Hadithi - 34
34 - Kush sheh një të keqe le ta ndryshojë me dorën e tij.
Ebu Seid el Hudri (radijAllahu ‘anhu) thotë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Kur të shihni ndonjë të keqe ndryshojeni me dorën tuaj! Nëse nuk mundeni ndryshojeni me fjalë, e nëse përsëri nuk mundeni, ndryshojeni me zemër, por ky konsiderohet besimi më i dobët.” Trasnmeton Muslimi.
1 - Ky hadith ka përmbledhur shkallët e ndryshimit që duhet t’i bëhen një vepre të keqe. Gjithashtu, ai se ai që mundet të ndryshojë me dorë, i kërkohet që ta bëjë një gjë të tillë dhe kjo është e specifike për prijësat dhe zëvendësit e tyre nëpër provinca. Këtë mund ta bëjë dhe i zoti i shtëpisë me familjarët e tij, pra në rrethin e ngushtë shoqëror dhe familjar. “Kur sheh një të keqe” mund të jetë për qëllim kur e sheh me sytë e tu ose kur ke dijeni për të. Por nëse ai nuk është prej atyre që kanë të drejtë ta ndryshojnë të keqen me dorë, kjo gjendje kalon në fazën tjetër që është: ndryshimi i të keqes me gjuhë (duke folur apo shkruar) nëse ka mundësi ta bëjë atë, në të kundërtën nuk i mbetet vetëm se ta ndryshojë atë të keqe me zemër, e ky është besimi më i dobët. Ndryshimi i të keqes me zemër bëhet duke e urryer atë dhe gjurmët që lë ai mëkat në zemër. Nuk ka kundërthënie mes asaj që erdhi në këtë hadith në urdhërimin për të ndryshuar të keqen dhe fjalës së Allahut të Madhëruar që thotë: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë nëse jeni në rrugë të drejtë.” (Suretu Maide, 105)
Kuptimi i këtij ajeti është: “Nëse ju veproni atë që u kërkohet në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, e keni kryer atë që ju kërkohet, sepse ai që është I humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë.. Shejhu ynë Muhamed Emin Shenkiti mbi këtë ajet ka studime të mira, po ashtu edhe rreth çështjes së urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, ndaj ia vlen që t’i kthehemi dhe të përfitojmë prej tij.”
2 - Përfitimet që nxjerrim nga ky hadith janë:
1 - Domosdoshmëria e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja, me qëllim që të përmirësohen njerëzit dhe vendet.
2 - Ndryshimi i të keqes bëhet me shkallë, cilido që i ka mundësitë për ta bërë, i kërkohet që të veprojë.
3 - Ndryshimi i njerëzve në nivelin e besimit, ku prej tyre ka të fortë, të dobët dhe më të dobët.