Hadithi - 17
17 - Allahu e ka obliguar mirësinë në çdo gjë.
Ebu Jeala Shedad bin Eusi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu i Madhëruar e ka bërë detyrë mirësinë për çdo gjë. Prandaj, edhe kur të vrisni dikë (ndonjë armik në luftë), vriteni me sa më pak vuajtje. Po ashtu, kur të therni ndonjë kafshë, mundohuni ta therni në mënyrën më të mirë, duke mprehur thikën që kafsha të mos mundohet.” Transmeton Muslimi.
1 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Allahu i Madhëruar e ka bërë detyrë mirësinë për çdo gjë”, mirësia është e kundërta e keqbërjes. Ndërsa fjala “e ka bërë detyrë” do të thotë e ka ligjëruar dhe e ka obliguar. Pra, mirësia është e përgjithshme sepse duhet të përfshijë njeriun dhe kafshën është detyrim fetar dhe legjislativ.
2 - Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) urdhëron që të tregohet mirësi gjatë therjes së kafshës, duke e mprehur thikën, me qëllim që ajo të ndiejë sa më pak dhimbje. Ky ishte një shembull që pasqyron mirësinë edhe gjatë vrasjes së një njeriu që meriton të ekzekutohet, apo për therjen e një kafshe, duke përzgjedhur rrugët më të lehta, nëpërmjet të cilave t’u dalë shpirti pa mundim të madh.
3 - Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (1/381-382) thotë: “Ky hadith pohon domosdoshmërinë e pasqyrimit të mirësisë në të gjitha veprat. Duhet të dimë se mirësia duhet treguar sipas rastit, p.sh: mirësia në kryerjen e detyrimeve të dukshme apo të padukshme, si dhe ushtrimi i tyre në formën më të plotë, bashkë me këto detyra. Në këtë rast, kjo pjesë e mirësisë është e domosdoshme. Ndërsa mirësia e përdorur për të plotësuar gjërat e pëlqyeshme nuk është e domosdoshme. Mirësia në braktisjen e të ndaluarave dhe largimin prej tyre, qofshin të dukshme, apo të fshehta, siç thotë Allahu i Madhëruar: “E largohuni nga mëkatet e hapëta dhe ato të fshehta.”
Mirësia në këtë rast është e domosdoshme. Për sa i përket mirësisë së durimit ndaj kaderit, ajo është e pëlqyeshme të kryhet duke duruar në formën e kërkuar, pa u acaruar dhe pa u shqetësuar. Mirësia e domosdoshme në marrëdhëniet me njerëzit dhe bashkëjetesën me ta arrihet duke praktikuar të gjitha detyrimet, me të cilat të ka urdhëruar Allahu. Ndërsa mirësia e domosdoshme në udhëheqjen e krijesave dhe mirëvajtjen e punëve të tyre, arrihet duke i praktikuar të gjitha detyrimet që kërkon udhëheqja, Çdo gjë shtesë mbi obligimin nuk është mirësi e detyrueshme. Gjithashtu, mirësia në vrasjen e atyre që lejohet të vriten, qoftë njerëz, apo kafshë, qëndron në mundësinë krijohet për ta, në mënyrë që të japin shpirt në formën më të lehtë dhe me të shpejtë, pa ua shtuar vuajtjet, sepse konsiderohet vuajtje e panevojshme. Këtë lloj mirësie e përmendi i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në këtë hadith, e ndoshta e ka përmendur si shembull ose për shkak të nevojës për qartësim që kishte kjo çështje në atë kohë, duke thënë: “Ndaj dhe kur të vrisni dikë (ndonjë armik në luftë), vriteni me sa më pak dhimbje. Po ashtu, kur të therni ndonjë kafshë, mundohuni ta therni në mënyrën më të mirë.” Kjo do të thotë që të përmirësojmë mënyrën e therjes dhe vrasjes. Gjithashtu, kjo pohon domosdoshmërinë e përshpejtimit të nxjerrjes së shpirtit ndaj atyre që lejohen, në formën më të lehtë.”
4 - Vetëpërmbajtja gjatë vrasjes është e kërkuar, për të qenë larg gjymtimit apo përçudnimit (të kufomës), sido që të jetë; vrasje e mohuesve, hakmarrjeje, apo edhe në rastin e ekzekutimit të vendimeve penale. Këtu përjashtohet rasti kur ndodh një hakmarrje ku me vrasësin veprohet në të njëjtën mënyrë siç ka vepruar ai me të vrarin, siç është transmetuar nga Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), i cili vrau jehudiun që kishte shtypur kokën e një robëreshe mes dy gurëve, ndodhi të cilën e transmeton Buhariu me nr. 2 413 dhe Muslimi me nr. 1 672. Apo ashtu siç është saktësuar në ndodhinë e uranijinëve, të cilën e ka transmetuar Buhariu me nr. 6 802, si dhe Muslimi me nr. 1 671. Ndërsa rasti i gurëzimit të imoralit kur është i martuar mundet që të jetë përjashtuar nga përgjithësimi i këtij hadithi ose kuptohet në atë që mirësia kryhet kur është në përputhje me legjislacionin, kështu që gurëzimi i përket këtij legjislacioni.
5 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:
1 - Domosdoshmëria e mirësisë në çdo gjë.
2 - Domosdoshmëria e shfaqjes së mirësisë gjatë ekzekutimit, duke ndjekur rrugët me më pak vuajtje.
3 - Kujdesi për mjetin që pret kafshën para se ta fillojë therjen, e kjo duke u bazuar në fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “…duke mprehur thikën që kafsha të mos vuajë.”