Hadithi - 29
29 - Adhuroje Allahun duke mos i bërë shok asgjë.
Muadh bin Xhebeli (radijAllahu ‘anhu) transmeton duke thënë: “Një ditë e pyeta të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “O i Dërguari i Allahut! Më trego për një punë, e cila më shpie në Xhenet dhe më largon nga zjarri.” I Dërguari i Allahut tha: “Ke pyetur për diçka shumë të madhe, edhe pse ajo është e lehtë për cilindo që Allahu i Madhëruar ia lehtëson atë. Adhuroje Allahun dhe mos i bëj ortak askënd, fale namazin, jepe Zekatin, agjëroje Ramazanin dhe kryej Haxhin.” Më pas, më tha: “A do të t’i tregoj të gjitha dyert e hajrit? Agjërimi është mburojë, sadakaja i shuan mëkatet, ashtu sikurse uji e shuan zjarrin, po ashtu edhe namazi i një njeriu në mes të natës; dhe nisi të lexonte ajetin: “Ata ngrihen nga shtrati” dhe e përfundoi me ajetin; “si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” Më pas më pyeti: “A dëshiron të të tregoj thelbin e çështjes, shtyllën dhe kulmin e saj?” Unë iu përgjigja: “Patjetër o i Dërguari i Allahut.” Ai vazhdoi: “Thelbi i çëshjtes është Islami, shtylla e saj është namazi dhe kulmi i saj është Xhihadi.” Më pas shtoi: “A të të tregoj thelbin e gjithë kësaj?” Unë iu përgjigja: “Patjetër o i Dërguari i Allahut!” Ai kapi gjuhën e tij me dorë dhe më tha: “Ndaloje këtë!” Unë i thashë: “O profeti i Allahut, vallë edhe për fjalët që flasim do të merremi në përgjegjësi?” Ai m’u përgjigj: “Mos të pastë nëna o Muadh, a ka gjë tjetër që i hedh njerëzit më shumë në zjarr se gjuhët e tyre të këqija?!” Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se ky hadith është me zinxhir të mirë transmetimi dhe i saktë.
1 - Fjalët e Muadhit: “O i Dërguari i Allahut! Më trego për një punë e cila më shpie në Xhenet dhe më largon nga zjarri”, pohojnë kujdesin që tregonin sahabët në njohjen e punëve, të cilat të shpien në Xhenet dhe të ruajnë nga zjarri. Në hadith pohohet gjithashtu, ekzistenca e Xhenetit dhe zjarrit dhe se të dashurit e Allahut bëjnë vepra të mira për të fituar Xhenetin dhe për t’u ruajtur nga zjarri. Në kundërshtim me fjalët e disa sufijve që shprehen se nuk e adhurojmë Allahun nga dëshira për Xhenetin e as nga frika prej zjarri, fjalë që janë të kota, sahabët tregonin kujdes të madh në njohjen e atyre punëve që të shpien në Xhenet dhe të largojnë nga zjarri. Allahu i Madhëruar kur flet për të dashurin e Tij, Ibrahimin thotë: “Dhe më bëj një nga trashëgimtarët e Xhenetit të begatë!” (Suretu Shuara, 85) Ajo që pohon se punët e mira janë shkak për hyrjen në Xhenet janë ajetet e shumta kuranore ku prej tyre është fjala e Allahut që thotë: “Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë trashëgim për atë që keni bërë.” (Suretu Zuhruf, 72) “Padyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë si shpërblim për atë që kanë punuar.” (Suretu Ahkaf, 13 - 14)
Ky pohim nuk bie ndesh me hadithin: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet me punën e tij.” E pyetën: “As ti o i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “As unë, vetëm nëse Allahu më përfshin në mëshirën e Tij.” (Transmeton Buhariu me nr. 6 463 dhe Muslimi me nr. 2 816) Kuptimi i fjalisë në hadith flet për kompensim, ndërsa tek ajetet tregohet se punët janë shkaku i këtij kompesimi, ndaj hyrja në Xhenet nuk është kompensim me anë të punëve, përkundrazi, punët janë thjesht shkak për hyrjen në të. Allahu i Madhëruar me mirësinë e Tij i ka dhënë sukses këtij shkaku, pra punëve të mira, gjithashtu, ka dhuruar shpërblimin që është hyrja në Xhenet. Kështu që e gjithë merita si për shkakun dhe shkaktarin, i kthehet vetëm tek Allahut të Madhëruar.
2 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Ke pyetur për diçka shumë të madhe, edhe pse ajo është e lehtë për cilindo që Allahu i Madhëruar ia lehtëson atë”, tregohet rëndësia e madhe e kësaj pyetjeje, si dhe inkurajimi për të bërë pyetje të tilla, duke marrë parasysh faktin që i Dëguari i Allahut e cilësoi pyetjen të rëndësishme. Me gjithë madhështinë dhe vështirësinë e praktikimit të saj, i Dërguari i Allahut shpjegoi atë që tregonte lehtësinë e atyre veprave, për dikë që Allahu ia lehtëson. Gjithashtu, kjo tregon se muslimani duhet të durojë në kryerjen e adhurimeve, edhe nëse janë të vështira për shpirtrat, sepse e ardhmja e durimit është e mirë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” (Suretu Talak, 4) Ndërsa i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Xheneti është rrethuar me vështirësi, ndërsa zjarri është rrethuar me epshe.” (Transmeton Buhariu me nr. 6 487 dhe Muslimi me nr. 2 822)
3 - “Adhuroje Allahun dhe mos i bëj ortak askënd, fale namazin, jepe zekatin, agjëroje Ramazanin dhe kryeje Haxhin.” Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) shpjegoi se gjëja kryesore, me anë të së cilës njeriu afrohet tek Allahu, arrin të hyjë në Xhenet dhe të shpëtojë nga zjarri është praktikimi i obligimeve, të cilat në këtë hadith janë pesë shtyllat e Islamit që janë përmendur në Hadithin e Xhibrilit dhe në Hadithin e Ibn Umerit: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla.” Nga ana tjetër, në një hadith kudsij Allahu I Lartësuar thotë: “Nuk ka vepër më të mirë me të cilën të më afrohet robi Im e që të jetë më e dashur tek Unë se sa ajo vepër që Unë ia kam obliguar atij.” Fjalët e Tij: “Adhuroje Allahun dhe mos i bëj ortak askënd!” nënkuptojnë detyrimin që kemi ndaj Allahut, i cili është adhurimi i pastër vetëm për Të. Këtu përfshihet edhe dëshmia se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, sepse adhurimi mund të njihet vetëm nëpërmjet besueshmërisë së tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe zbatimit të asaj me të cilën është dërguar.
Çdo punë që të afron tek Allahu nuk i bën dobi njeriut, derisa të jetë e sinqertë për Allahun dhe e ndërtuar mbi ndjekjen e Sunetit të të Dërguarit të Allahut, sepse dihet se dy dëshmitë janë të lidhura ngushtë me njëra - tjetrën. Prandaj, dëshmisë se: nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, duhet t`i bashkangjitet edhe dëshmia se: Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Pesë shtyllat e Islamit janë përmendur të radhitura në këtë hadith sipas rëndësisë që ka secila prej tyre. Këtu iu dha përparësi namazit sepse ai konsiderohet një lidhje shumë e fortë mes robit dhe Krijuesit të tij dhe se ai përsëritet pesë herë, gjatë një ditë - nate. Më pas vjen Zekati, i cili obligohet vetëm një herë në vit, dobia e të cilit është si për atë që e jep, ashtu edhe për atë që e merr. Më pas vjen agjërimi, i cili përsëritet çdo vit dhe në fund përmendet Haxhi që është detyrë vetëm një herë në jetë.
4 - “Më pas më tha: “A do të t’i tregoj të gjitha dyert e hajrit? Agjërimi është mburojë, sadakaja i shuan mëkatet, ashtu sikurse uji e shuan zjarrin, po ashtu edhe namazi i një njeriu në mes të natë, dhe nisi të lexojë ajetin: “Ata ngrihen nga shtrati” dhe e përfundoi me ajetin; “si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” Pasi Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) sqaroi obligimet, të cilat shkaktojnë hyrjen në Xhenet dhe shpëtimin nga zjarri, ai filloi të sqaronte disa punë vullnetare, të cilat i mundësojnë muslimanit shtimin e besimit dhe shpërblimeve, si dhe shlyerjen e mëkateve dhe gabimeve. Ato janë sadakaja, agjërimi dhe namazi i natës. Rreth agjërimit ai tha: “Agjërimi është mburojë.” Agjërimi është mburojë në këtë botë dhe në botën tjetër; në këtë botë të ruan nga rënia në mëkate. Abdullah bin Mesudi transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “O ju të rinj, kush ka mundësi materiale le të martohet sepse është më e mirë për sytë dhe mbrojtje nga harami. E ai që nuk mundet le të agjërojë sepse kjo do ta mbrojë.” (E transmeton Buhariu me nr. 1 905 dhe Muslimi me nr. 1 400) Gjithashtu, agjërimi është mburojë në botën tjetër nga zjarri. Në një hadith, i Dërguari i Allahut thotë: “Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu do t’ia largojë këtij njeriu fytyrën nga zjarri i Xhehenemit shtatëdhjetë vjet.” (E transmeton Buhariu me nr. 2 840)
Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “ndërsa sadakaja i shuan mëkatet, ashtu sikurse uji e shuan zjarrin” tregojnë rëndësinë e madhe që ka sadakaja vullnetare dhe se Allahu me anë të saj i shlyen dhe i shuan mëkatet, ashtu sikurse uji shuan zjarrin. Në këtë rast bëhet fjalë për gabimet e vogla, por këtu përfshihen edhe gabimet e mëdha nëse njeriu pendohet prej tyre. Fjalët e Profetit ku merr si shembull shuarjen që sadakaja u bën mëkateve, si uji që shuan zjarrin, pohojnë fshirjen e të gjitha mëkateve, sepse uji që bie mbi zjarr e shuan plotësisht atë duke mos i lënë asnjë gjurmë.
Fjalët e tij: “...po ashtu edhe namazi i një njeriu në mes të natës”, tregojnë se kjo është vepra e tretë e dyerve të hajrit, me të cilat njeriu afrohet tek Allahu i Madhëruar. Më pas i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) lexoi fjalët e Allahut të Madhëruar që thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që Ne iu kemi dhënë. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Suretu Sexhde, 16-17)
Gjithashtu, i Dërguari i Allahut ka lajmëruar se; “Namazi më i mirë, pas farzeve është namazi i natës.” (E transmeton Muslimi me nr. 1 163) I Dërguari i Allahut përgatiti një tablo të qartë për dyert e hajrit nëpërmjet pyetjes: “A do të t’i tregoj të gjitha dyert e hajrit?” Kjo pyetje e tërheq më shumë vëmendjen e Muadhit, për të parë rëndësinë e asaj që po i thuhej dhe të përgatitet të kuptojë çdo gjë që i thuhet.
5 - “A dëshiron të të tregoj për thelbin e çështjes, shtyllën dhe kulmin e saj?” Unë iu përgjigja: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Thelbi i çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi dhe kulmi i saj është Xhihadi.” Me çëshjten nënkuptohet diçka shumë e madhe, e cila është feja me të cilën u dërgua Profeti i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
Thelbi i saj është Islami, i cili përfshin namazin, Xhihadin, etj. Ai përmendi namazin, duke e cilësuar atë si shtyllë të Islamit, dhe duke e simbolizuar me ndërtesën e cila ngrihet mbi shtyllat e saj. Namazi është adhurimi më i rëndësishëm që përfshin trupin, dobia e të cilit i përfitohet vetëm prej atij që e kryen. Më pas, ai përmendi Xhihadin, i cili përfshin Xhihadin me shpirtin dhe Xhihadin kundër armiqve, qofshin ata jobesimtarë, apo edhe hipokritë. Ai e cilësoi si kulm të Islamit sepse me anë të Xhihadit tregohet forca e muslimanëve, triumfi i fesë së tyre dhe epërsia e saj, kundrejt feve të tjera.
6 - “Më pas, më tha: “A të të tregoj thelbin e gjithë kësaj?” Unë iu përgjigja: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut!” Ai kapi gjuhën me dorën e tij dhe më tha: “Ndaloje këtë!” Unë i thashë: “O profeti i Allahut, vallë edhe për ato që flasim do të merremi në përgjegjësi?” Ai më tha: “Mos të pastë nëna o Muadh! A ka gjë tjetër që i hedh njerëzit më shumë në zjarr përveç gjuhës së keqe?” Këtu na del në pah rrezikshmëria e gjuhës dhe se ajo e shpie njeriun drejt shkatërrimit. E mira më e madhe është ruajtja e saj, me qëllim që prej saj të dalë vetëm mirësi, ashtu siç thotë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush siguron atë që ka mes dy buzëve dhe atë që ka mes dy këmbëve, unë atij do t’i siguroj Xhenetin.” (Transmeton Buhariu me nr. 6 474) Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut thotë: “Kush i beson Allahut dhe botës tjetër, të flasë mirë ose le të heshtë.” Ibn Rexhebi, gjatë komentimit të këtij hadithi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/146-147) thotë: “Kjo tregon se mbajtja dhe frenimi i gjuhës është origjina e çdo të mire dhe se ai që e zotëron gjuhën i ka zotëruar të gjitha çështjet e tij dhe i ka vënë në rrugën e duhur.” Gjithashtu ka thënë: “Me gjuhët e këqija kemi parasysh ndëshkimi nga fjalët e ndaluara, duke qenë se njeriu me fjalët dhe veprat e tij i mbjell të mirat dhe të këqijat e më pas i vjel ato Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, ai që ka mbjellë të mira do të korrë sukses, e ai që ka mbjellë të këqija me fjalë dhe me vepra, nesër do të ketë. Ajo që kuptohet nga hadithi I Muadhit është se shkaku që i fut njerëzit më së shumti në zjarr është përdorimi i gjuhës së tyre. Te mëkati nga të folurit përfshihet shirku, i cili është mëkati më i madh tek Allahu i Lartësuar, gjithashtu përfshihet i foluri në fenë e Allahut pa dituri, mëkat i cili është i ngjashëm me shirkun. Gjithashtu, përfshihet magjia, akuzat, e shumë mëkate të tjera të mëdha e të vogla, të tilla si: gënjeshtra, përgojimi dhe thashethemet. Ndërsa mëkatet në vepra, në shumicën e rasteve nuk mbeten pa u përzier me fjalë të cilat e ndihmojnë atë.”
“Mos të pastë nëna, o Muadh!” Shejh Ibn Uthejmini në komentin e këtij hadithi e shpjegon kështu: mbettë në zi nëna jote me humbjen tënde. Këto fjalë nuk kanë kuptimi i parë, përkundrazi ato kanë kuptimin për të nxitur atë që të kuptojë fjalët që i thuhen. Madje, mund të themi se fjalët e thëna në këtë hadith apo hadithe të tjera të ngjashme me të, merren si lutje që Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) bën për këta njerëz. Këtë e pohon hadithi në Sahihun e Muslimit me nr. 2 603, të transmetuar nga Enesi, ku i Dërguari i Allahut thotë: “O Umu Sulejm, a nuk e di kushtin që i kam vënë Zotit tim? Unë i kam vënë kusht Zotit tim dhe i kam thënë: “O Zoti im, unë jam njeri; gëzohem siç gëzohen njerëzit dhe hidhërohem siç hidhërohen njerëzit, prandaj kundër cilitdo që të lutem nga umeti im me ndonjë lutje që ai nuk e meriton, bëje këtë dua pastrim dhe afrim për të, me të cilin ai të më afrohet Ditën e Gjykimit.”
Mendjemprehtësia e imam Muslimit dhe renditja e mirë e Sahihut të tij, bëri që ai ta transmetonte këtë hadith, menjëherë pas hadithit të Ibn Abasit ku i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i thotë Muauijes: “Allahu mos e ngopttë barkun e tij!” - Në këtë formë konsiderohet dua (lutje) për të dhe jo mallkim.
7 - Përfitimet që nxirren nga ky hadith janë:
1 - Kujdesi që tregonin sahabët për të njohur veprat e mira, veprat që të çojnë drejt Xhenetit dhe të largojnë nga zjarri i Xhehenemit.
2 - Xheneti dhe zjarri i Xhehenemit ekzistojnë, ato do të qëndrojnë dhe kurrë nuk do të zhduken.
3 - Me adhurimin e Allahut shpresohet hyrja në Xhenet dhe shpëtimi nga zjarri i Xhehenemit dhe jo siç shprehen disa sufij se Allahu nuk adhurohet me shpresë për Xhenetin e Tij apo me frikë prej zjarrit të Tij.
4 - Në hadith tregohet rëndësia e pyetjeve që iu drejtuan Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) sepse janë konsideruar pyetje me një vlerë të madhe.
5 - Rruga që të shpie drejt shpëtimit është e vështirë dhe ndjekja e kësaj rruge bëhet vetëm me lehtësim nga ana e Allahut.
6 - Gjëja më e rëndësishme, me të cilën u obliguan njerëzit dhe xhinët është adhurimi i Allahut, madje për këtë arsye zbritën librat dhe u dërguan profetët.
7 - Adhurimi ndaj Allahut nuk merret parasysh, derisa të ndërtohet mbi dy dëshmitë, të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra - tjetrën. Asnjë punë nuk pranohet, derisa të jetë kryer me sinqeritet për Allahun dhe në përputhje me rrugën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
8 - Në hadith shfaqet vlera e Islamit sepse Profeti e udhëzoi Muadhin për ndjekjen e asaj rruge, mes shumë obligimeve të tjera.
9 - Këto obligime janë të radhitura sipas rëndësisë që kanë, ashtu sikurse u radhitën në këtë hadith.
10 - Inkurajimi për kryerjen e namazit të nafileve, pa harruar farzet.
11 - Prej veprave më të rëndësishme, me të cilat robi afrohet tek Allahu, pas praktikimit të farzeve është sadakaja, agjërimi dhe namazi i natës.
12 - Në hadith tregohet rëndësia e madhe që ka namazi si shtylla e Islamit.
13 – Gjithashtu, pohohet vlera e Xhihadit, i cili konsiderohet si kulmi i Islamit.
14 - Në hadith tregohet rreziku që mbart gjuha dhe fakti që ajo e shpie njeriun drejt shkatërrimit dhe si përfundim, e fut në zjarr.