Hadithi - 37





37 - Allahu i ka ndarë të mirat dhe të këqijat.

 

Ibn Abasi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i është transmetuar nga Zoti i tij i Madhëruar se ka thënë: “Vërtet Allahu i ka përcaktuar veprat e mira e të këqija, pastaj i ka sqaruar ato. Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë, por nuk mund ta kryejë atë, Allahu në tërësi do t'ia shkruajë si vepër të kryer, e nëse dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen, Allahu do t'ia shkruajë dhjetë, deri në shtatëqind herë më tepër. E, nëse dëshiron të bëjë ndonjë vepër të keqe dhe nuk e kryen atë të keqe, Allahu do t'i shkruajë një vepër të mirë të plotë, por nëse dëshiron të bëjë ndonjë vepër të keqe dhe e kryen atë, atëherë Allahu ia shënon vetëm një vepër të keqe.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre.

1 - Me fjalët e tij: “Vërtet Allahu i ka përcaktuar cilat janë veprat e mira e cilat të këqija, pastaj i ka sqaruar ato”, mundet që qëllimi të jetë paracaktimi që Allahu i Madhëruar u ka bërë veprave dhe shpërblimit të tyre sipas këtyre detajeve. Mundet që qëllimi të jetë edhe shkrimi që engjëjt u kanë bërë punëve të mira dhe të këqija me urdhër nga Allahu i Madhëruar, siç thotë Allahu në librin e Tij: “Dhe për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Suretu Kaf, 18) Këtë kuptim e pohon edhe më tej hadithi i Ebu Hurejras i shënuar në kapitullin e teuhidit në Sahihun e Buhariut ku thuhet: “Kur të dojë robi Im që të bëjë një të keqe mos ia shkruani atij, derisa ta bëjë atë, e kur ta bëjë shkruajeni vetëm një të tillë. Por nëse largohet prej saj për hirin Tim, atëherë shkruajeni si vepër të mirë.” Kjo gjë nuk bie ndesh mes dy të shkrimeve sepse secila prej tyre është e realizueshme.

2 - “Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë, por nuk mund ta kryejë, Allahu në tërësi do t'ia shkruajë atë vepër si të kryer, e nëse dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen, Allahu do t'ia shkruajë dhjetë, deri në shtatëqind herë më tepër.” Këtu ai pohoi shkrimin e një vepre të mirë nëse e dëshiron me zemër, por që nuk e kryen atë, duke e quajtur si sevap të plotë me qëllim që të mos mendojë ndonjë se ajo pakësohet sepse ka të bëjë me dëshirën dhe jo me veprimin. Nga ana tjetër, ai sqaroi se shumëfishimi i sevapeve ka lidhje me veprimin, shumëfishim që arrin deri në dhjetëfish, madje edhe më shumë se kaq. Kjo është një mirësi e Allahut që ia dhuron kujt të dojë prej robërve të Tij. Në këtë hadith pohohet shumëfishimi i shpërblimit për atë që punon dhe një shpërblim të tillë nuk mund ta ketë ai që ka vetëm dëshirën, siç duket qartë në hadith. Përsa i përket hadithit: “Qëllimi i besimtarit është më i mirë se puna e tij”, duhet ditur se ky hadith është i dobët dhe atë e ka përmendur hafidh Ibn Haxheri në librin e tij Fet’hul Bari (4/219). Për më tepër shih librin Vargu i haditheve të dobëta me autor Albanin me nr. 2 789.

3 - “Por nëse dëshiron të bëjë ndonjë vepër të keqe e nuk e kryen, Allahu do t'i shkruajë një vepër të mirë në tërësi, e nëse dëshiron dhe kryen një vepër të keqe, atëherë Allahu ia shënon vetëm një vepër të keqe.” Sevapi për braktisjen e një mëkati kur dëshiron ta veprojë, u cilësua si i plotë me qëllim që të mos mendohet se ai është sevap i mangët. Ndërsa mëkati i kryerr u quajt një mëkat i vetëm, me qëllim që të mos mendojë dikush se ai do merret në llogari si i shumëfishuar. Kjo është mirësi e Allahut dhe drejtësi nga ana e Tij. Shpërblimi për braktisjen e një mëkati që ke dashur ta praktikosh arrihet atëherë ku e lë atë për hir të Allahut. Nëse ai tregon kujdes për ta bërë atë mëkat, zemrën e ka të lidhur pas tij dhe është i vendosur që ta kryer nëse i gjen mundësitë, në këtë rast ai ngarkohet me mëkat. Ibn Kethiri në komentin e fjalës së Allahut që thotë në suren Enam: “Kush bën një vepër të mirë do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie.” (Suretu Enam, 160) Thotë: “Dije se ata që largohen prej një mëkati dhe nuk e veprojnë atë ndahen në tri kategori: “Ndonjëherë e lënë për hir të Allahut, e këtij njeriu i shkruhet një e mirë, për shkak se u largua prej saj për hir të Allahut. Kjo është punë dhe qëllim e për këtë arsye është thënë se i shkruhet një e mirë, siç është transmetuar në disa fraza të sakta: “Ai e la atë mëkat për hirin Tim.” Nganjëherë e lë nga harresa dhe hutimi prej saj, e ky njeri nuk merr as sevape e as mëkate sepse ai nuk kishte qëllim që të bënte mirë, apo keq. Nganjëherë e lë nga pamundësia, apo nga dembelizmi pasi që mundohet në arritjen e shkaqeve dhe gjërave që e afrojnë pranë këtij mëkati. Ky njeri në këtë rast është sikur ta ketë praktikuar atë, siç është transmetuar në një hadith të saktë se Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur dy muslimanë përleshen me shpatat e tyre (për të vrarë njëri - tjetrin), edhe vrasësi edhe i vrari janë në zjarr.” Ata i thanë: “O i Dërguari i Allahut, për vrasësin është e qartë, por si qëndron puna me të vrarin?” Profeti atëherë tha: “Sepse edhe i vrari dëshironte ta vriste shokun e vet.”

4 - Përfitimet e nxjerra nga ky hadith janë:

1 - Pohimi i shkrimit të të mirave dhe të këqijave.

2 - Prej mirësisë së Allahut të Madhëruar është shumëfishimi i shpërblimeve.

3 - Prej drejtësisë së Allahut është se Ai nuk i shton mëkatet.

4 - Allahu shpërblen me një sevap atë që dëshiron të veprojë një të mirë edhe nëse nuk e vepron atë dhe se ky sevap i shkruhet i plotë.

5 - Ai që dëshiron të bëjë një mëkat dhe e lë për hir të Allahut, me këtë gjest atij i shkruhet një sevap i plotë.

6 - Inkurajimi për kryerjen e veprave të mira dhe kërcënimi për kryerjen e veprave të këqija.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free