Hadithi - 18
18 - Ki frikë Allahun kudo që të jësh.
Ebu Dherr Xhundub bin Xhunadeh dhe Ebu AbduRrahman Muadh bin Xhebeli (radij-Allahu ‘anhum) transmetojnë se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Frikësoju Allahut kudo që të jesh. Të keqen pasoje me një të mirë me qëllim që ta fshijë atë (të keqen) dhe me njerëzit sillu me moral të mirë.” Transmeton Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është i mirë, ndërsa në disa dorëshkrime të tjera, ai e konsideron hadith të saktë.
1 - Ky hadith, bashkë me tri fjalitë e tij ka përmbledhur çdo gjë që i kërkohet një muslimani, kundrejt Zotit të tij, vetes dhe të tjerëve.
2 - Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë: “Frikësoju Allahut kudo që të jesh.” Në gjuhën arabe origjina e Takvasë (frikë - respektit) është kur vendos mes teje dhe atij që i frikësohesh një pengesë, e cila të ruan prej tij, siç është përdorimi i këpucëve dhe nallaneve për t’u ruajtur nga dëmtimet që janë mbi sipërfaqe të tokës, apo siç është ndërtimi i shtëpive dhe tendave për t’u ruajtur nga i nxehti i diellit etj. Ndërsa në terminologjinë fetare takvaja ka kuptimin kur njeriu vendos një pengesë mes tij dhe hidhërimit të Allahut në mënyrë që të ruhet, e kjo arrihet duke zbatuar urdhrat dhe duke braktisur veprat e ndaluara, i mbushur me bindje dhe vërtetësi të plotë në atë që i përcillet prej fesë dhe duke e adhuruar Allahun në përputhje të plotë me legjislacionin, pra jo me bidate apo risi. Frikë - respekti ndaj Allahut është i kërkuar në të gjitha rastet, në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohërat. Në këtë mënyrë, njeriu duhet t’i frikësohet Allahut të Lartësuar kur është në mesin e njerëzve dhe kur është vetëm, siç thuhet dhe në këtë hadith: “Frikësoju Allahut kudo që të jesh!”
3 - Fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Të keqen pasoje me një të mirë me qëllim që ta fshijë atë (të keqen)”, ka kuptimin për rastet kur njeriu bën një mëkat dhe pendohet prej tij. Ky pendim është vepër e mirë sepse i fshin të gjitha mëkatet e vogla apo të mëdha që njeriu mund të ketë bërë më parë. Gjithashtu, fshirja e mëkateve arrihet edhe me punë të mira, të cilat i fshijnë mëkatet e vogla, ndërsa mëkatet e mëdha i fshin vetëm pendimi.
4 - Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) “...dhe me njerëzit sillu me moral të lartë”, besimtarit i kërkohet që të sillet me të gjithë njerëzit, në mënyrën më të mirë. Në këtë mënyrë, ai duhet të sillet me ta, ashtu sikurse dëshiron që njerëzit të sillen me të, kjo duke u bazuar në fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që thotë: “Askush nga ju nuk beson, derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete.” Si dhe në fjalën e Profetit që thotë: “Kush dëshiron t’i largohet zjarrit le ta gjejë vdekja duke besuar te Allahu dhe bota tjetër dhe le t’u japë njerëzve atë që dëshiron të marrë prej tyre.” Allahu i Madhëruar e ka cilësuar të Dërguarin e Tij me moral të lartë. Gjithashtu, Aishja (radijAllahu ‘anha) transmeton: “Morali i tij ishte Kurani” (E transmeton Muslimi me nr. 746), që do të thotë se ai praktikonte çdo gjë që diktohej në Kuran. Në Sunet janë transmetuar shumë hadithe, të cilat pohojnë vlerën e moralit dhe e nxisin njeriun të pajiset me moral të lartë, e nga ana tjetër, e këshillojnë prej moralit të keq.
5 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:
1- Këshilla e plotë që i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i jep umetit të tij, duke përfshirë edhe çështjet që u përmendën në këtë hadith, pra tri këshillat e mëdha dhe gjithëpërfshirëse.
2 - Frika që duhet të ketë besimtari ndaj Allahut në të gjitha rastet, vendet dhe kohët.
3 - Inkurajimi i besimtarit që veprat e këqija t’i pasojë me vepra të mira.
4 - Veprat e mira i fshijnë veprat e këqija.
5 - Nxitja e besimtarit që të sillet me njerëzit me moral të lartë.