Hadithi - 15
15 - Kush i ka besuar Allahut dhe Ditës së Fundit le të flasë mirë.
Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, nëse do të flasë le te flasë mirë ose në të kundërt le të heshtë!. Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të respektojë fqinjin e tij. Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të respektojë musafirin e tij.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
1 - Në këtë hadith i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) vuri kusht besimin te Allahu dhe besimin në botën tjetër për kryerjen e këtyre tri urdhëresave, duke qenë se besimi te Allahu është bazë për çdo send. Çdo gjë për të cilën urdhërohemi që t’i besojmë, i kthehet dhe ndjek besimin në Allahun. Ndërsa besimi në Ditën e Fundit na përkujton kthimin dhe shpërblimin e punëve: nëse janë të mira me të mira, e nëse janë të këqija me të këqija.
2 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, nëse do të flasë le te flasë mirë ose në të kundërt le të heshtë!” janë gjithëpërfshirëse. Ndër kuptimet që marrin këto fjalë esenciale të Profetit kërkohet ruajtja e gjuhës nga fjalët, përveç fjalëve të mira. Neveviu në komentin e këtij hadithi thotë: “Shafiu (RahimehUllah) ka thënë: “Kuptimi i hadithit është se; kur një njeri kërkon të flasë le të ndalet e të mendojë. Nëse vëren se kjo nuk i sjell dëm, atëherë le të flasë, por nëse vëren se kjo i sjell dëm, apo kur dyshon, në këtë rast ai duhet të heshtë. Imami i shquar Ebu Muhamed bin Ebi Zejd, imami i Malikive në kohën e tij në Marok, ka thënë: “Të gjitha virtytet e mira degëzohen nga katër hadithe: Në fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që thotë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të flasë mirë ose le të heshtë” dhe në fjalën e tij ku thotë: “Një nga cilësitë e mira të një besimtari musliman është kur nuk ndërhyn në atë që nuk i intereson.” Gjithashtu, fjala e tij kur e këshillon njërin nga sahabët me një këshillë të shkurtër, duke i thënë: “Mos u zemëro”, si dhe fjala e tij kur thotë: “Askush nga ju nuk beson, derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete.” Pas kësaj, Neveviu transmeton një thënie që përdorej shpesh nga disa: “Sikur t’u blinit nxënësve fletore, atëherë do heshtnit nga shumë fjalë.”
3 - E mira është emër, të cilit i kundërvihet e keqja. E mira vjen edhe në trajtën e pashquar Hajër (mirësi) dhe mes tyre Allahu i Madhëruar ka bashkuar në një ajet Kuranor duke thënë: “O Profet! Thuaju robërve që gjenden në duart tuaja: Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë nga ajo që u është marrë.” (Suretu Enfal, 70)
4 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit të respektojë fqinjin e tij”, tregohet se sjellja me fqinjin është nga detyrimet më të kategorike. Për këtë fakt kanë ardhur shumë hadithe që këshillojnë për respektimin e fqinjit, si dhe kërcënojnë nga lëndimi dhe dëmtimi i tij. Një prej këtyre haditheve është edhe hadithi i Aishes (radijAllahu ‘anha), e cila transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Xhibrili (‘alejhis–selam) më porositi aq shumë për fqinjin sa kujtova se do ta bënte pjesëtar në trashëgimi.” (E transmeton Buhariu me nr. 6 014 dhe Muslimi me nr. 2 624) Gjithashtu është hadithi ku i Dërguari i Allahut thotë: “Pasha Allahun! Nuk beson ai…! Pasha Allahun nuk beson ai …! Pasha Allahun nuk beson ai ...!” Shokët e tij e pyetën - “Kush është ky o i Dërguari I Allahut?” Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Ai, fqinji i të cilit i trembet së keqes që vjen prej tij.” (E transmeton Buhariu me nr. 6 016 dhe Muslimi me nr. 73) Nderimi i fqinjit bëhet duke i ofruar çdo mirësi dhe duke e ruajtur nga çdo e keqe. Fqinjët ndahen në tri grupe:
01 - Fqinji musliman, me të cilin ke afërsi gjaku dhe me të ke tri detyrime: fqinjësinë, afërsinë dhe Islamin.
02 - Fqinji musliman, me të cilin nuk ke afërsi gjaku, por tek ai ke detyrimet e Islamit dhe të fqinjësisë.
03 - Fqinji jomusliman, me të cilin nuk ke afërsi gjaku, por me të ke vetëm detyrimin e fqinjësisë.
Fqinji që meriton nga ti më shumë nderim dhe respektim është më i afërti nga shtëpia jote, duke qenë se vetëm ai vëren të mirat që hyjnë në shtëpinë e fqinjit të tij dhe pret që ajo mirësi t’i vijë edhe atij.
5 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit të respektojë mysafirin e tij”, tregojnë se respekti ndaj mysafirit është detyrim i ndërsjelltë mes muslimanëve dhe hyn në virtytet e larta. Në Sahihun e Buhariut me nr. 6 019, Ebu Shurejhi transmeton: “E kanë dëgjuar veshët e mi dhe e kanë parë sytë e mi Profetin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kur thoshte: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të respektojë fqinjin e tij! Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit të respektojë mysafirin e tij duke i dhënë shpërblimin e tij!” Të pranishmit i thanë: “Cili është shpërblimi i tij o i Dërguari i Allahut?” Ai iu përgjigj: “Ta mbajë një ditë dhe një natë, sepse miqësia është tri ditë, ndërsa ditët e tjera quhen sadaka për të.”
6 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:
1 - Nxitja që i duhet dhënë besimtarëve që kur flasin të flasin për vepra të mira.
2 - Nxitja që duhet bërë për të heshtur, nëse e folura nuk ka dobi.
3 - Gjatë nxitjes dhe kërcënimit të besimtarit nga një vepër, është mirë që të përmendet Dita e Gjykimit, sepse atë ditë do të bëhet llogaria e veprave.
4 - Inkurajimi për respektimin e fqinjit dhe qortimi për cenimin e tij.
5 - Nxitja për të respektuar mysafirin dhe për ta nderuar atë.