Hadithi - 24
24 - O Robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar vetes padrejtësinë.
Ebu Dherr el Gifari (radijAllahu ‘anhu) transmeton se Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) transmeton nga Zoti i tij: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes dhe juve, ndaj mos i bëni padrejtësi njëri - tjetrit. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur, përveç atij që Unë e kam udhëzuar, prandaj kërkojeni udhëzimin nga Unë, që t'ju udhëzoj. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që e ushqej Unë, prandaj kërkoni nga Unë që t'ju ushqej e Unë do t'ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atij që e vesh Unë, prandaj kërkoni veshje nga Unë që t'ju vesh. O robërit e Mi! Vërtet ju gaboni natën dhe ditën, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, prandaj kërkoni nga Unë falje që t'ju fal. O robërit e Mi! Ju nuk mund të arrini kurrë tek ajo që të më shkaktojë dëm Mua dhe as që do të arrini ndonjëherë tek ajo që do të më sillte dobi. O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit nga ju, duke përfshirë njerëzit dhe xhinët, të ishit të devotshëm si zemra më e devotshme e njërit prej jush, kjo nuk do t’i shtonte sundimit Tim asgjë. O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit nga ju, duke përfshirë njerëzit dhe xhinët, të ishit të prishur si zemra më e prishur e njërit prej jush, kjo nuk do t’i pakësonte sundimit Tim asgjë. O robërit e Mi! Sikur i pari dhe I fundit nga ju; duke përfshirë njerëzit dhe xhinët, të ngriheshit (qëndronit) në një vend dhe dëshirat e lutjet të m'i drejtonit Mua, dhe Unë t'i përgjigjesha lutjes së çdonjërit, kjo nuk do të zvogëlonte asgjë nga ajo që kam Unë, përpos si gjilpëra që nuk sjell asgjë kur ngulet në det. O robërit e Mi! Çdo gjë varet nga veprat tuaja që tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për të cilat Unë do t'ju shpërblej. Prandaj, kush gjen mirë le ta falënderojë Allahun, ndërsa kush gjen të kundërtën, mos të fajësojë asnjeri, përveç vetes.” Transmeton Muslimi.
1 - Nga fjala e Ebu Dherrit: “përcjell nga Zoti i tij ”, kuptojmë se ky hadith është prej haditheve të shenjta hyjnore, pra kjo frazë dëshmon se hadithi është i shenjtë. E njëjtë me këtë është dhe fraza: “Allahu i Madhëruar ka thënë…”, ashtu siç e përcjell i Dërguari i Tij. Hadithi kudsij (i shenjtë) është hadithi kur Profeti “...i referohet Allahut të Madhëruar.”
2 - Në fjalën e Tij: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes dhe juve, ndaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.” Padrejtësia është të vendosësh diçka jo në vendin e duhur. Allahu ia ka ndaluar Vetes, edhe pse ka fuqi ta bëjë atë madje dhe çdo send tjetër, ndaj Allahu kurrë nuk bën padrejtësi për shkak të drejtësisë absolute që posedon. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk synon padrejtësi për robërit e Vet.” (Suretu Gafir, 31) “Vërtet, Zoti yt nuk është i padrejtë me robërit e Tij.” “Vërtet, Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi njerëzve.” “Allahu nuk bën padrejtësi, qoftë dhe sa grimca më e vogël.” “Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të ketë frikë nga padrejtësia e as nga pakësimi i asaj që i përket.” (Suretu Taha, 112) Me kuptimin që nuk duhet të frikësohet se mos i pakësohen punët e mira, t’i shtohen veprat e këqija apo të mbartë gabimet e të tjerëve. Mohimi i padrejtësisë nga Allahu i Madhëruar në këto ajete përmban pohimin e drejtësisë së Tij absolute. Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/36) thotë: “Përderisa Allahu i krijoi veprat e njerëzve dhe ato mbartin padrejtësi, kjo nuk nënkupton cilësimin e Tij si të padrejtë; i Lartë dhe i Pastër është Allahu, ashtu sikurse nuk mund të cilësohet me të këqija të tjera, të cilat i veprojnë njerëzit. Ato janë vetëm krijimi dhe paracaktimi i Tij, prandaj Allahu cilësohet vetëm me anë të veprimeve të Tij dhe jo me veprimet e krijesave të Tij. Veprimet e krijesave janë krijim i Tij dhe Ai nuk mund të cilësohet me asnjërën prej tyre, përkundrazi, Ai duhet të cilësohet me ato cilësi dhe veprime që bën, e për këtë Allahu e di më mirë!” Allahu i Madhëruar ua ka ndaluar edhe njerëzve padrejtësinë, prandaj njeriu nuk duhet t’i bëjë padrejtësi vetes, apo të tjerëve.
3 - “O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur, përveç atij që Unë e kam udhëzuar, prandaj kërkojeni udhëzimin nga Unë që t'ju udhëzoj.” Ibn Rexhebi në Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/39-40) thotë: “Disa menduan se këto fjalë bien ndesh me hadithin e Ijad bin Himarit, i cili transmeton nga Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) se Allahu i Madhëruar ka thënë: “Unë i krijova robërit e Mi të pastër, – në një version tjetër transmetohet - muslimanë, por atyre u erdhën shejtanët...” Megjithatë, ky pretendim nuk është i saktë sepse Allahu i krijoi bijtë e Ademit dhe në natyrshmërinë e tyre bëri që të kenë në shpirt Islamin dhe të anojnë tek ai, e tek asnjë fe tjetër veç fesë së Tij, duke i pajisur me këtë gjë në mënyrën më efikase. E megjithatë njeriut i kërkohet ta mësojë Islamin me vepra, sepse para se të fillojë mësimin ai konsiderohet i paditur, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Allahu u nxori nga barqet e nënave tuaja në një kohë kur nuk dinit asgjë.” Ndërsa të Dërguarit të tij Allahu i Madhëruar i thotë: “A nuk të gjeti të paditur (për Islamin), e Ai të udhëzoi?” (Suretu Duha, 7) Që do të thotëtë gjeti të paditur para se të të mësonte librin dhe urtësinë, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as çfarë është besimi.” (Suretu Shura, 52) Pra, njeriu lind në natyrshmërinë e pranimit të së vërtetës. Nëse Allahu e udhëzon, i mundëson atij një shkak që t’ia mësojë fenë, kështu që bëhet i udhëzuar në realitet pasi që ishte i udhëzuar me forcën e natyrshmërisë. Nga ana tjetër, nëse Allahu do ta poshtërojë i mundëson atij dikë që e mëson jashtë natyrshmërisë së tij, siç thotë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Çdo foshnje lind në natyrshmërinë e vet, ndërsa prindërit e bëjnë atë çifut, të krishterë ose zjarrputist.”
Në këtë hadith njeriu urdhërohet që të kërkojë nga Allahu ta udhëzojë dhe këtu përfshihet udhëzimi i argumentimit dhe udhëzimi i suksesit. Nevoja e njeriut për t’u udhëzuar në fe është më e madhe se nevoja e tij për të ngrënë, apo për të pirë, përderisa në suren El Fatiha thuhet: “Na udhëzo në rrugën e drejtë!” Në këtë mënyrë njerëzit i luten Allahut që t’i forcojë në udhëzim dhe t’u shtojë udhëzim mbi udhëzimin që kanë.
4 - “O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur përveç atij që e vesh Unë, prandaj kërkoni veshje nga Unë që t'ju vesh.” Në këto dy fjali tregohet nevoja e madhe që kanë krijesat për Zotin e tyre, pra nevoja që kanë për të arritur furnizimin e tyre në nivelin më të domosdoshëm. Për këtë arsye, u kërkohet që t’i kërkojnë Allahut të Madhëruar ushqimin dhe veshmbathjet e tyre.
5 - “O robërit e Mi! Vërtet ju gaboni natën dhe ditën, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, prandaj kërkoni nga Unë falje që t'ju fal.” Allahu i Madhëruar u kërkon robërve të Tij që t’u përmbahen urdhërave dhe të largohen nga të ndaluarat. Natyrisht, robërit kanë mangësi, kundrejt detyrimeve që u ka caktuar Allahu, apo në kryerjen e disa prej veprimeve të ndaluara. Rruga e drejtë është që ata t’i kthehen Allahut, duke u penduar tek Ai nga mëkatet që bëjnë sepse; “Mëkatarët më të mirë janë ata që pendohen.” (Hadithi është saktë dhe e transmeton Ibn Maxheh me nr. 4 251 etj)
6 - “O robërit e Mi! Ju nuk mund të arrini kurrë tek ajo që mund të më shkaktojë Mua dëm, e as tek ajo që do të më sillte dobi.” Rreth këtyre fjalëve Ibn Rexhebi (2/43) thotë: “Kjo do të thotë se njerëzit nuk i kanë mundësitë që t’i bëjnë dobi apo dëm Allahu sepse Allahu në Qënien e Tij është i Panevojshëm dhe i Falënderuar, nuk ka nevojë për adhurimet e robërve dhe e mira e tyre nuk i kthehet Atij, përkundrazi, janë ata që kanë dobi dhe dihet se Ai nuk mund të dëmtohet me mëkatet e tyre, por ata janë që dëmtohen.” Allahu i Madhëruar thotë: “Mos të të pikëllojnë ata që nxitojnë për në mosbesim, sepse Allahun nuk e dëmtojnë aspak.” Dhe: “Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut.” (Suretu Ali Imran, 144)
7 - “O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit nga ju, njerëzit dhe xhinët, të ishit të devotshëm si zemra më e devotshme e njërit prej jush, kjo nuk do t’i shtonte sundimit Tim asgjë. O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit nga ju, njerëzit dhe xhinët, të ishit të prishur si zemra më e prishur e njërit prej jush, kjo nuk do t’i pakësonte sundimit Tim asgjë.” Në këto dy fjali sqarohet sundimi absolut i Allahut të Madhëruar, si dhe pavarësia e Tij absolute nga krijesat. Gjithashtu, sikur robërit të përfaqësonin gjithë devotshmërinë apo të keqen më të madhe që mund të ekzistojë, kjo nuk do t’i shtonte e as nuk do t’i pakësonte sundimit të Tij asgjë. Devotshmëria është në dobi të njeriut që e tregon atë, ndërsa e keqja është në dëm të atyre që e tregojnë atë.
8 - “O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit nga ju, njerëzit dhe xhinët, të ngriheshit (qëndronit) në një vend dhe dëshirat dhe lutjet të m'i drejtonit Mua, dhe Unë t'i përgjigjesha lutjes së çdonjërit, kjo nuk do të zvogëlonte asgjë nga ajo që kam Unë, njësoj si gjilpëra që nuk sjell asgjë kur ngulet në det.” Këto fjalë pasqyrojnë pasurinë absolute të Allahut të Madhëruar dhe nevojën që njerëzit kanë për të. Gjithashtu, nëse xhinët dhe njerëzit do mblidheshin dhe do t’u plotësoheshin dëshirat nga Allahu, duke filluar nga i pari, e deri tek i fundit , Atij do t’iu ndikonte aq sa mund marrë ujë gjilpëra kur zhytet në det. Kuptimi i këtij krahasimi është se në pasurinë e Tij nuk ndodh asnjë pakësim sepse ajo që merr gjilpëra nga uji nuk merret në kosideratë, si në peshore, ashtu edhe kur shihet me sy të lirë.
9 - “O robërit e Mi! Çdo gjë varet nga veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për të cilat Unë do t'ju shpërblej. Prandaj, kush gjen mirë le të falënderojë Allahun, ndërsa kush gjen të kundërtën të mos fajësojë asnjë përveç vetes.” Kjo tregon se njerëzit në këtë botë janë të urdhëruar për të praktikuar disa urdhëra dhe për t’u distancuar nga disa të ndaluara. Ndaj, çdo gjë që ndodh prej tyre, qoftë e mirë ose e keqe, do t’u llogaritet dhe gjithsecili do e ketë para vetes atë që ka punuar. Nëse ka punuar mirë do gjejë të mira, e nëse ka punuar keq do gjejë të këqija. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Suretu Zelzele, 7-8) Ai që bën një të mirë do ta ketë shpërblimin e saj përpara vetes, ndërsa shpërblimi është mirësi e Allahut për robin e Tij. Veprimi i veprave të mira në këtë botë është sukses nga ana e Allahut të Madhëruar që ia jep një robi, ndaj Atij i takon falënderimi, si në fillim, ashtu edhe në fund. Nga ana tjetër, ai që do të ketë të këqija para vetes, do t’i ketë si pasojë e duarve të tij, e kështu nuk duhet të fajësojë Allahun për mëkatet kryera sepse ato i kthehen vetëm atij. Kështu, nëse gjen dënimin para vetes të mos fajësojë askënd përveç vetes së tij.
10 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:
1 – Kemi hadithe që transmetohen nga Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), të cilat ai i përcjell nga Zoti i tij. Ato përmbajnë përemra, të cilët i drejtohen Allahut, ndryshe ato quhen hadithe të shenjta.
2 - Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar padrejtësinë Vetes, është pastruar prej saj dhe i ka pohuar Vetes të kundërtën e saj që është drejtësia absolute.
3 - Allahu i Madhëruar e ka ndaluar padrejtësinë për robërit e tij, qoftë ndaj vetes, qoftë ndaj të tjerëve.
4 - Njerëzit kanë shumë nevojë që t’i luten Zotit të tyre për t’i udhëzuar e për t’i furnizuar me ushqime dhe veshmbathje, e shumë nevoja të tjera që kanë të bëjnë me çështjet e kësaj bote.
5 - Allahu pëlqen që robërit e tij t’i luten për çdo gjë që kanë nevojë prej çështjeve të dunjasë dhe të fesë.
6 - Allahu është Sunduesi absolut dhe robërit nuk mund të arrijnë deri aty sa t’i bëjnë dobi apo dëm, përkundrazi, dëmi dhe dobia janë vetëm për ta.
7 - Njerëzit nuk shpëtojnë nga gabimet, prandaj duhet që të pendohen dhe të kërkojnë falje nga ato gabime.
8 - Devotshmëria dhe e keqja ekzistojnë në zemra, kjo duke u bazuar në fjalën e Tij që thotë; “…si zemra më e devotshme e njërit prej jush” dhe; “...si zemra më e keqe e njërit prej jush.”
9 - Sundimin e Allahut nuk mund ta shtojë bindja e të mirëve e as ta pakësojë mëkati i gjynahqarëve.
10 - Pasuria dhe sundimi absolut i Allahut. Nëse Ai do u jepte krijesave duke filluar nga i pari e deri tek i fundit i tyre, çdo gjë që mund t’i kërkonin nuk do i pakësonte sundimit të Tij asgjë, po ashtu edhe depozitave të Tij.
11 - Allahu i nxit robërit të binden dhe i qorton nga mëkatet, sepse të gjitha do u merren në llogari.
12 - Atij që Allahu i jep sukses në rrugën e mirë ai ka për të fituar lumturinë e kësaj bote dhe botës tjetër, ndërsa mirësia kthehet tek Allahu për suksesin që i dha njeriut në ndjekjen e rrugës së drejtë, gjithashtu edhe për shpërblimet që merr për to.
13 - Ai që është i shkujdesur dhe bën vepra të këqija do fitojë humbjen dhe do të pendohet, në një kohë kur nuk do bëjë më dobi pendimi.