Hadithi - 27





27 - Devotshmëria është morali i mirë.

 

Neuas bin Semani (radijAllahu ‘anhu) transmeton se I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Mirësia është morali i mirë, ndërsa mëkati është ajo diçka që të bren në shpirtin tënd dhe nuk ke dëshirë që njerëzit ta dinë.” Transmeton Muslimi.

Nga ana tjetër, Uabisa bin Meabed transmeton duke thënë: “Një herë shkova tek i Dërguari i Allahut e ai më tha: “A erdhe të pyesësh për mirësinë dhe mëkatin?” Unë i thashë: “Po!” Ai më tha: “Kërkoi përgjigje zemrës, sepse mirësia është ajo tek e cila shpirti dhe zemra qetësohen, ndërsa mëkati është ajo që të bren në shpirt dhe nuk të qetësohet zemra në të, pavarësisht nëse njerëzit të japin opinione miratuese.” Ky hadith është i saktë dhe e kemi transmetuar nga Musnedet e dy imamëve, Ahmed bin Hanbelit dhe Darimiut me zinxhirë të mirë transmetimi.

1 - Hadithin e Neuasit e transmetoi Muslimi, ndërsa hadithin e Uabisas e transmetoi Ahmedi dhe Darimiu me një zinxhir transmetimi, saktësia e të cilit është i përfolur, e megjithatë ai ka hadithe të tjera që dëshmojnë për të, e që janë me zinxhir të mirë transmetimi. Ato i përmendi hafidh Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem. Në të vërtetë, hadithi ngjason shumë me hadithin e Neuas bin Semanit.

2 - Mirësia është fjalë gjithpërfshirëse që përmbledh fshehtësitë në zemër dhe cilësitë që pasqyrohen në gjuhë dhe gjymtyrë. Ajeti: “Nuk është mirësi kthimi i fytyrës suaj nga lindja apo perëndimi…” (Suretu Bekare, 177) është mjaft i qartë në këtë drejtim, sepse pjesa e parë e tij përmbledh gjërat e fshehta (ndjenjat e brendshme), ndërsa fundi i tij flet për veprat e dukshme. Kur përmendet Mirësia , në shumicën e rasteve kihet për qëllim respekti ndaj prindërve, e aq më tepër kur kjo bashkohet me ruajtjen e lidhjeve farefisnore. Në këtë rast, me të nënkuptohet respekti ndaj prindërve dhe ruajtja e lidhjeve farefisnore. Mirësia, gjithashtu, vjen e lidhur me devotshmërinë, siç thuhet në fjalën e Allahut: “Ndihmojeni njëri - tjetrin në mirësi e devotshmëri.” (Suretu Maide, 2) ndaj, kur radhiten si në këtë ajet, atëherë mirësia komentohet me adhurimin ndërsa devotshmëria komentohet me braktisjen e të ndaluarave. Nëse ato vijnë të ndara nga njëra – tjetra, atëherë njëra merr kuptimin e tjetrës, gjë e cila ngjan me shembullin e Islamit dhe imanit, fakirit dhe nevojtarit.

3 - Në hadithin e Neuasit thuhet: “Mirësia është morali i mirë.” Me moralin e mirë mund të nënkuptohet ai moral i veçantë që njihet me këtë emër, ndërsa nënkuptimi i mirësisë me të bëhet për të treguar rëndësinë dhe vlerën e tij të madhe. Arsyetimi i mësipërm ngjason me kuptimin fjalëve të Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kur thotë: “Feja është këshillë”, apo “Haxhi është Arafati.” Nga ana tjetër, mund të konsistojë edhe në përgjithësimin e çdo vepre që është e mirë dhe për këtë dëshmon hadithi i Aishes, kur tregon se morali i Profetit ishte si Kurani, e që do të thotë se ai zbatonte normat e tij, u bindej urdhërave dhe largohej nga veprat e ndaluara.

4 - “...ndërsa mëkati është ajo që kurdis në shpirtin tënd dhe nuk ke dëshirë ta dinë njerëzit.” Ka mëkate që janë mjaft të qarta, por ka edhe të tjera që kurdisen në kraharore dhe shpirti nuk qetësohet nga to, madje nuk pëlqen që njerëzit t’i dijnë sepse është diçka e turpshme nëse veprohen, ndaj ky njeri druhet nga gjuhët e njerëzve në lidhje me të. Kjo pjesë e hadithit është e ngjashme me tri hadithet që kemi përmendur më sipër: “Ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, ka ruajtur fenë dhe nderin e tij” dhe hadithin: “Mos e bëj atë punë që e sheh të dyshimtë”, si dhe hadithin: “Prej fjalëve (të urta) që bota i ka mbajtur mend nga predikimet e profetëve të mëparshëm është: “Kur nuk ke turp, bëj ç’të duash.”

Me mëkat nënkuptohen mëkatet e qarta dhe të dyshimta. Mëkati përmendet gjithashtu, edhe me armiqësi, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “E mos e ndihmoni njëri - tjetrin në gjynahe dhe armiqësi.” (Suretu Maide, 2) Këtu, armiqësia i referohet agresionit dhe padrejtësisë, ku bën pjesë armiqësia ndaj njerëzve në gjakrat, pasuritë dhe nderet e tyre.

5 - Në hadithin e Uabisas mirësia iu referua veprës që qetëson zemrën dhe shpirtin, unë nuk vërej ndonjë dallim mes këtyre të dyjave. Fjalia e dytë mund të pohojë të parën, duke qenë se vijnë me të njëjtin kuptim, ku mëkati i referohet fjalisë së parë, gjithashtu është me kuptim të njëjtë komentin e mëkatit në hadithin e Neuasit.

6 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në fillim të hadithit të Ubisas: “Kërkoji përgjigje zemrës” dhe në fund të tij: “...edhe nëse njerëzit të japin përgjigje e përgjigje”, pohojnë se veprat e dyshimta, tek të cilat nuk gjen qetësi zemra, më e mira është që të lihen, edhe nëse njerëzit e lejojnë atë duke dhënë fetva. Kuptimi është se njeriu që posedon besim, që i frikësohet Allahut dhe druhet prej Tij, nuk duhet t’i japë përparësi një diçkaje, për shkat të së cilës nuk gjen rehati. Ndodh që njeriu të kërkojë përgjigje nga një njeri që nuk ka dije, ose mund të kërkojë nga një tjetër që posedon dije, por që në atë çështje mund të mos ketë argument tek i cili mbështetet opinioni. Nëse në një çështje ka argument nga Kurani dhe Suneti, atëherë obligohemi që të shkojmë tek argumenti. Kërkimi i përgjigjes nga zemra nuk ka vlerë për mëkatarët, sepse ka prej tyre që i shfaqin mëkatet dhe nuk turpërohen para Allahut e as para njerëzve. Njerëz të tillë bien në harame të hapura, ndërsa në dyshime bien edhe më shumë.

7 - Ajo që u tregua në hadithin e Uabisas kur Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e lajmëron atë që erdhi për të pyetur para se të pyeste, komentohet e për këtë Allahu e di më mirë, se ai e dinte më parë interesin që tregonte ky sahab në njohjen e mirësisë dhe gjynahut. Pra, mund të ketë ndodhur që ai ta ketë pyetur edhe më parë për këtë gjë.

8 - Përfitimet e nxjerra prej këtij hadithi janë:

1 - Hadithi tregon rëndësinë e madhe që morali i mirë.

2 - Mirësia dhe mëkati janë fjalë esenciale.

3 - Në çështjet e fesë, muslimani duhet të kryejë ato vepra që kosiderohen hallalle të qarta dhe jo të dyshimta.

4 - Besimtari që i frikësohet Allahut nuk kryen vepra për të cilat nuk do të jetë i qetë, edhe nëse i japin fetva të ndryshme, përderisa nuk është çështje e qartë në legjislacion si shembulli i ruhsave. (Ajo që ndryshon nga gjendja fillestare në gjendje lehtësimi dhe zbutje, siç është rasti i namazit të udhëtarit. (Sh p.))

5 - Në hadith vërehet kujdesi që tregonin sahabët mbi njohjen e hallallit dhe haramit, mirësisë dhe mëkatit.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free