Hadithi - 49
49 - Sikur t’i mbeshteteshit Allahut me bindje të patundur.
Umer bin Hatabi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse ju do ti mbështeteshit Allahut ashtu siç duhet, Ai do t’ju furnizonte ashtu siç i jep zogut, i cili del i urtitur në mëngjes dhe në mbrëmje kthehet i ngopur.” Këtë hadith e transmetojnë: Ahmedi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxheh, Ibn Hibani në Sahihun e tij dhe Hakimi. Tirmidhiu për këtë hadith tha se është i mirë dhe i saktë.
1 - Ky hadith është parim bazë në mbështetjen tek Allahu i Madhëruar, pa harruar dhe përdorimin e shkaqeve të lejuara. Gjithashtu përdorimi i këtyre shkaqeve nuk bie ndesh me mbështetjen tek Allahu i Lartësuar, sepse i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem); njeriu më i mirë që iu mbështet Allahut, kur hyri në Meke vitin e çlirimit të saj mbi kokë mbante përkrenare. I Dërguari i Allahut na ka mësuar se si të bashkojmë mes përdorimit të shkaqeve dhe mbështetjes tek Allahu i Madhëruar. Kjo duket qartë në fjalën e tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në hadithin që transmeton Muslimi me nr. 2664 ku thotë: “Kujdesu për gjërat që të bëjnë dobi dhe kërko ndihmë tek Allahu.” Ky hadith të cilin e transmeton Umeri bashkon mes përdorimit të shkaqeve dhe mbështetjes tek Allahu. Përdorimi i shkaqeve vihet re tek përmendja e zogut i cili në mëngjes del i uritur, pra me barkun bosh del të kërkojë rizkun e tij dhe kthehet me barkun plot e i ngopur. Edhe pse njeriu i përdor shkaqet kjo nuk do të thotë që ai të mbështetet tek ato, përkundrazi ai duhet t’i mbështetet Allahut dhe të mos neglizhojë në përdorimin e shkaqeve duke pretenduar se në këtë mënyrë ai i mbështetet Allahut, sepse Allahu i ka paracaktuar shkaqet dhe rezultatet.
Ibn Rexhebi në librin “Xhamiul Ulumi uel Hikem” (2/496-497) thotë: “Ky hadith është parim bazë në mbështetjen tek Allahu dhe se ajo është arsyeja më e madhe nëpërmejt së cilës arrihet rizku. Allahu i Madhëruar thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë rizk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Suretu Talak, 2-3) Më poshtë ai vijon duke thënë: “Mbështetja reale tek Allahu është sinqeriteti në mbështetjen e zemrës tek Allahu i Madhëruar, për të arritur interesat dhe për të larguar gjërat e dëmshme të cilat kanë të bëjnë me të gjitha problemet e kësaj bote. Në këtë mënyrë të gjitha problemet ia lë Atij duke realizuar besimin se nuk jep apo ndalon, nuk bën mirë apo keq dikush tjetër përpos Allahut të Madhëruar.”
2 - Prej dobive të nxjerra nga ky hadith janë:
1 - Domosdoshmëria e të mbështeturit tek Allahu në arritjen e çdo kërkese dhe largimin e çdo të keqje.
2 - Përdorimi i shkaqeve nuk bie ndesh me mbështetjen tek Allahu i Lartësuar.