Hadithi - 22





22 - Si mendon nëse i fal pesë namazet dhe e agjëron Ramazanin.

 

Ebu Abdullah Xhabir bin Abdilah el Ensari (radijAllahu ‘anhu) transmeton: “Dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Si mendon, nëse unë e fal namazin e detyruar, agjëroj Ramazanin, u përmbahem të lejuarave dhe braktis të ndaluarat dhe nuk shtoj gjë tjetër veç këtyre, a mund të hyj në Xhenet?” I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Po!” Transmeton Muslimi.

1 - Në disa rrugë të tjera të transmetimit të këtij hadithi në Sahihun e Muslimit me nr. 15, tregohet emri i njeriut që pyeti e ai ishte Numan bin Kaukal.

2 - Fjala e pyetësit: “Si mendon...”, kuptohet me fjalë të tjera: më trego nëse unë i veproj këto punë, a mund të hyj në Xhenet?

3 - Në çështjet për të cilat pyeti se a e fusin në Xhenet nëse i praktikon, si; namazi, agjërimi, veprimi i të lejuarave dhe braktisja e të ndaluarave, aty nuk përmenden zekati dhe Haxhi. Komenti se Haxhi nuk është përmendur, vazhdon me arsyetimin se në atë kohë, akoma nuk ishte bërë obligim. Gjithashtu, edhe zekati nuk u përmend sepse merret parasysh fakti që mund të ishte njeri i varfër që nuk kishte pasuri për ta dhënë zekat, por mundet të jetë edhe fakti se Haxhi bashkë me zekatin përfshihen në përmbajtjen ndaj të lejuarave dhe braktisjen e të ndaluarave.

4 - Në hadith tregohet zbatimi i detyrimeve dhe aty nuk përmenden veprat e pëlqyeshme. Ai që i praktikon ato është mesatari, për të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe.” (Suretu Fatir, 32)

Në këtë kuptim, kryerja e detyrimeve dhe braktisja e të ndaluarave janë shkaqe që njeriu të hyjë në Xhenet. Ndërsa kryerja e adhurimit vullnetar, bashkë me obligimet i plotësojnë ato nëse nuk i ka pasur të plota dhe këtë fakt e vërteton një hadith i saktë nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të cilin e transmeton Ebu Daudi me nr. 864, Tirmidhiu me nr. 413 dhe Ibn Maxheh me nr. 1 425. Gjithashtu, adhurimet vullnetare janë si mburojë për obligimet sepse dikush që kujdeset për nafilet, natyrisht që kujdesi i tij ndaj farzit është edhe më i madh. Ndërsa dikush që është i shkujdesur ndaj nafileve, kjo gjë ka shumë mundësi ta shpjerë drejt mangësive në farze.

5 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:

1 - Kujdesi që tregonin sahabët për t’i mësuar ato punë që e fusin njeriun në Xhenet.

2 - Punët janë shkak për hyrjen në Xhenet.

3 - Rëndësia e pesë namazeve, madje në hadith tjetër thuhet se namazi është shtylla e Islamit.

4 - Në hadith theksohet rëndësia e agjërimit të muajit të Ramazanit.

5 - Muslimani i përmbahet hallallit me besimin se është i lejuar dhe distancohet nga harami me besimin se është i ndaluar.

6 - Në hadith pohohet kotësia e disa pretendimeve të sufijve, të cilët mendojnë se njeriu nuk e adhuron Allahun me dëshirën për të hyrë në Xhenet, apo nga frika që ai ka prej zjarrit, ndërkohë që Allahu për të dashurin e Tij, Ibrahimin, thotë: “Dhe më bëj mua prej atyre që trashëgojnë xhenetin e kënaqësive!”

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free