Hadithi - 45





45 - Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitblerjen e alkoolit.

 

Xhabir bin Abdilahu (radijAllahu ‘anhu) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në Meke vitin e çlirimit të saj duke thënë: “Vërtet Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitjen e alkoolit, gjësë së ngordhur, derrit dhe idhujve.” I thanë: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë mendon për dhjamin e të ngorshurës me të cilin lyhen anijet, dhe lëkurat që njerëzit i përdorin edhe për ndriçim? Ai tha: “Jo! Ato janë të ndaluara.” Më pas Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Allahu i vraftë çifutët! Allahu ua ndaloi atyre dhjamin, por ata e shkrinë e më pas e shitën dhe hëngrën fitimin e tij.” Buhariu dhe Muslimi.

1 - Në fjalët e tij: “Vërtet Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar”, shprehja e foljes erdhi në numrin njëjës por është përmendur dhe në numrin shumës. Gjithashtu në një version ka ardhur vetëm: “Allahu e ka ndaluar.” Ndërsa numri shumës ku përemri i kthehet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, është hadithi ku Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë: “Nëse ndodhen tri gjëra tek një person, ai e ka gjetur ëmbëlsinë e besimit: Nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të dashur për të se çdokush tjetër…” Këtë hadith e transmetoi Buhariu me nr. 16 dhe Muslimi me nr. 67. Në bazë të kësaj kuptohet dhe mënyra se si erdhi në këtë hadith me formën “kanë ndaluar” sepse ajo i kthehet edhe Profetit, ndërsa ndalimi që i dedikohet Allahut mbetet i fshirë dhe do të thotë: Me të vërtetë Allahu ka ndaluar dhe Profeti i Tij ka ndaluar. Kjo që u tha është e ngjashme me fjalën e Allahut të Madhëruar që thotë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të meritueshëm që t’i kënaqin”, që do të thotë: Allahu e meriton më shumë që ta kënaqin si dhe Profeti i Tij e mëriton më shumë që ta kënaqin, dhe i ngjashëm me këtë është vargu i një poeti i cili thotë:

Ne të vijmë me atë që kemi dhe ti eja me atë që ke, Të gëzuar mbetemi e pse mendimet s’të përputhen me ne. Kjo do të thotë se ne jemi të gëzuar me atë që kemi dhe ti je i gëzuar me atë që ke.

2 - Xhabiri tregoi se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) t’i ndalonte këto gjëra. Ai e kishte dëgjuar në vitin e çlirimit në Meke. Ky sqarim në atë kohë dhe në atë vend u bë për shkak të pranimit të Islamit nga jobesimtarët, të cilët merreshin me këto gjëra të ndaluara. Ai i mësoi ata se këto gjëra janë të ndaluara, por kjo nuk e pengon që ndalimi për ato gjëra të ketë qenë edhe më parë.

3 - E ndaluara e parë në këto katër të ndaluara është alkooli; nëna e të këqijave sepse ai që e pi e rreshton veten e tij me budallenjtë, e si rrjedhojë kjo e shpie në çdo vepër të ndaluar. Ky veprim mund të shkaktojë edhe sulm ndaj afërsisë së gjakut, pra ajo sjell çdo të keqe dhe shpie drejt çdo belaje prandaj alkoli u quajt; nëna e të këqijave. E dyta është e ngordhura e cila ndalohet të hahet me përjashtim në raste nevoje të theksuar për të mbajtur shpirtin gjallë, në një kohë kur nuk gjen gjë tjetër për të ngrënë. Nga e ngordhura përjashtohet lëkura e saj nëse ajo regjet. E themi këtë duke u bazuar në hadithin e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të cilin e transmeton Buhariu me nr. 2221 dhe Muslimi me nr. 366. E treta është derri i cili nuk lejohet të hahet e as të shitet, dhe çdo gjë e cila ndalohet të hahet nga kafshët ajo ndalohet si e ngordhur ashtu dhe e prerë.

E katërta janë idhujt të cilët nuk lejohet të shiten apo të mbahen sepse janë bërë për tu adhuruar, madje kërkohet që të prishen dhe të thyhen dhe nuk ka mëkat nëse ato përdoren pasi të thyen, qoftë në ndërtim apo diçka tjetër, sepse ajo nuk quhet më idhull.

4 - Hafidh Ibn Haxheri në librin e tij “Fet’hul Bari” (4/425) thotë: “Përsa i përket fjalës së Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): Çfarë mendon për dhjamin e të ngorshurës me të cilin lyhen anijet, dhe lëkurat që njerëzit i përdorin edhe për ndriçim?” do të thotë; a është e lejuar t’i tregtojmë për shkak të dobive që u përmendën dhe që përmbajnë ligjshmërinë e tregëtimit. Fjala e tij: “Ai tha: Jo! Ato janë të ndaluara”, pra tregëtimi. Kështu e komentuan disa dijetarë si Shafiu dhe ndjekësit e tij, por disa të tjerë fjalën e tij: “Ato janë të ndaluara”, e kuptuan për ndalimin e përdorimit të tyre dhe thanë: Është e ndaluar që të përfitohet prej tyre, - dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Prandaj nuk duhet të përfitojmë nga e ngordhura që në origjinë, përveçse në gjërat që janë veçuar me argument si është rasti i lëkurës së regjur.”

5 - “Allahu i vraftë çifutët! Allahu ua ndaloi atyre dhjamin, por ata e shkrinë e më pas e shitën dhe hëngrën çmimin e tij.” Këto janë disa nga dredhitë që përdornin çifutët, sepse kur Allahu ua ndaloi dhjamin ata e shkrinë dhe e shitën atë dhe u ushqyen me fitimin e tyre. Kur Allahu e ndalon diçka e ndalon dhe fitimin e saj, dhe kjo ishte arsyeja që e nxiti Profetin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të lutej kundër tyre.

6 - Prej dobive të nxjerra nga ky hadith janë:

1 - Hadithi pohon ndalimin që Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u bëri këtyre katër gjërave.

2 - Këtë sqarim e bëri në vitin e çlirimit në Meke me qëllim që të distancoheshin ata që sapo ishin bërë musliman nga këto katër gjëra, si në përdorimin ashtu dhe në tregëtimin e tyre.

3 - Atë që Allahu e ka ndaluar, edhe tregëtimi dhe fitimi prej saj është i ndaluar.

4 - Ndalimi i dredhive të cilat shpien në lejimin e asaj që Allahu e ka ndaluar.

5 - Përçmimi i çifutëve dhe sqarimi se ata janë njerëz dredharak që mundohen të arrijnë në lejimin e gjërave të ndaluara.

6 - Në këtë hadith i tërhiqet vëmendja këtij umeti që të mos bien në gjërat në të cilat ranë çifutët prej këtyre dredhive.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free