Hadithi - 31





31 - Mos lakmo në këtë dunja që të të dojë Allahu.

 

Ebul Abas Sehl bin Sead es Saidi (radijAllahu ‘anhu) transmeton: “Dikush erdhi tek i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Më udhëzo në një punë, me anë të së cilës të më dojë Allahu dhe të më duan njerëzit.” Ai iu përgjigj: “Jeto si asket në këtë botë që të të dojë Allahu dhe mos lakmo atë që iu përket të tjerëve, në mënyrë që të të duan njerëzit.” Hadithi është me zinxhir të mirë transmetimi. E transmetoi Ibn Maxheh e të tjerë me zinxhir të mirë transmetimi.

1 - Shokët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ishin njerëzit që tregonin kujdesin më të madh për çdo të mirë, madje ishin njerëzit që përparonin më shumë drejt të mirave. Sahabi i përmendur në këtë hadith deshi të dinte se cilat vepra i mundësojnë dashurinë e Allahut dhe dashurinë e njerëzve, prandaj edhe e pyeti të Dërguarin e Allahut.

2 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Tregohu asket në këtë botë që të të dojë Allahu” shpjegojnë se dashuria e Allahut të Madhëruar arrihet duke jetuar si asket në këtë botë. Ndër komentet më të mira që janë bërë zuhdit (asketizmit) në këtë botë është edhe ai që njeriu të lërë çdo punë që e pengon për të adhuruar Allahun e Madhëruar, ashtu siç e ka transmetuar edhe Hafidh Ibn Rexhebi në librin e tij Xhamiul Ulumi uel Hikem (2/186) nga Ebu Sulejman ed Darani si vijon: “Ebu Sulejman Darani ka thënë: “Tek ne në Irak u shtuan debatet rreth të kuptuarit të zuhdit, ku kishte prej atyre që thonin se zuhdi nënkupton braktisjen e takimeve me njerëzit; ndër ta kishte edhe të tjerë që thonin se zuhdi nënkupton braktisjen e epsheve. Kishte të tjerë që pretendonin se zuhdi nënkupton të hash dhe të mos ngopesh. Kuptimet që ata i jepnin këtij termi ishin shumë të përafërta me njëra- tjetrën, ndërsa unë jam i mendimit se zuhdi është të braktisësh çdo gjë që të pengon nga adhurimi i Allahut të Madhëruar. Ky koment që dha Ebu Sulejmani është i pranueshëm, duke qenë se qëndron në mes të të gjitha komenteve të mësipërme që u thanë rreth zuhdit.”

3 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “...mos lakmo atë që është e të tjerëve në mënyrë që të të duan njerëzit” tregojnë se njerëzit në natyrën e tyre janë të dhënë pas pasurisë dhe mallit në jetën e kësaj bote, e në shumicën e rasteve i ndrydhin duart dhe nuk u japin të tjerëve nga pasuria që kanë. Allahu i Madhëruar thotë: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit.” (Suretu Tegabun, 16) Njerëzit nuk pëlqejnë që dikush ta lakmojë atë që ata kanë, prandaj kur njeriu mjaftohet me aq sa ka, me këtë gjest ai fiton respektin dhe dashurinë e tyre. E nëse fiton dashurinë e tyre, me këtë rast ruhet edhe nga mllefi i tyre.

4 - Përfitimet e nxjerra nga ky hadith janë:

1 - Kujdesi që tregonin sahabët për punët që u mundësonin dashurinë e Allahut dhe dashurinë e njerëzve.

2 - Në hadith pohohet cilësia e dashurisë për Allahun e Madhëruar.

3 - Mirësia për besimtarin qëndron në dashurinë e Allahut për të.

4 - Prej punëve që sjellin dashurinë e Allahut është asketizmi në këtë botë.

5 - Nëse nuk lakmojmë atë që u përket të tjerëve,fitojmë dashurinë e tyre, e si rrjedhojë përfitojmë nga të mirat e tyre dhe njëkohësisht ruhemi nga mllefi i tyre.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free