Hadithi - 46
46 - Çdo pije dehëse është e ndaluar.
Ebu Burde transmeton nga babai i tij Ebu Musa el Eshari (radijAllahu ‘anhuma) të cilin Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e kishte dërguar në Jemen, dhe e pyeti për pijet që prodhoheshin atje duke i thënë: “Çfarë pijesh janë ato?” Ai i tha: “El Bitu dhe El Mizru.” Ebu Burde u pyet: “Çështë El Bitu?” Ai tha: “Është vera që prodhohet nga mjalti, ndërsa El Mizru është vera që prodhohet nga elbi.” Atëherë Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Çdo gjë që deh është e ndaluar.” Buhariu.
1 - Prej pijeve që përdoreshin në Jemen në kohën kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kishte dërguar atje Ebu Musa el Eshariun, ishin El Bitu që ishte vera e nxjerrë nga mjalti, dhe El Mizru që ishte vera e nxjerrë prej elbit. Ebu Musa e pyeti të Dërguarin e Allahut për këto dy lëngje, dhe profeti iu përgjigj me një përgjigje përmbledhëse në të cilën përfshihen dhe shumë lloje të tjera. Ai i tha: “çdo gjë që deh është e ndaluar”, pra ai e lidhi ndalimin me dehjen që tregon se çdo pije që deh është e ndaluar, ndërsa ato që nuk e dehin njeriun janë të lejuara. Në sahihun e Buhariut me nr. 5598 Ebu Xhuejria transmeton: E pyeta Ibn Abasin për Badhikun, dhe më tha: Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e ka përmendur më parë Badhikun, sepse çdo pije që deh është e ndaluar. Tha: Pija e lejuar dhe e mirë. Tha: “Pas të lejuarës së mirë nuk ka vetëm se të ndaluar të keqe.” Ibn Sejide në librin “El Muhkem” ka përmendur se Badhiku është prej emrave të alkoolit, për më tepër shih “Fet’hul Bari” (10/63). I Dërguari i Allahut në fillim e pati ndaluar që vera të mbyllej në enë të posaçme, siç është transmetuar në hadithet e delgatëve të fisit Abdul Kajs të cilin e transmeton Buhariu me nr. 53 dhe Muslimi me nr. 23. Më pas është transmetuar nga ai një hadith që e anullon të parin, e ai është hadithi i Burejde bin Husajbit i cili transmeton se i Dërguari i Alllahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Unë u kisha ndaluar nga vizita e varrezave por ju i vizitoni ato, gjithashtu u kisha ndaluar nga përdorimi i mishit të kurbanëve mbi tri ditë por ju tani mbani sa ta shihni të arsyeshme. Gjithashtu u kisha ndaluar nga vera përpos asaj që prodhohet në enë e ju tani mund ta pini të gjithë enën, por mos pini lëng që deh.” (E transmeton Muslimi me nr. 977) Pra çdo gjë që deh është e ndaluar sido që të jetë; lëng apo ushqim, lëndë e rrjedhshme, e ngurtë apo diçka tjetër, sepse të gjitha këto përfshihen në fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që thotë: “çdo gjë që deh është e ndaluar.”
2 - Vera është ajo që pushton trurin dhe e mbulon atë, dhe çdo send tjetër i ngjashëm me të përfshihet në fjalën e Profetit që thotë: “çdo gjë që deh është e ndaluar.” Çdo send që teprica e saj të deh atëherë edhe sasia më e vogël e saj është e ndaluar, kjo për të prerë rrugën e cila shpie drejt dehjes. Ajo ndalohet ngado që të jetë bërë; nga rrushi apo diçka tjetër. Disa dijetarë të Kufes kanë pohuar se të pish pak prej saj duke mos u dehur dhe nëse nuk është e prodhuar nga rrushi, nëse e pi kjo është e pranueshme.
Duhet ta dini se këto fjalë nuk janë të sakta, sepse është saktësuar nga Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në hadithin e Xhabirit etj. se ai ka thënë: “Sasia e madhe e asaj që deh e ndalon edhe masën më të vogël të saj.” (E transmeton Ebu Daudi me nr. 3681, Tirmidhiu me nr. 1 865, dhe Ibn Maxheh me nr. 3 393) Ky është një term i përgjithshëm i cili përfshin çdo gjë që deh, sido që të jetë prodhuar; nga rrushi apo diçka tjetër, prandaj nuk lejohet të përdoren gjërat dehëse me përjashtim të rastit kur njeriu është i detyruar nga mungesa e ujit, në këtë rast ai mund të pijë pak.
3 - Prej dobive të nxjerra nga ky hadith janë:
1 - Kujdesi që tregonin sahabët për të njohur dispozitat fetare.
2 - Përsosmëria e legjislacionit dhe gjithëpërmbledhja e tij mbi rregullat tërësore të përgjishme, siç u pohua në këtë hadith.
3 - Ndalimi i çdo gjëje që deh i çfarëdo lloji qoftë ai.