Hadithi - 23
23 - Pastërtia është gjysma e besimit.
Ebu Malik el Harith bin Asim el Eshari (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Pastërtia (abdesi) është gjysma e besimit. Falënderimi i Allahut (Elhamdulilahi) i mbush peshoret (e punëve të tij të mira), lavdërimi bashkë me falënderimin (SubhanAllahi uel Hamdulilahi) e përmbushin (ose e përmbush me sevap hapësirën ndërmjet qiellit dhe tokës). Namazi është dritë, sadakaja është provë (besimi). Durimi është shkëlqim, ndërsa Kurani është dëshmi e qartë pro ose kundër teje. Çdo njeri ecën e mundohet, ku prej tyre ka që e shesin shpirtin e tyre, duke e çliruar ose duke e shkatërruar atë.” Transmeton Muslimi.
1 - Pastërtia e përmendur në hadith merr kuptimin edhe me braktisjen e shirkut, mëkateve dhe largimi prej tyre. Gjithashtu, koment është bërë edhe mbi abdesin që përdoret në namaz. Ndërsa imani (besimi) i përmendur është komentuar me namazin, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Dijeni se Allahu nuk ua humb besimin tuaj” (Suretu Bekare, 143), d.m.th. namazin që keni falur të drejtuar nga Kudsi. Ajo që pohon se me pastërtinë nënkuptojmë abdesin është versioni i përmendur te Tirmidhiu me nr. 3 517, ku në vend të fjalës “pastërti” është përmendur fjala “abdes.” Po ashtu, është versioni i Ibn Maxhes me nr. 280 ku thuhet: “Përsosmëria e abdesit.” Kushti i namazit është abdesi, ashtu sikurse është transmetuar në hadith: “Namazi nuk pranohet pa abdes, e as sadakaja e atij që e ka përvetësuar pasurinë nga preja e luftës.” (E transmeton Muslimi me nr. 224)
2 - “Falënderimi i Allahut (Elhamdulilahi) i mbush peshoret (e punëve të tij të mira), lavdërimi bashkë me falënderimin (SubhanAllahi uel Hamdulilahi) e përmbushin (ose e përmbush me sevap) hapësirën ndërmjet qiellit dhe tokës.” Peshoret, këtu ka kuptimin e peshores së punëve. Në hadith del në pah vlera e tahmidit (fjalës Elhamdulilah) dhe tesbihut (fjalës subhanAllah). Tesbih do të thotë ta pastrosh Allahun nga çdo e metë, ndërsa tahmidi është që ta cilësosh Atë me përsosmëri.
Në fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “…e përmbushin (ose e përmbush)”, mundet që përmbushja ndërmjet qiellit dhe tokës të jetë me të dyja veprat së bashku ose me njërën prej tyre, duke qenë se transmetimi është bërë me dyshim.
3 - Fjalët e Profetit: “Namazi është dritë”, nënkuptojnë dritën në zemër, në fytyrë, në udhëzim dhe në Ditën e Kiametit.
4 - Fjala e Profetit: “Sadakaja është provë (besimi)”, do të thotë se është shenjë për besimin dhe sinqeritetin e një njeriu, për arsye se shpirtrat bëhen koprracë ndaj pasurisë, ndaj ai që i ruhet koprracisë së shpirtit duke dhënë sadaka, e kalon sprovën për besimin e tij. E themi këtë sepse hipokriti mund shtirur duke u falur, por kurrë nuk ia bën zemra që të japë sadaka, për shkak të fanatizmin që ai ka në ruajtjen e pasurisë së tij.
5 - Fjalët e Profetit: “Durimi është shkëlqim”, nënkuptojnë durimin në bindjen ndaj Allahut, edhe pse për disa shpirtra është e shumë e vështirë. Gjithashtu, durimi nga mëkatet, edhe pse disa shpirtra anojnë drejt tyre, si dhe ndaj kadereve të Allahut që janë të dhimbshme, duke mos u mërzitur e as duke u mllefosur, sepse nëse kjo ndodh tek një musliman, provon besimin e fortë dhe arsyetimin e mendjes së tij. Pikërisht, për këtë arsye, durimi u cilësua si shkëlqim.
6 - Fjalët e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “...ndërsa Kurani është dëshmi e qartë pro ose kundër teje”, ndryshe kuptohen se Kurani ose është argument pro atij njeriu që praktikon ato që kërkon Kurani, siç janë: miratimi i çdo lajmi që ka ardhur në të, zbatimi i urdhrave, largimi prej të ndaluarave dhe leximi i tij ashtu siç duhet. Ose është argument kundër, nëse ia kthen shpinën dhe nuk praktikon ato që ai i kërkon. I ngjashëm me këtë hadith është edhe fjala e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në Sahihun e Muslimit me nr. 817 ku thotë: “Vërtet, Allahu me këtë libër ngre disa njerëz dhe i poshtëron disa të tjerë.”
7 - Fjalët e Profetit: “Çdo njeri punon e mundohet, ku prej tyre ka që e shesin shpirtin e tyre duke e çliruar ose duke e shkatërruar atë” do të thotë që njerëzit veprojnë dhe mundohen por janë të ndarë në dy grupe: njëri grup e shet shpirtin e tij për hir të Allahut, duke iu bindur urdhrave të Tij e duke u larguar nga ato që ka ndaluar Ai. Me këtë vepër Ai e shpëton atë rob nga zjarri i Xhehenemit dhe e largon nga humbjet e shejtanit e mashtrimet e tij. Grupi tjetër e shkatërron shpirtin duke zhytur në mëkate, pra, duke rënë pre e epsheve të ndaluara, të cilat e shpien atë drejt zjarrit të Xhehenemit.
8 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:
1 - Në hadith trajtohet vlera e pastërtisë.
2 - Në hadith trajtohet vlera e tahmidit dhe tesbihut.
3 - Pohohet mizani (peshorja e punëve).
4 – Nxirret në pah vlera e namazit dhe fakti që ai është dritë në këtë botë dhe në botën tjetër.
5 – Nxirret në pah vlera e sadakasë, e cila është shenjë që tregon për besimin e një njeriu.
6 - Nxirret në pah vlera e durimit dhe se durimi është shkëlqim për ata që durojnë.
7 - Nxitja në përkushtimin për mësimin e Kuranit, meditimin e punën me të, me qëllim që të jetë argument pro për besimtarin.
8 - Këshillimi lidhur me mangësitë që referohen zbatimit të Kuranit, me qëllim që të mos bëhen argument kundër besimtarit.
9 - Nxitja për çdo punë të mirë që e çliron njeriun nga e keqja e kësaj bote dhe dënimi në botën tjetër.
10 – Këshillimi lidhur me çdo punë të keqe që e shpie njeriun në kategorinë e të dashurve të shejtanit, e si rrjedhojë e shpien atë drejt zjarrit të Xhehenemit.