Hadithi - 19





19 - Ruaje Allahun që të të ruajë ty.

 

Ebu Abas Abdullah bin Abasi (radijAllahu ‘anhu) transmeton duke thënë: “Një ditë po qëndroja pas Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ai më tha: “O vogëlush, do të të mësoj disa fjalë: “Sille ndërmend Allahun sepse Ai do të të ruajë ty, kije ndërmend Allahun dhe Atë do ta gjesh para teje (do të mbrojë dhe do të ndihmojë). Kur të kërkosh diçka kërkoje nga Zoti, e nëse kërkon ndihmë atëherë kërko nga Zoti. Dije se sikur i tërë populli të mblidhet për të të ndihmuar në diçka, nuk do mund të të ndihmonin dot përveç asaj që të ka përcaktuar Allahu. Por edhe sikur të mblidheshin për të të dëmtuar, ata nuk do të dëmtonin aq sa Allahu e ka përcaktuar. Lapsat (për shënimin e përcaktimeve) janë ngritur, dhe faqet e shkrimit janë tharë.” Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se është hadith hasen sahih.

Ndërsa në një transmetim tjetër të këtij hadithi shënohen edhe këto fjalë:

“Sille ndërmend Allahun, do ta gjesh përpara teje. Njihe Allahun (duke e respektuar) kur je në bollëk, në mënyrë që Ai të të njohë (me ndihmën e Tij) kur je në vështirësi. Dije se ajo prej të cilës ke shpëtuar, nuk do të mund të të godiste dhe prej asaj që je goditur nuk do të kishe mundësi të shpëtoje. Dije se fitorja arrihet me durim, ndërsa suksesi me mundim dhe pas vështirësive vjen lehtësimi.”

1 - Fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Sille ndërmend Allahun, në mënyrë që Ai do të të ruajë ty”, kuptohet kështu: “Ruaji kufijtë e vëna nga Allahu, duke i praktikuar urdhrat e Tij, duke u distancuar nga punët e ndaluara, duke iu besuar fjalëve të Tij, duke e adhuruar në përputhje me legjislacionin e vendosur prej Tij dhe jo me bidate dhe pasione. Të gjitha këto, me qëllimin që Allahu të të ruajë ty në çështjet e fesë dhe të dynjasë, si shpërblim i merituar, pra shpërblim në varësi të punës.”

2 - Fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Sille ndërmend Allahun, në mënyrë që Atë do ta gjesh para teje”, do të thotë që Allahu do të të ruajë në çështjet e tua të fesë dhe të dynjasë.

3 - Fjalët e Profetit: “Kur të kërkosh diçka, kërkoje nga Zoti yt, e nëse kërkon ndihmë, atëherë kërkoje nga Zoti yt”, janë në përputhje të plotë me ajetin Kuranor ku Allahu i Madhëruar thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (Suretu Fatiha, 5) T’i kërkosh Allahut është lutje, e ndërsa lutja është adhurim. Kjo do të thotë që muslimani adhuron vetëm Allahun dhe vetëm Atij i kërkon zgjidhjen e problemeve të tij, vetëm Atij i kërkon ndihmë në të gjitha çështjet e kësaj bote dhe botës tjetër, pa harruar përdorimin e shkaqeve të lejuara dhe i lutet Allahut që të bëjë dobi me këto shkaqe, siç thotë Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kujdesu për gjithçka që të bën dobi! Kërkoji ndihmë Allahut dhe mos u trego i dobët.” (E transmeton Muslimi me nr. 2 664)

4 - Fjalët e Profetit: “Dije se sikur i tërë populli të mblidhej për të të ndihmuar në diçka, nuk do mund të të ndihmonte”, e deri tek fjalët: “Lapsat (për shënimin e përcaktimeve) janë ngritur dhe faqet e shkrimit janë tharë.” Pra, pasi tregoi se lutja dhe kërkimi i ndihmës duhet t’i kërkohen vetëm Allahut, se çdo send është në dorën e Tij. Askush nuk mund ta ndalojë atë që Ai jep dhe askush nuk mund të japë atë që Ai e ndalon, pra, çdo gjë nuk mund të dalë jashtë dëshirës dhe vullnetit të Tij. Gjithashtu, njerëzit nuk mund t’i bëjnë mirë dikujt, përderisa atë nuk e ka paracaktuar Allahu, nga ana tjetër, nuk mund ta dëmtojnë me asgjë, nëse këtë nuk e ka paracaktuar Allahu. Çdo gjë që ndodh, apo nuk ndodh është paracaktuar më parë, për këtë arsye në hadith thuhet: “Lapsat (për shënimin e përcaktimeve) janë ngritur dhe faqet e shkrimit janë tharë.” Kjo do të thotë se çdo gjë që do të ndodhë është shkruar dhe ka mbaruar, e patjetër që do të realizohet. Me ngritjen e lapsave dhe tharjen e faqeve të shkrimit kuptohet mbarimi i çdo gjëje që është paracaktuar në librin Leuhi Mahfudh dhe që patjetër do të ndodhë në përputhje me atë që është paracaktuar. Të gjitha këto arsyetime pohojnë atë që quhet besimi në kaderin e Allahut, i cili është një nga gjashtë bazat e besimit dhe që e kemi sqaruar në hadithin e njohur të Xhibrilit.

5 - Fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Njihe Allahun (duke e respektuar) kur je në bollëk, në mënyrë që Ai të të njohë (me ndihmën e Tij) kur je në vështirësi” tregon se nëse dikush që punën e tij e bën të sinqertë për hir të Allahut gjatë kohës së rehatisë dhe bollëkut, do të gjejë nga Allahu vetëm të mira dhe Ai do i largojë çdo të keqe në kohën e vështirësive dhe mundimeve, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Suretu Talak, 2-3)

Në një ajet tjetër Ai thotë: “Dhe po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.” (Suretu Safat, 143-144)

Në këtë kuadër, mund të marrim shembull edhe rastin e tri udhëtarëve që i zuri rruga në një shpellë, derën e së cilës e mbylli një gur i madh. Ata ndërmjetësuan tek Allahu me anë të veprave të tyre të mira, të cilat i kishin kryer në kohën e rehatisë dhe bollëkut. Kështu, njëri prej tyre përmendi respektin e tij ndaj prindërve, i dyti përmendi ruajtjen e amanetit dhe shtimin e tij, duke ia kthyer edhe një herë të zotit të saj dhe i treti përmendi braktisjen që i kishte bërë imoralitetit për hir të Allahut, pasi i kishte të gjitha mundësitë për ta bërë.

Si rrjedhojë, Allahu ua largoi vështirësinë dhe i çliroi nga dëmtimi që u ishte kanosur, kështu që guri u rrokullis, derisa ata mundën të dilnin nga ajo shpellë. Këtë hadith e transmeton Buhariu me nr. 5 974 dhe Muslimi me nr. 2 743.

6 - Fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Dije se ajo prej të cilës ke shpëtuar nuk do të mund të të godiste dhe prej asaj që të ka goditur, nuk mund të shpëtoje”, sqaron se ajo që ka paracaktuar Allahu për ty do të të ndodhë patjetër, por ajo që nuk ka paracaktuar të ndodhë, nuk ka për të ndodhur sepse ajo që do Allahu bëhet e çfarë nuk do Ai, nuk mund të bëhet. Gjithçka për të cilën Allahu ka paracaktuar që të ndodhë patjetër, do të ndodhë dhe kurrsesi nuk mund të ndryshojë, ndërsa atë që Allahu nuk e ka përcaktuar për ty, ti nuk mund të gjesh rrugë për ta marrë, apo për të arritur tek ajo.

7 - Dhe në fund janë fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Dije se fitorja arrihet me durim, ndërsa suksesi me mundim dhe pas vështirësive vjen lehtësimi.”

Në këto tri fjali pohohet arritja e fitores me anë të durimit dhe suksesit, me anë të mundimit dhe lehtësimit pas vështirësisë. Gjithashtu prej durimit vjen fitorja me lejen e Allahut ndërsa vështirësinë Allahu e largon me anë të fitores që vjen menjëherë pas saj, dhe vështirësia pasohet me lehtësim nga ana e Allahut të Madhëruar.

8 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:

1 - Dikush që iu kushton rëndësi kufijve që ka vënë

Allahu, Allahu e ruan në fenë dhe jetën e tij.

2 - Dikush që sillet shkujdesur ndaj kufijve që ka vënë Allahu nuk do e arrijë këtë përkujdesje nga Ai, sikurse thuhet në një prej ajeteve kuranore: “Ata e harruan Allahun e Ai i harroi ata.”

3 - Shpërblimi jepet në varësi të punës. Vepra e mirë në këtë rast shërben si ruajtje, prandaj shpërblimi ishte I njëjtë (pra edhe Allahu të ruan).

4 - Robi duhet tia kushtojë adhurimin e tij vetëm Allahut, madje edhe atëherë kur kërkon ndihmë.

5 - Besimi te kaderi i Allahut.

6 - Njerëzit nuk mund të të sjellin dobi, apo dëm në një çështje, vetën nëse dobia, apo dëmi është paracaktuar nga Allahu.

7 - Askujt nuk i ndodh një e mirë, nëse ajo nuk ka qenë e paracaktuar, e po ashtu, nuk mund t’i largohet një e keqe nëse nuk ka qenë e paracaktuar. Ajo që dëshiron Allahu bëhet, ndërsa diçka që nuk e do Allahu nuk mund të bëhet.

8 - Durimi pasohet me fitore.

9 - Mundimi pasohet me sukses.

10 - Pas vështirësisë vjen lehtësimi.

11 - Thjeshtësia e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe mëshira e tij për të vegjlit.

12 - Përparësia që u jepet punëve të rëndësishme për t’i nxitur shpirtrat drejt tyre, kjo duke u bazuar në fjalën e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “…do të të mësoj disa fjalë.”

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free