nuk pranon vetëm se të mirën dhe se të Dërguarit dhe besimtarët u urdhëruan që të ushqehen nga të mirat (hallalli), pas kësaj shpjegoi gjendjen e disa njerëzve që e kundërshtojnë këtë rrugë, ndërkohë që ushqimin nuk e kanë të mirë (hallall). Përkundrazi, ata kthehen dhe mundohen ta fitojnë haramin, duke e përdorur në të gjitha aspektet e jetës, në ushqim dhe në veshje. Kjo (të ushqyerit me haram) shkakton mospranimin e lutjes së tij, megjithëse në pamje të parë shkaqet për të cilat të pranohet lutja ishin të pranishme, si psh: udhëtimi i gjatësinë, gjendja e tij me flokë të pakrehur dhe i pluhurosur, zgjatja e duarve të tij gjatë lutjes, si dhe lutja që ai i bën Allahut në madhështinë e Tij, shtoi kësaj dhe angazhimin e tij të plotë duke i përsëritur fjalët. E megjithatë fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Si mund t’i pranohet lutja?!” nënkupton pamundësinë e pranimit të lutjes përderisa ekzistojnë arsyet (ushqyerja me haram) që e ndalojnë pranimin e saj.

4 - Përfitimet që mund të përmendim:

1 - Et Tajib (i Mirë) është një ndër emrat e Allahut dhe do të thotë “i Pastër” nga të metat. Gjithashtu, prej cilësive të Tij është dhe e mira sepse prej të gjithë emrave të Allahut nxirren dhe pohohen attribute të Tij.

2 - Muslimani duhet të veprojë mirë dhe të fitojë në mënyrë të ndershme.

3 - Sadakaja pranohet vetëm kur është nga pasuria hallall. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin pa abdes, gjithashtu nuk e pranon sadakanë e atij që e jep nga malli i zaptuar.” (E transmeton Muslimi me nr. 224)

4 - Allahu i Madhëruar u ka dhënë njerëzve shumë të mira dhe i ka urdhëruar që të ushqehen me ushqime të mira (hallall).

5 - Të ushqyerit me haram çon në mospranimin e lutjes.

6 - Një prej arsyeve që çojnë në pranimin e duasë është udhëtimi dhe gjendja e njeriut kur lutet, duke qenë i pakrehur dhe i pluhurosur.

7 - Gjithashtu ndër arsyet është edhe ngritja e duarve gjatë duasë.

8 - Drejtimi nëpërmjet emrave të Allahut.

Prej këtyre arsyeve është dhe këmbëngulja deri në plotësimin e duasë (me qëllim që Allahu t’i përgjigjet asaj).

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free