Hadithi - 16





16 - Mos u zemëro.


Ebu Hurejra (radijAllahu ‘anhu) transmeton se një burrë erdhi te Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe i tha: “Më këshillo!” I Dërguari i Allahut i tha: “Mos u zemëro!” Ai e përsëriti disa herë kërkesën e tij, ndërsa i Dërguari i Allahut i përgjigjej: “Mos u zemëro!” Transmeton Buhariu.

1 - Hafidh Ibn Haxheri në librin e tij “Fet’hul Bari” (10/520) thotë se Hatabi ka thënë: “Fjala mos u zemëro do të thotë të largohesh nga shkaqet që sjellin zemërimin dhe mos i kërko gjërat që e nxisin atë. Ndërsa zemërimi në vetvete nuk është diçka e ndaluar, por është diçka e natyrshme që nuk mund t’i largohet njeriut.”

Në një pjesë tjetër ai shprehet: “Ibn Tini ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në fjalën e tij mos u zemëro përzgjodhi mes të mirës së dynjasë dhe ahiretit, duke qene se zemërimi shpie në shkëputjen e lidhjeve mes njerëzve dhe largon çdo lloj butësie, e nganjëherë, shkon deri aty, sa i zemëruari të lëndojë njerëzit, gjë e cila cenon fenë.”

2 - Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar njerëzit që e përmbajnë veten nga zemërimit, si dhe ata që i falin njerëzit. Ndërsa i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) na ka lajmëruar duke thënë: “Nuk është i fortë ai që mund të tjerët, por i fortë është ai që përmban veten kur zemërohet.” (Transmeton Buhariu me nr. 6 114) Prandaj, kur njeriu zemërohet duhet që ta përmbajë veten dhe të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar, siç transmetohet në Sahihun e Buhariut me nr. 6 115. Gjithashtu, duhet të ulet, apo edhe të shtrihet, siç transmetohet në Sunen e Ebu Daudit me nr. 4 782, në hadithin e transmetuar nga Ebu Dherri se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur zemërohet ndonjëri nga ju e ndodhet në këmbë, atëherë le të ulet; e nëse nuk i largohet zemërimi, le të shtrihet.” Ky hadith është i saktë sepse transmetuesit e tij janë transmetues në Sahihun e Muslimit.

3 - Përfitimet e nxjerra nga hadithi janë:

1 - Kujdesi që tregonin sahabët për të arritur veprat e mira, sepse ky sahabi kërkoi këshillë nga Profeti (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

2 - Këshilla për largimin nga shkaqet që shpien drejt zemërimit dhe nga pasojat që vijnë pas tij.

3 - Përsëritja e këshillës për ndalimin e zemërimit tregon për rëndësinë e kësaj këshille.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free